21.4 C
Los Angeles
August 10, 2022
DailyNews – MK
Rajoni

Të hënën paraqitja e parë e Thaçit para Gjykatës Speciale

Të hënën, më 9 nëntor, në orën 15:00 pasdite do të mbahet paraqitja e parë e presidentit të dorëhequr të Kosovës, Hashim Thaçi, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, transmeton Anadolu Agency (AA)

DHSK njoftoi se seanca e parë me presidentin e dorëhequr kosovar do të jetë publike.

“Gjatë paraqitjes së parë, gjykatësi i procedurës paraprake siguron që të respektohen të drejtat e të akuzuarit, ndër të cilat e drejta për përfaqësim ligjor dhe që i akuzuari të kuptojë akuzat kundër tij”, thuhet në njoftimin e DHSK-së.

Aktakuza kundër Thaçit u konfirmua më 26 tetor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.

Aktakuza e ngarkon presidentin e dorëhequr me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale.

Në një deklaratë të përbashkët për media udhëheqësit e Misioneve të Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë dhe të shteteve anëtare kanë vlerësuar “bashkëpunimin e treguar në ditët e fundit nga Thaçi dhe ish udhëheqësi i PDK-së, Kadri Veseli si dhe nga Rexhep Selimi dhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, me Dhomat e Specializuara”.

“Kjo pasqyron përgjegjësinë dhe vendosmërinë e Kosovës për respektim të sundimit të ligjit dhe për kërkim llogarie nga individët që mund të kenë kryer veprime të paligjshme. Nuk duhet harruar se sipas ligjit, individët nën aktakuzë janë të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre dhe se duhet të respektohen të drejtat e tyre ligjore. Kosova duhet të mbetet e përkushtuar ndaj këtij procesi”, shkruan në reagimin e tyre.

Tutje, i njëjti burim thekson se prioriteti më vendimtar për BE-në dhe shtetet e saj anëtare “është respektimi i sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.

“Për këtë arsye, ne e kemi mbështetur fuqimisht krijimin e Dhomave të Specializuara, si pjesë integrale e sistemit të Kosovës për sundimin e ligjit dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë derisa të përmbushet misioni i Dhomave, ndaj të cilave edhe Kosova është e përkushtuar. Kjo është esenciale për konsolidimin e perspektivës evropiane të Kosovës”, përfundon komunikata nga Udhëheqësit e Misioneve të BE-së dhe të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë.

Related posts

PD: 50% e bizneseve të rrezikuar nga monopolet

admin

Trump shkarkon zyrtarin që kundërshtoi pretendimet e tij për zgjedhjet

admin

Serwer: Është jetike t’i kthehemi një sistemi më të drejtë

admin