39.8 C
Skopje, NM
29/07/2021
DailyNews.mk
Kulturë

Vitet e filozofit Riza Tefiku në Jordani

Në dekadat e fundit të Perandorisë Osmane kemi një figurë të njohur në jetën politike, letrare e akademike, që përmendet gjithnjë me nofkën Filozofi, ndonëse e kishte kryer Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Stambollit, ku u lidh me Ibrahim Temon dhe idetë demokratike kundër sistemit absolut të Sulltan Abdulhamidit II. Riza Tefiku (1869-1949), me një kulturë të gjerë të mbështetur në njohjen e dhjetë gjuhëve evropiane e orientale (shqip, anglisht, frëngjisht, italisht, spanjisht, armenisht, turqisht, arabisht, hebraisht e persisht), u bë figurë e njohur në Lindjen e Mesme pasosmane, përkatësisht në Qipro, Egjipt, Hixhaz, Liban e Jordani, ku kaloi disa vite (1923-1930) duke kontribuuar në ngritjen e principatës së re jordaneze, e themeluar më 1921 nën mandatin britanik.

Riza Tefiku u lind më 1869 në qytezën Musatafa Pasha, tani Svilengrad, në trekëndëshin bullgaro-turko-grek, në një familje të ardhur nga Dibra. I ati i tij, Hoxha Mehmet Efendi, kaloi nga arsimi në administratë duke punuar si prefekt, kurse gjyshi i tij Ahmet Durmush Dibra, tregonte qartë prej nga ishte. Riza Tefiku kishte një vëlla, Besimin, që vdiq herët në rini. I ati nga kujdesi e dërgoi në Lise Notre Dame Sion në Stamboll, ku mësoi shumë shpejt hebraishten, spanjishten e frëngjishten. Mirëpo, ai kaloi në disa shkolla të tjera në vendet ku emërohej i ati. Më pas, ai u regjistrua në fakultetin e njohur për administratë publike, ku ishin disa shqiptarë të ardhur atje, por u ndëshkua disa herë dhe u përjashtua në fund për shkak të aktivitetit të tij politik. Më 1890 u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë, ku Ibrahim Temo me shokë themeluan më 1889 partinë Terakki ve Ittihat, e cila më vonë u kthye në Ittihat ve Terraki. Në vitet e studimeve universitare Riza u mor më shumë me politikë, ndaj u burgos disa herë dhe mezi e kreu fakultetin më 1899.

Anëtarësimi në partinë sekrete

Ndonëse punoi një kohë si mjek në Karantinën e Stambollit si dhe inspektor në Doganën e Stambollit, ai nuk u ndal me aktivitetin politik. Në këtë kontekst u anëtarësua në partinë sekrete Ittihat ve Terakki, sikurse shumë shqiptarë që kishin shpresa për ndryshime demokratike në vend. Ai, si bektashi, kishte edhe një arsye pse të anëtarësohej në partinë Ittihat ve Terraki, duke luftuar kundër sistemit absolut të Sulltan Abdulhamitit II. Me shpalljen e aktivizimit të kushtetutës më 24 korrik 1908 dhe mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, Riza Tefiku u zgjodh deputet i Edernës. Mirëpo, pasi dolën në shesh ambiciet centraliste të partisë Ittihat ve Terraki, Riza Tefiku u tërhoq dhe mori pjesë në partinë e re opozitare Hurrijet ve Italf, që u formua në tetor 1911 nga deputetët shqiptarë, arabë, turq e të tjerë, të cilët ishin për decentralizim të shtetit osman. Kështu, ai u bë anëtar i komitetit drejtues në krye me Ferit pashë Vlorën, së bashku me Basri bej Dibrën. Partia e re arriti në verë 1912 ta formojë qeverinë, për çka ittihatistët u hakmorën duke rrahur keq Riza Tefikun në Gumulgjine (Komotini) të Trakisë. Më vonë, në janar 1913, ittihatistët organizuan një grusht-shtet ushtarak të përgjakshëm dhe manipuluan qeverisjen e vendit deri në fund të Luftës së Parë Botërore.

Related posts

Ngjarjet në Kosovë dhe kufiri me Serbinë në vitin 1879

Admin

Koncert i parë solistik nga Laura Krliu

Admin

Ganiu nikoqir i përfaqësuesve të ansambleve pjesmarrës në “Folk Fest 2021”

Admin

Artistët e ansamblit në rrugën drejt suksesit të radhës

Admin

Mbrëmje koncerti me Korin e përzier të Filarmonisë së Kosovës sonte në “Verën e Ohrit”

Admin

Pezullohet nga pozita drejtori i QKK-së, Arben Zharku

Admin

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More