34.8 C
Skopje, NM
22/06/2021
DailyNews.mk
OP/ED Përzgjedhjе nga redaktori

Zhurma për punësimet etnike në kompanitë private

Ka së paku katër lëshime që përfaqësuesit e qeverisë i bënë kur e hapën këtë temë, që është tepër e rëndësishme si për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian (BE) ashtu edhe për sigurimin e mundësive të barabarta për punë të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Autor: Xhelal Neziri

Debati për diskriminimin në baza etnike në kompanitë private si duket u hap keq, u keqkuptua dhe po krijon një ambient që të mos japë rezultatet e pritura. Opinioni publik maqedonas e vlerësoi si të tepërt insistimin për punësime etnike edhe në këtë sektor kurse një pjesë e opinionit shqiptar e komentoi si ofendim shkaku se kuotat zakonisht parashihen për kategori shoqërore që nuk mund të konkurrojnë në tregun e punës. Sektori privat, ndërkohë, ri i heshtur dhe pret se çfarë do të ofrojë qeveria.

programin e saj 2020-2024, në pjesën “Një shoqëri për të gjithë”, Qeveria LSDM-BDI ka paralajmëruar se “do të ftojë, inkurajojë dhe bashkëpunojë me sektorin e biznesit, dmth ndërmarrjet e vendit dhe të huaja që të mbështesin marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe vlerat e tolerancës, përfaqësimin dhe besimin e ndërsjellë në mjediset e tyre të punës për të përfituar nga i gjithë potenciali njerëzor që ka vendi ynë”.

Deri këtu gjithçka kaloi pa shumë zhurmë. Reagimet erdhën pas deklaratës së zv/kryeministrit të parë, Artan Grubi, i cili paralajmëroi se qeveria është duke e shqyrtuar mundësinë për subvencionimin e kompanive që do të punësojnë shqiptarë etnikë dhe anëtarë të etnive tjera joshumicë në vend. Më pas, edhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, paralajmëroi se këto subvencione do të fillojnë të ndahen nga viti i ardhshëm. Sipas tij, këto ndihma shtetërore do t’u ofrohen të gjitha kompanive të drejtuara apo në pronësi të një personi nga një etni e caktuar që do të angazhojë punëtorë nga etnia tjetër. Deklarata e radhës ishte ajo e liderit të BESË-s, Bilall Kasami, i cili poashtu paralajmëroi nxitjen e punësimeve të shqiptarëve në kompani private, duke theksuar se të njëjtit janë të diskriminuar edhe gjatë konkursit pasi një pjesë e tyre nuk e dinë gjuhën maqedonase. Që kjo të mos mjaftojë, pasoi edhe deklarata e zv/kryeministrit për Çështje Ekonomike nga LSDM, Fatmir Bytyqi, i cili tha se do të ishte jo falënderuese që paratë publike të ndahen sipas kriterit etnik.

Pra, debati nëse ka diskriminim etnik gjatë punësimeve në kompani private me autorizim publik apo atje ku shteti ka aksione (EVN, Telekom, A1, NLB Banka, Stopanska Banka, Komercijalna Banka, Sparkasse Bank, ProCredit Bank etj) u përzye me mungesën e zbatimit të shqipes si gjuhë zyrtare në sektorin privat, në përputhshmëri me Ligjin e përdorimit të gjuhëve. Një shembull librash se si të përziesh një koktej me tema të ndjeshme ndëretnike, i cili shpërthen si një përplasje në sferën publike që më në fund të pamundësojë zbatimin në praktikë të barabarësisë si vlerë evropiane.

Ka së paku katër lëshime që përfaqësuesit e qeverisë i bënë kur e hapën këtë temë, që është tepër e rëndësishme si për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian (BE) ashtu edhe për sigurimin e mundësive të barabarta për punë të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut:

Së pari, nuk ka një studim ku do të shihet se sa është përqindja reale e shqiptarëve dhe etnive tjera në kompanitë e targetuara. Pa të dhëna konkrete të gjitha deklarimet publike për diskriminim janë vetëm  supozime të politikës ditore.

Së dyti, duhet të bëhet një studim i detajuar i të gjitha konkurseve për punësim në vitet e fundit, për t’u parë nëse ka tregues për diskriminim gjatë përzgjedhjes së aplikuesve. Aty mund të analizohet gjuha dhe mediat ku janë shpallur konkurset, numri i atyre që kanë konkurruar dhe që janë pranuar sipas përkatësisë etnike, përbërja etnike e komisionit vlerësues dhe krahasimi i biografive të atyre që janë refuzuar me ato që janë pranuar. Ky studim, që do të porositej nga qeveria, do të mund të realizohej nga një subjekt i pavarur, i cili do të përfshinte edhe Avokatin e Popullit, Komisionin për anti-diskriminim, Komiteti i Helsinkit, shoqërinë civile dhe odat ekonomike.

