18.5 C
Los Angeles
November 29, 2021
DailyNews – MK
Maqedoni TOP LAJM

Vjena dhe Shkupi janë për fillim të bisedimeve në dhjetor, sipas Sofjes afati është joreal

Shkup, 19 nëntor – Austria angazhohet për fillim të bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut me BE-në që në dhjetor, dhe këtë intensivisht e kërkon nga partnerët në Union. Për Shkupin dhjetori ende mbetet dritare e mirë për fillimin e bisedimeve me BE-në, Sofja nga ana tjetër thotë se 14 dhjetori nuk është afat real për arritjen e marrëveshjes së plotë për dallimet.

“Ai që e përjashton Ballkanin Perëndimor, e dobëson Evropën. Ne angazhohemi dhe do të vazhdojmë të angazhohemi për këtë që në dhjetor të fillojnë bisedimet. Kjo është kërkesa jonë, dhe këtë kërkesë e parashtrojmë para partnerëve tanë në Bashkimin Evropian edhe atë intensivisht”, porositi dje ministri austriak për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare, Mihael Linhart në konferencën e përbashkët për media me shefin e Diplomacisë, Bujar Osmani në Shkup.

Ministri Osmani, theksoi se vendi gjendet në një periudhë shumë të rëndësishme për integrimet evropiane të shtetit dhe të gjithë rajonit.

“I thash ministrit se në Maqedoninë e Veriut dhe në dosjen tonë qëndron çelësi për zhbllokimin e gjithë rajonit, sepse prej këtu duhet të fillojë zhbllokimi i rajonit përmes fillimit të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë që pastaj do t’i inkurajojë edhe shtetet e tjera që t’i zgjidhin kontestet me qëllim që rajoni të lëvizë në drejtimin evropian dhe të bëhet pjesë e BE-së”, tha Osmani.

Ai shtoi se dhjetori ende mbetet dritare e mirë për fillimin e bisedimeve me BE-në, që është shumë me rëndësi, jo vetëm për rrëfimin tonë, por edhe për besimin në të ardhmen evropiane, por tha, kjo do të varet nga ajo nëse në Sofje do të zgjedhet qeveri e re.

“Shpresoj se do të jetë dhjetori, por do të varet nëse Republika e Bullgarisë do të ketë një qeveri të re dhe nëse ata mund të marrin një vendim dhe një vendim të mirë. Siç e pashë dje, 26 vende anëtare të BE-së mendojnë se dhjetori është momenti kur duhet të nisin negociatat për vendin tonë. Jo vetëm vendet anëtare, por edhe në institucionet e BE-së e pashë këtë, pikëpamjen se dhjetori duhet të jetë pikërisht kjo periudhë dhe nëse do të jetë një muaj më parë, pas kësaj do të varet se kur Republika e Bullgarisë do të ketë një qeveri të re”, shtoi Osmani.
Sa i përket dialogut me Bullgarinë, shefi i Diplomacisë vlerëson se nga Sofja pas zgjedhjeve vjen paralajmërimi për qasje më racionale dhe fokusi i marrëdhënieve mes të dyja shteteve duhet të jetë në të tanishmen dhe të ardhmen, ndërsa më pak në të kaluarën, ndërsa kjo është zgjidhja për dallimet.
“Unë nuk do të hyjë në interpretimin e qëndrimit të liderit të partisë fituese në Republikën e Bullgarisë, megjithatë mendoj se i gjithë toni shkon në një qasje më racionale, se megjithatë fokusi i marrëdhënieve me Republikën e Bullgarisë duhet të jetë për të tanishmen dhe të ardhmen, ndërsa më pak për të kaluarën. Dhe mendoj se kjo është zgjidhja edhe e dallimeve dhe nëse vetëm e ndryshojmë qasjen në atë drejtim, thjerrën ta kthejmë drejtë të tanishmes dhe së ardhmes do të shohim se të gjitha ato çështje janë lehtë të tejkalueshme dhe do të mundemi të fillojmë bashkërisht që të lëvizim drejtë një fqinjësie të mirë, të përhershme, të qëndrueshme dhe perspektive të përbashkët evropiane, por edhe për perspektivë në Aleancën e NATO-s në të cilin jemi bashkë”, tha Osmani në pyetjen e gazetarëve sa i përket punës së Komisionit të Përbashkët për Çështje Historike dhe Arsimore dhe paralajmërimet nga mandatari i ardhshëm që ka më shumë gjasa për përbërje të qeverisë së re bullgare, Kiril Petkov bisedimet të zgjerohen jo vetëm në tema historike, por edhe në tema për ekonominë, infrastrukturë…

