24 C
Los Angeles
November 28, 2021
DailyNews – MK
Bota

Xi Jinping-u bën thirrje për marrëdhënie të shëndetshme dhe të qëndrueshme Kinë-ShBA

Kina dhe ShBA-ja ranë dakord të vazhdojnë të mbajnë kontakte të ngushta të formave të ndryshme dhe t’i rikthejnë marrëdhëniet dypalëshe në rrugën e duhur të zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm në një takim virtual mes dy krerëve të shteteve të martën.

Takimi midis presidentit kinez Xi Jinping dhe homologut të tij amerikan Joe Biden ishte “i sinqertë, konstruktiv, thelbësor dhe produktiv” dhe në krye të agjendës ishin temat kryesore, duke përfshirë çështjen e Tajvanit, tregtinë dhe ndryshimet klimatike.

Videotakimi i shumëpritur erdhi pas një viti ulje-ngritjesh në lidhjet dypalëshe.

Presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje për zhvillimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve kino-amerikane gjatë një takimi virtual me homologun e tij amerikan Joe Biden.

Xi u shpreh se Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të respektojnë njëra-tjetrën, të bashkëjetojnë në paqe, të bashkëpunojnë me përfitime të ndërsjella dhe të menaxhojnë siç duhet punët e tyre të brendshme, ndërsa mbajnë mbi supe përgjegjësitë e veta ndërkombëtare.

Kreu i shtetit i Kinës vuri në dukje më tej se, si Kina, ashtu edhe ShBA-ja, gjenden në faza kyçe zhvillimi dhe se “fshati global” i njerëzimit përballet me sfida të shumta.

Si dy ekonomitë më të mëdha në botë dhe vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina dhe ShBA-ja duhet të forcojnë komunikimin dhe bashkëpunimin, të trajtojnë siç duhet punët e tyre të brendshme dhe, në të njëjtën kohë, të mbajnë pjesën e vet të përgjegjësive ndërkombëtare dhe të punojnë së bashku për të çuar përpara kauzën fisnike të paqes dhe zhvillimit botëror, tha Xi.

Xi theksoi më tej se Kina e ShBA-ja duhet të kenë marrëdhënie të shëndetshme e të qëndrueshme mes tyre për nxitjen e zhvillimit të të dy vendeve dhe për ruajtjen e një mjedisi ndërkombëtar paqësor e të qëndrueshëm, duke përfshirë gjetjen e përgjigjeve të efektshme ndaj sfidave globale, si ndryshimi i klimës dhe pandemia e COVID-19.

Kjo është dëshira e përbashkët e popujve të të dy vendeve e të mbarë botës dhe misioni i përbashkët i liderëve kinezë dhe amerikanë, vuri në dukje ai.

Presidenti Xi i tha Bidenit se Kina do të detyrohet të marrë masa të vendosura, nëse forcat separatiste për “pavarësinë e Tajvanit” bëjnë provokime apo edhe e kalojnë vijën e kuqe.

Sipas tij, vala e re e tensioneve ndërmjet dy brigjeve të ngushticës së Tajvanit ka ardhur për shkak të përpjekjeve të përsëritura të autoriteteve të Tajvanit për të kërkuar mbështetjen e ShBA-së për agjendën e tyre të pavarësisë, si edhe të qëllimit të disa amerikanëve për ta përdorur Tajvanin për të frenuar Kinën.

Duke vënë në dukje se është një aspiratë e përbashkët e të gjithë bijve dhe bijave të kombit kinez për të arritur ribashkimin e plotë të Kinës, Xi tha: “Ne jemi të durueshëm dhe të gatshëm të bëjmë maksimumin që të përpiqemi për perspektivën e ribashkimit paqësor me sinqeritetin më të madh”.

Xi tha se i takon popullit të një vendi të gjykojë nëse ai vend është demokratik apo jo, dhe është në vetvete jodemokratike të hedhësh poshtë format e demokracisë që janë të ndryshme nga ato të tuat.

