22 C
Los Angeles
November 28, 2021
DailyNews – MK
Opinione

Skenarët dhe rrjedhojat e një krize të re në Bosnjë

Shkruan: Dritan Hoti

Ndonëse bën pjesë në regjistrin e krizave etnike, ajo që ka ndodhur në Bosnje-Hercegovinë diferencohet nëpërmjet disa karakteristikave prej një krize tipike etnike. Teksa në rastin e një krize të mirëfillte etnike, dy ose më shumë komunitete të ndryshme etnike futen në një konflikt historik të papajtueshëm, në rastin e Bosnjës bëhet fjalë për një popullsi me përkatësi të njëjtë etnike, por me besim të ndryshëm fetar, atë mysliman, ortodoks e katolik (boshnjakët, serbët dhe kroatët), si dhe një dinamike historike jo homogjene. Bosnje-Hercegovina, po ashtu si i gjithë Ballkani, u përfshi në skemat e rivaliteteve gjeopolitike e strategjike të fuqive apo perandorive evropiane të shtrira deri Evropën Juglindore apo të interesuara për të, duke nisur nga viti 1878 e në vazhdim. Pikërisht në Kongresin e Berlinit (1878) u përcaktua një klauzolë së cilës iu referua Perandoria Austro-Hungareze kur aneksoi Bosnje-Hercegovinën 3 dekada më vonë, më 1908, në momentin kur agjitacioni politik i Serbisë në Ballkan po bëhej gjithnjë e më shumë më agresiv.

Në të njëjtën kohë, ky mandat austro-hungarez mbi Bosnjën shkonte edhe kundër projeksioneve të atëhershme të Rusisë në Ballkan, e cila synonte një organizim të ri të sllavëve të jugut si një strukturë e kontrolluar dhe pikëmbështetëse e saj në këtë rajon. Kur ka munguar përfshirja e drejtpërdrejtë e fuqive të mëdha në rastin e Bosnje-Hercegovinës, kjo mungesë u ka lënë mundësi elementëve përbërës etnikë atje të hedhin poshtë çdo mundësi kohabitacioni etnik me njëri-tjetrin në emër të sensit të njëjtë të historisë me entitetet e shtetërore, me të cilat ato kanë përkatësi të njëjtë fetare. Ky ishte edhe shkaku i luftës civile që mbërtheu Bosnjën në vitet 1991-1994, duke arritur kulmin e krizës me krimet genocidare të kryera nga formacionet paramilitare serbe të Bosnjës, të përkrahura edhe nga Beogradi.

Ndryshe nga e shkuara historike, këtë radhë disi me vonesë ndërhyrja ndërkombëtare, e kryesuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, imponoi nëpërmjet marrëveshjes së Dejtonit në Ohajo, më 1995, një zgjidhje që mbështetej mbi një ndarje administrativo-institucionale proporcionale, në të cilën përfshihen që të dyja entitetet përbërëse të saj, Federata boshnjako-kroate (51 për qind) si dhe Republika Srpska (49 për qind).

Konfliktet etnike shënjohen në të shumtën e rasteve nga një konstante e cila përshkruan etapat e ndryshme të historisë, duke përfshirë edhe transformimet e mëdha ekonomiko-teknologjike që qëndron si e pandryshueshme. Ndjesitë e përkatësisë etnike, pra, ato kombëtariste – dhe në raste të caktuara me konotacion fetar – iu rezistojnë edhe tendencave transformuese të gjeopolitikës, si dhe formulave të reja të diplomacisë ndërkombëtare, saqë ato në të gjitha herët paraqiten në format e dinamikës së tyre tradicionale. Tensionet në rritje, të kohëve të fundit në Bosnjë – të simbolizuara në qëndrimet e liderit të Republika Sërpskës, Mirollad Dodik, e me frymëzimin e Beogradit, duket se favorizojnë projeksionet për implementimin e skemave aktuale të diplomacisë ruse në këtë rajon. Rusia – e cila edhe në ditët tona u qëndron modaliteteve tradicionale të politikës së saj të jashtme – synon në rajone të ndryshme të botës ndërtimin e vatrave ose një kordoni shtetesh të kontrolluara apo influencuara direkt prej saj.