Edhe lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristian Mickovski, konsideron se populli maqedonas merit datë për fillimin e bisedimeve dhe do të jetë i madh dëshpërimi nëse edhe në dhjetor nuk ka datë. Sipas tij, kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe data për fillimin e bisedimeve me BE-në nuk kanë lidhje, sepse zgjedhje duhet të ketë sa më shpejtë, sepse, tha, qeveria e Zaevit ishte delegjitimuar.

“Unë jam optimist për dhjetorin dhe dua që të ndodh data, ky popull meriton fillimin e negociatave. Nuk është çështje nëse Dimitrov do të numëroj javët apo muajt kur do të ndodh kjo datë. Në Bruksel duhet të mblidhet Këshilli Evropian, të harroj nga shantazhet që vijnë nga fqinji jonë lindor dhe e ardhmja që duhet bashkërisht ta ndërtojmë në Evropë, dhe të mos kthehemi dy shekuj mbrapa”, deklaroi Mickoski duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve gjatë vizitës në komunën e Gazi Babës.

Daniell Lorer nga koalicioni “Ndryshimi vazhdon”, i cili konsiderohet si kandidat më serioz për ministër të Punëve të Jashtme në qeverinë e re në Sofje, deklaroi për radio “BTV” se 14 dhjetori nuk është afat realist për arritjen e marrëveshjes me Maqedoninë e Veriut. Siç informoi korrespondenti i MIA-s nga Sofja, sipas Lorer nëse lihet vetëm historia që t’i lëvizë bisedimet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, kjo nuk do të jetë mjaftueshëm rezultat i mirë dhe të dyja palët dhe shtoi se do të hapen edhe diskutime plotësuese sa i përket progresit ekonomik mes të dyja vendeve.

“Respektimi i të drejtave të bullgarëve të Maqedonisë është me rëndësi të parë, tha ai dhe theksoi se vijojnë bisedime në bazë të fakteve, e jo të spekulimeve nëse ato të drejta ishin shkelur. Ndërsa bisedimet për historinë do të lëvizin në mënyrë progresive, kështu që edhe Sofja dhe Shkupi do të jenë të kënaqur”, shtoi Lorer në një deklaratë për radio “BTV”.

Ai vlerësoi se komisioni i përbashkët historik mes Shkupit dhe Sofjes nuk propozon progres dhe të dyja palët ndjehen të pakënaqura nga ajo që ndodh dhe duhet të gjendet formulë e re. Funksioni i tij, tha ai, duhet të jetë që të ndihmojë, por jo të jetë edhe i vetmi në atë proces.

Analistë politikë maqedonas dhe bullgarë dhe njohës të situatës në Ballkan në një analizë për MIA-n vlerësojnë se koalicioni fitues në zgjedhjet në Bullgari, Ndryshimi vazhdon (NV) ka kapacitet dhe vizion për të formuar qeveri, por i presin negociata të vështira me partnerët e koalicionit – Partia Socialiste Bullgare (BSP), Bullgaria Demokratike (DB) dhe Ka një popull të tillë (ETN). Megjithatë, vlerësimi është se qeveria e re nuk pritet para fundit të dhjetorit, gjë që ngushton hapësirën për tërheqjen e vetos për fillimin e negociatave të vendit me BE-në deri në fund të vitit, pavarësisht qasjes së re të paralajmëruar në bisedimet me Shkupin.

Related posts

Sigurohet akomodim i përkohshëm i 131 qytetarëve afganë të punësuar në Kombet e Bashkuara

admin

Moraçanin: Pres dorëheqjen e Zaevit, nuk votojmë për rrëzimin e Qeverisë

admin

Kriza politike, Selmani: Perspektiva e vendit mbi interesin partiak

admin