Së treti, partnerët e koalicionit qeverisës nuk ishin të bashkërenduar gjatë hapjes së kësaj teme, por sikur të gjithë vrapuan për të fituar ndonjë pikë politike. Madje, edhe deputeti i opozitës shqiptare Skender Rexhepi – Zejd tha se kjo është ide e koalicionit ASH/Altenrativa, e cila është vjedhur nga BDI.

Dhe së katërti, para se një ide të shpaloset në opinion, duhet pasur një projekt konkret. Nuk mjafton vetëm një fjali në Programin e Qeverisë. Projekti e arsyeton aksionin, i definon aktivitetet, bartësit dhe i parashikon rezultatet që do të arrihen.

Tash për tash nuk ka material të nevojshëm për debat lidhur me diskriminimin etnik në sektorin privat. Rrjedhimisht, të gjitha reagimet burojnë nga paragjykimet, mosdurimi apo frika nga humbja e privilegjeve.

Tani që ky debat po ngjitet lartë në agjendën publike, është mirë që paralelisht të trajtohet edhe tema e shtetit ligjor. Pra, i zbatimit të ligjeve të miratuara nga Parlamenti, si një nga parakushtet kryesore për integrim në BE. Përveç moszbatimit të Ligjit të gjuhëve dhe mosfunksionimit të Inspektoratit të Zbatimit të Gjuhëve, në Maqedoninë e Veriut nuk është zbatuar as Ligji për mbrojtje nga diksriminimi, i miratuar që nga viti 2013. Mbi bazë të këtij Ligji u formua edhe Komisioni anti-diskriminim. Në vitin 2019 u miratua me plotësime Ligji për ndalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, por u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese pasi kishte kaluar pa shumicën e nevojshme parlamentare prej 61 deputetësh. Tash Ministria e Punës dhe Politikës Sociale sërish e ka propozuar për miratim në Parlament me qëllim që të kalojë si duhet.

Ky ligj nga juristët quhet lex specialis pasi trajton të gjitha format e diskriminimit. Pra edhe ato etnike në sektorin publik. Paragrafi 2 i Nenit 3 thotë: ”Ky ligj zbatohet nga të gjitha organet shtetërore, organet e njësive të vetëqeverisja lokale, personat juridikë me autorizime publike dhe të gjitha subjektet tjera juridike dhe fizike në fushën e: 1) punës dhe marrëdhëniet e punës; 2) arsimi, shkenca dhe sporti; 3) sigurimet shoqërore, përfshirë fushën e mbrojtjes sociale, pensioneve dhe sigurimi i aftësisë së kufizuar, sigurimi shëndetësor dhe kujdesi shëndetësor; 4) gjyqësia dhe administrata; 5) strehimi; 6) informimi dhe media publike; 7) qasja në mallra dhe shërbime; 8) anëtarësimi dhe veprimi në parti politike, shoqata, fondacione, sindikata ose organizata të tjera të bazuara në anëtarësim; 9) kultura dhe 10) të gjitha zonat e tjera.”

Zbatimi i përpiktë i këtij Ligji mund të çrrënjosë diskriminimin e supozuar etnik në sektorin privat, kurse subvencionet e paralajmëruara nga qeveria janë vetëm hedhje parash publike në pusin e kapitalistëve. Nëse merren parasysh keqpërdorimet e personave me aftësi të kufizuara nga kompani të caktuara, të cilat i angazhojnë vetëm sa për të thithur paratë e shtetit, atëherë edhe në këtë rast do të kemi punësime fiktive të qytetarëve shqiptarë dhe të tjerëve që do të krijojnë një iluzion të zhdukjes së diskriminimit.

Sa për rikujtim, në vitin 2000 BE ka miratuar dy pjesë të legjislacionit në fushën e anti-diskriminimit, të cilat obligohen t’i zbatojnë të gjitha anëtaret she aspirantët për anëtarësim në Union: Direktiva e Barazisë Raciale dhe Direktiva e Barazisë në Punësim.

Related posts

Sekretari i Shtetit Blinken drejt Evropës për Konferencën e Libisë

NEFAIL EMINI

Kina u ka kërkuar bankave që të ndalojnë transaksionet me monedha virtuale

NEFAIL EMINI

Televizioni bullgar: Nuk priten ndryshime në qëndrimet e Sofjes

NEFAIL EMINI

Ivca Daçiq: Është shumë e vështirë të arrihet një konsensus me Kosovën

NEFAIL EMINI

Bitcoin shënon një tjetër rekord negativ

NEFAIL EMINI

Evropa ndihmon Malin e Zi për borxhin masiv ndaj Kinës

NEFAIL EMINI

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More