18.5 C
Los Angeles
November 29, 2021
DailyNews – MK
Opinione

VAR-i poli(e)tik: Balotazhi post festum dhe ndëshkimi i paralajmëruar nga Delta Plus

Nga Nazmi Elezi

U kryen zgjedhjet. I mësuam emrat e kryetarëve të ri e të vjetër të komunave.

I mbushëm sheshet dhe festuam deri në delirium. Pak nga gëzimi që u zgjodh kryetari që e preferuam e më shumë nga inati që e mundëm kandidatin nga tabori i rivalit politik.

Në balotazh u shkrinë inatet partiake e dallimet ideologjike të raundit të parë dhe u bënë bashkë “macja e miu” për ta mundur njërin nga kandidatët.

Në Prishtinë, sërish me meritën e PDK-së, u përsërit skenari i balotazhit të 2013. PDK-ja ia ktheu borxhin LDK-së për ndëshkimin e Isa Mustafës. E, fituesi fatlum i formulave matematikore me numra doli të jetë arkitekt Përparimi. Urojmë që arkitekti që erdhi nga Londra t’i realizojë mega projektet e tij për Prishtinën dhe ta bëjë (krye)qytet evropian.

Nejse.

E di arkitekt Përparimi se si do t’ia bëjë me projektet e tij.

Në javën e parë me 21 kryetarë të ri komunash, është krejt e natyrshme që balotazhi të vazhdojë të jetë kryetemë nëpër kafehane, zyra të institucioneve, studio televizive. Nëpër studio askush nuk u skuq për huqjet e mëdha në parashikime.

Krejt e natyrshme që fituesit e garës të vazhdojnë kremten e të falënderojnë votuesit për besimin që ua dhanë.

Duhet pasur mirëkuptim edhe për humbësit e garës, të cilët do të gjejnë njëmijë fajtorë për mos realizimin e ëndrrës. Veç veten nuk do ta shohin përgjegjës.

Ata që fituan do të thonë: “Fitova vet”. Ata që humbën do të thonë: “U bënë të gjithë bashkë kundër meje”!

Sidoqoftë, humbësit do të gjejnë ngushëllim te thënia: “Më mirë të flesh i uritur, sesa të zgjohesh në borxhe”.

Ata vërtetë mbetën duarthatë pa e shijuar kolltukun e kryetarllëkut, por nuk do të përballen për katër vjet me presionin e realizimit të premtimeve të dhëna, por edhe me larjen e borxheve për pazaret e bëra publikisht dhe nën tavolinë.

Humbësit veç një brengë e kanë – si të dalin në publik si fitues moralë e t’i bëjnë të skuqen ata që nuk i votuan dhe ata që bënë aleanca jo parimore kundër tyre. Po, pra satisfaksioni i humbësve: “Humba, por e ruajta fytyrën”.

E fytyrën e vërtetë dhe nivelin intelektual e moral, humbës e fitues, e treguan në garë e debate.

Por, kaluan të gjitha. I kapërdimë edhe debatet dhe përballjet e kandidatëve. Aty ku nuk pati përballje programesh e vizionesh për qeverisje të mirë, pati shpërfaqje të mungesës së normave elementare etike e morale.

E morëm vesh se cili kandidat ka vjedh nëpër xhepa, cili a ka pas gjyshin hajn, cili babën, dajën a dreqin e t’birin bashkëpunëtor të regjimit.

Epitetet më të konsumuara në përballjet mes kundërkandidatëve të shumtën e herëve ishin: rrenc e hajn. Dhe këtu zhvillohej gara kryesore se cili-cilit do t’i thoshte i pari rivalit.

Nejse.

E gjitha përfundoi.

Por, jo edhe epoka e tmerrit të pandemisë Covid-19.

Në respekt të fushatës dhe qytetarëve të ekzaltuar pas idhujve të tyre lokalë, për një muaj “pushoi” edhe pandemia.

Derisa në vendet fqinje CovidI-19 po merr dhjetëra jetë në ditë, me mijëra të infektuar, tamam sikurse tek ne në gusht e shtator, gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë numri i të infektuarve ra në minimum, kurse ditëve të fundit në zero numri i të vdekurve nga virusi.

Tash kur zgjedhjet u kryen, ia kemi hapur derën koronavirusit me krejt variantet e tij. Ashtu siç po ndodhë ne vendet përreth, por edhe në Evropën Perëndimore, edhe ne pritet të vazhdojmë ta paguajmë çmimin e lartë të papërgjegjësisë sonë karshi virusit që po tmerron botën.

As dy vjet nga paraqitja e virusit vdekjeprurës, nuk mblodhëm mend. Masat anti-Covid të Qeverisë vazhdojnë të jenë në fuqi, por përveç ndalimit të lëvizjes nga ora 00-05, asnjë masë tjetër nuk po respektohet. Edhe vaksinimi, për mungesën e të cilave u bë aq shumë zhurmë në fillim të vitit, ka filluar të neglizhohet nga qytetarët.

Mediat po raportojnë se vala e katërt e koronavirusit po godet pamëshirshëm vendet e Evropës Perëndimore, ku sistemi shëndetësor e vetëdija qytetare është “pak” më e lartë se te ne.

Por, as ky nuk është alarm për neve.

Mirë jemi na.

Veç para të kemi.

Prandaj, prioritet vazhdojmë të kemi betejën për paga më të larta. Drejtues të sindikatave të arsimit e shëndetësisë, kanë paralajmëruar greva e protesta, jo për mos respektimin e masave mbrojtëse nëpër shkolla dhe mos ngritjen e kapaciteteve shtesë shëndetësore në përballje me pandeminë, por për më shumë lek.

Kafehanet e restorantet dhe ambientet e tjera publike përplot qytetarë. Asnjë masë mbrojtëse nuk respektohet, asnjë maskë.

Ani de.

T’i refuzojmë sot e me kokëfortësi maskat e vaksinat, që nesër me përulje t’i pranojmë respiratorët dhe maskat e oksigjeno-terapisë për Delta Plus!

Related posts

Kush janë heronjtë?

admin

Dështon opozita!

admin

Për dy vaksina!

admin