24.3 C
Los Angeles
August 10, 2022
DailyNews – MK
Përzgjedhjе nga redaktori Rajoni

Shqipëria heton burgjet e supozuara të UÇK-së

Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, lidhur me debatet e fundit për Raportin e Dick Martyt ka kërkuar ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar, bazuar në nenin 77, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 24 të Rregullores së Kuvendit. “Nisur nga debatet e ditëve të fundit në media e më gjerë për një çështje tejet të rëndësishme për opinionin publik, vendas dhe të huaj në lidhje me Raportin e Dick Marty-t, të paraqitur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës (APKiE), mbi të cilin është miratuar Rezoluta 1782 (2011) e APKiE ‘Investigime të pretendimeve për trajtim çnjerëzor dhe trafik të paligjshëm organesh njerëzore në Kosovë’, proces ky i nisur që me mocionin për një rezolutë datë 15.04.2008, paraqitur nga anëtari i APKiE në atë kohë, Konstantin Kosachev , përfaqësues i Federatës Ruse, Grupi Evropian Demokrat, dhe duke marrë shkas nga: – shënimet e këtij raporti rreth rolit në luftën për çlirimin e Kosovës të disa drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në kërkesën drejtuar Kuvendit të Shqipërisë nga kryetari i Grupit parlamentar socialist Taulant Balla.

Me këtë komision, sipas tij, synohet të ketë një zbardhje të hetimeve lidhur me pretendimet për trajtim çnjerëzor dhe trafik të paligjshëm organesh njerëzore. Kjo iniciativë e Taulant Ballës vjen në vazhdën e qëndrimeve publike, nga ku ai ka kërkuar shpjegime nga Lulzim Basha se çfarë kontributi ka dhënë në hartimin e dosjeve kundër luftëtarëve të UÇK-së. Mediat në Shqipëri kanë intervistuar në vitin 2010 ekspertin e OKB-së Jose-Pablo Baraybar, i cili tregonte se në Shqipëri kishte hyrë si turist, dhe në Kukës, kur kërkonte për burgjet e UÇK-së, kishte shkuar së bashku me Lulzim Bashën. Në bazë të aktakuzës së lexuar të hënën në Hagë ndaj Hashim Thaçit dhe të martën ndaj Kadri Veselit, thuhet se këto krime përveçse në disa lokacione në Kosovë janë kryer edhe në Shqipëri, në disa vende të quajtura ndryshe dhe ”burgje” të UÇK-së, në veri të Shqipërisë , për disa prej të cilave janë akuzuar prej vitesh Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi etj., që aktualisht po përballen me gjyqin në Hagë.

Në politikën shqiptare është ngritur një tjetër debat, pasi kryeministri Edi Rama për disa herë i ka pyetur publikisht Sali Berishën dhe Ilir Metën se pse votuan pro Raportit të Dick Martyt në Këshillin e Evropës. Përmes një reagimi në Twitter kreu i Qeverisë, Edi Rama, bën me dije se Beogradi nuk e donte atë raport, duke akuzuar kryedemokratin Basha se i merrte në pyetje shqiptarët për llogari të Dick Martyt. “Lulëzim! Përgjigju për faktin që ke qenë bashkë me mjekun peruan në bërjen e dosjes për Shtëpinë e Verdhë! E thuaje çfarë mendon për votën e PD-LSI pro Raportit të Dick Marty!”, shkruan Rama në Twitter.

Në janar të vitit 2011, në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës u debatua rreth Raportit të ish-prokurorit zviceran Dick Marty. Delegacioni i Shqipërisë në Asamblenë e Këshillit të Evropës votoi pro rezolutës kur Sali Berisha ishte kryeministër dhe Ilir Meta zëvendëskryeministër. Sipas raportit të votimit të rezolutës së Dick Martyt, përfaqësuesi i Qeverisë së Berishës, Ilir Rusmali, votoi pro raportit, ndërsa Shpëtim Idrizi dhe Damian Gjiknuri ishin mes deputetëve që votuan kundër. Në fund të debatit, pro rezolutës votuan 169, ndërsa kundër ishin tetë euro-parlamentarë. Nga ana tjetër, opozita e ka sqaruar se Qeveria e kaluar nuk e ka votuar kurrë Raportin e Dick Martyt, por një rezolutë që kërkonte hetim për çështjet e ngritura në atë raport që e inkriminonte UÇK-në.

Related posts

Lista Shqiptare jashtë qeverisë së re në Malin e Zi, refuzojnë paktin nga Krivokapiçit

admin

Dy alpinistë shqiptarë, ngritën flamurin në majen më të lartë të Alpeve Stubai, Austri

admin

Personat me nevoja të veçanta kërkojnë kushtet për një jetë normale

admin