Konkretisht në rastin e Bosnje-Hercegovinës, precedenti më i fundit – ai i konstituimit të një korpusi milicie të pavarur të serbëve të Bosnjës si dhe thirrjeve kërcënuese të liderit të tyre, Dodik – e bindën përfaqësuesin e lartë të komunitetit ndërkombëtar, ish ministrin konservator gjerman Christian Schmidt, që mban edhe lidhje të mira personale me Uashingtonin, që nëpërmjet një letre zyrtare të kërkojë një përforcim të trupave ushtarake ndërkombëtare në Bosnjë për të frenuar mundësisht një përshpejtim të një procesi shpërbërës atje. Në këto kushte, një rritje e menjëhershme e forcave ndërkombëtare në Bosnje-Hercegovinë në emër të ruajtjes së status quo-së do t’i shtynte serbët e alarmuar të kërkonin edhe një zmadhim edhe me domethënës të mekanizmave ushtarakë të Rusisë brenda tyre, duke e shndërruar Ballkanin perëndimor në një terren rivaliteti direkt ndërmjet shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat së fundmi kanë rikonfirmuar edhe njëherë garancinë e tyre në respektimin e Marrëveshjes së Dejtonit, si dhe Rusisë me interesa të kundërta me të.

Në këtë rast, natyra e rivaliteteve gjeopolitike në Ballkan nuk do të ishte analoge me përmbajtjen e krizës aktuale në Ukrainë – në të cilën Rusia ka lidhje të drejtpërdrejtë territoriale nëpërmjet enklavave ruse në pjesën lindore te saj – por do t’u ngjajë më shumë ballafaqimeve gjeopolitike e strategjike të Rusisë me Perandorinë Austro-Hungareze të fillimit të shekullit të kaluar. Më tej, precipitimi i prirjes që ka të bëjë me mosnjohjen e vazhdimit të integritetit të Bosnjës nga Republika Sërpska, do të ushqente një proces të rikonceptimit të çështjeve kombëtare në Evropën Juglindore të ngelura të papërfunduara që nga gjysma e dytë e shekullit të XIX, duke stimuluar skenarë të riformatimeve shtetërore në Ballkan. Përderisa përmasa dhe forca e “botës serbe” në Ballkanin Perëndimor nuk e garanton dot plotësisht një radikalizim të tillë ushtarak në këtë rajon, ajo, pra Serbia – e mbështetur nga Rusia – do të preferonin formulën tjetër të inkurajimit të ndryshimeve politike të brendshme në favor të tyre brenda kordonit të shteteve sllavo-ortodokse në Ballkanin Perëndimor, konkretisht në Malin e Zi e në Maqedoninë e Veriut.

Gjendja aktuale në Ballkan si dhe evoluimi i saj nuk përcaktohen aq shumë nga iniciativat që burojnë vetë brenda rajonit, por nga kompleksiteti i tendencave kryesore të gjeopolitikës ndërkombëtare, të cilat si rrjedhojë gjejnë jehonë direkte në këtë rajon. Vendndodhja, si dhe statusi i Bosnje-Hercegovinës – i cili në një pamje të parë duket fare i parëndësishëm – mund të shërbejnë si precedent i një radikalizmi të madh politik me rrjedhoja të kontrolluara prej ku lindin edhe ndryshimet domethënëse gjeopolitike për rajonin. Përtej kësaj, rasti i Bosnjës duket i ndryshëm prej ligjësive të historisë të cilat predikojnë se historia nuk përsëritet. Në Bosnjë e Hercegovinë duket se historia e përsërit veten e saj në një formë ciklike.

Related posts

A e din Artan Grubi se pas dorëheqjes së kryeministrit bie qeveria dhe ai nuk mund të përfaqësojë qeverinë?!

admin

Çështja e pazgjidhur e shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni

admin

SHBA-të, Kosova dhe Evropa

admin