Presidenti tha gjithashtu se Kina është e gatshme të zhvillojë dialog për të drejtat e njeriut në bazë të respektit të ndërsjellë, por kundërshton përdorimin e të drejtave të njeriut si pretekst për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendeve të tjera.

Ai vuri në dukje se çështjet ekonomike dhe tregtare midis Kinës dhe ShBA-së nuk duhet të politizohen.

Sipas tij, Kina e merr seriozisht dëshirën e komunitetit amerikan të biznesit për të udhëtuar më lehtë në Kinë dhe ka rënë dakord të përmirësojë marrëveshjet për kalimin e shpejtë.

Presidenti tha gjithashtu se ShBA-ja duhet të ndalojë abuzimin ose shtrirjen e tepërt të konceptit të sigurisë kombëtare për të penguar bizneset kineze.

Ai i kërkoi ShBA-së të jetë e vetëdijshme për përhapjen e efekteve të makropolitikave të saj të brendshme dhe të zbatojë politika makroekonomike të përgjegjshme.

Kina dhe ShBA-ja duhet të respektojnë njëra-tjetrën, të bashkëjetojnë në paqe dhe të kërkojnë bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella, theksoi z. Xi. Ai shprehu gatishmërinë për të punuar me presidentin Biden për arritjen e konsensusit dhe hedhjen e hapave për t’i çuar marrëdhëniet kino-amerikane në një drejtim pozitiv, çka sipas tij është në interes të të dy popujve dhe përmbush pritshmëritë e bashkësisë ndërkombëtare.

Presidenti Biden ra dakord me fjalët e presidentit Xi se historia është një gjykatëse e drejtë dhe se të dy vendet duhet t’i bëjnë marrëdhëniet mes tyre funksionale dhe të mos pengojnë zhvillimin e këtyre marrëdhënieve. Kina ka qenë një fuqi e madhe që 5000 vjet më parë. Biden përsëriti se ShBA-ja nuk kërkon të ndryshojë sistemin e Kinës, se rigjallërimi i aleancave të saj nuk është kundër Kinës dhe se ShBA-ja nuk ka ndër mend të ketë një konflikt me Kinën. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ritheksoi politikën e “Një Kine” të qeverisë amerikane. Ai deklaroi se ShBA-ja nuk e mbështet “pavarësinë e Tajvanit” dhe shprehu shpresën që do të ruhen paqja dhe stabiliteti në ngushticën e Tajvanit. ShBA-ja është e gatshme të punojë me Kinën në bazë të respektit të ndërsjellë dhe bashkëjetesës paqësore, të rrisë komunikimin, të pakësojë keqkuptimet dhe t’i trajtojë dallimet në mënyrë konstruktive. Biden theksoi nevojën që ShBA-ja dhe Kina të punojnë më ngushtë në fushat ku interesat e tyre përputhen, t’u përgjigjen sfidave globale si pandemia e COVID e ndryshimet klimatike dhe të sigurojnë një jetë më të mirë për të dy popujt.

Të dy liderët ishin në një mendje se takimi mes tyre ndihmon në rritjen e mirëkuptimit të ndërsjellë, shton pritshmëritë pozitive të komunitetit ndërkombëtar për marrëdhëniet kino-amerikane dhe dërgon një mesazh të fuqishëm për të dy vendet dhe botën. Të dyja palët ranë dakord të mbajnë komunikim të ngushtë në forma të ndryshme dhe t’i kthejnë marrëdhëniet Kinë-ShBA në rrugën e duhur të zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm, për të mirën e popujve të të dy vendeve dhe të mbarë botës

Related posts

Lukashenka: Ndoshta i kemi ndihmuar migrantët që të futen në BE

admin

BE regjistron rënie të numrit të vdekjeve të lidhura me ndotje të ajrit

admin

Nisin punimet e konferencës së OKB-së për ndryshimet klimatike

admin