18.5 C
Los Angeles
November 29, 2021
DailyNews – MK
Shqipëri

SPAK pushon çështjen ndaj Dvoranit, reagon Presidenca

Pas më shumë se dy vitesh, Prokuroria e Posaçme vendos të mbyllë hetimet për padinë e Presidentit të Republikës Ilir Metaj ndaj ish-kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. SPAK vendos të pushojë çështjen në hetim, duke e dërguar në gjykatë për ligjërimin e vendimit.

Në lidhje me vendimin e SPAK, reagoi edhe zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi i cili theksoi se vendimi i sotëm është i papranueshëm dhe do të ankimohet. Blushi shkruan se kushdo që ka konsumuar vepra penale dhe ka abuzuar me ushtrimin e funksionit publik, qoftë ish-anëtar i Gjykatës së Lartë, ish-ministër i Drejtësisë, apo funksionar tjetër i lartë do të përgjigjet para drejtësisë.

“Faktet janë aty dhe veprimet e faktuara kriminale nuk zhbëhen dot, pavarësisht vlerësimit jo objektiv të SPAK për të mos u thelluar në hetimin e mekanizmit dhe bashkëpunimit kriminal dhe në arsyetimin krejtësisht të gabuar mbi rrethanat e faktit dhe elementëve të veprave penale të konsumuara nga shtetasit e kallëzuar”, shkruan Blushi.

Sipas tij, rëndësia e kësaj çështjeje nuk mund të sfumohet duke e zvarritur në kohë dhe as me hetime të cekëta, që derivojnë nga thelbi i çështjes.

“Edhe një trupë ndërkombëtare ekspertize si Komisioni i Venecias veproi më shpejt dhe më objektivisht se SPAK”, thotë zëdhënësi i Presidentit.

Ai shprehet se SPAK do mjaftonte t’i referohej gjetjeve dhe vlerësimeve të Komisionit të Venecias dhe do të gjente aty një vlerësim objektiv dhe një lexim të qartë të asaj që ligji dhe Kushtetuta sanksionon, ndërsa shton më tej edhe fajtorët se kush tentoi t’i rrëmbente Presidentit të drejtën e emërimit të gjyqtarit kushtetues, si dhe kush e la vendin 3 vjet pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë.

Në shkurt të vitit 2019 Presidenti Ilir Meta firmosi kallëzimin penal kundër kryetarit të atëhershëm të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, pasi e akuzonte për “shpërdorim detyre” dhe “përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”.

Presidenti Ilir Meta e ka akuzuar Dvoranin si ushtar të partisë, sulme që nisën gjatë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti dhe Parlamenti në bazë të listave me kandidatë të radhitur përmes një sistemi pikëzimi nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Krizë që ka çuar në zgjedhjen e dy gjyqtareve Kushtetuese për të njëjtin pozicion të lirë.

Presidenti e kallëzoi në tre prokurori kreun e KED-së për procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Meta thoshte se Dvorani qëllimisht dërgoi në të njëjtin ditë tek presidenti dhe Kuvendi dy lista njëherazi për dy vakanca, ndërkohë që Kushtetuta thotë se duhet ndjekur radha e zgjedhjes së anëtarëve, President-Kuvend-Gjykatë e Lartë.

Meta tha se kjo u bë qëllimisht nga kreu i KED, duke “detyruar” presidentin të mos respektojë afatin 30 ditor. Presidenti thotë se Dvorani ka shpërdoruar detyrën duke marrë një vendim individual dhe duke zgjedhur automatikisht Arta Vorpsin, vendim që e publikoi në Fletoren Zyrtare.

Related posts

Basha reagon për rritjen e numrit të azilkërkuesve: Duhet të marrë fund korrupsioni

admin

Rama: Lul është koha ta provoni në lëkurë atë që i keni bërë të tjerëve, nuk ma lejon edukata të merrem me ty moj gaxhie

admin

PS dhe PD, dakordësi për reformat/ Gjiknuri bashkëkryetar i komisionit të reformës zgjedhore

admin