21.4 C
Los Angeles
August 10, 2022
DailyNews – MK
Përzgjedhjе nga redaktori Politika

Rritet numri i të infektuarve me Covid-19, është ulur vdekshmëria

Gati dyfish është ulur vdekshmëria, por në vazhdimësi po rritet numri i të sapoinfektuarve nga virusi korona në shtet. Dje janë regjistruar 1.275 të infektuar, ndërsa ndërruan jetë 13 persona që është rënie për dallim nga tre ditët paraprake kur kishim 22, 24 dhe 21 të vdekur si pasojë e virusit. Përqindja e të sapoinfektuarve nga Kovid-19 në raport me testimin po rritet, gjegjësisht 33, 37 dhe dje 38 për qind.

Presidenti dhe komandanti suprem i forcave të armatosura Stevo Pendarovski dje e urdhëroi Armatën që një pjesë të forcave dhe mjeteve t’i angazhojë si forca të paarmatosura për kryerjen e detyrave për mbështetje të institucioneve shtetërore gjatë përballjes me pasojat nga pandemia e virusit korona.

“Me këtë dekret i cili hyn në fuqi menjëherë, një pjesë e resurseve dhe mjeteve të armatës do të angazhohen si forca të paarmatosura në kryerje të detyrave për mbështetje të institucioneve shtetërore gjatë ballafaqimit me pasojat e pandemisë së Kovid-19”, kumtoi kabineti i Pendarovskit.

Sipas dekretit të presidentit Pendarovski, Shtatmadhoria do të angazhojë forca dhe mjete për mbështetje mjekësore të punës së institucioneve shëndetësore dhe qendra të Ministrisë së shëndetësisë, transportit të pajisjeve dhe mjeteve mjekësore dhe mbrojtëse.

Armata do të ndihmojë edhe në sigurimin e hapësirës së depos për deponim të pajisjeve dhe mjeteve shëndetësore dhe mbrojtëse, vendosje të tendave dhe lloj tjetër të kapaciteteve akomoduese të destinuara për shërim të personave të sëmurë, si dhe për dezinfektim të hapësirave dhe sipërfaqeve.

Në klinikat dhe spitalet në shtet, sipas të dhënave të djeshme të Ministrisë së Shëndetësisë, janë hospitalizuar gjithsej 887 pacientë prej të cilëve 130 janë në mbështetje oksigjeni. Kjo gjendje e përmbushjes së kapaciteteve në katër ditët e fundit po rritet për shtatë deri në 12 pacientë në nivel ditor.

Nga spitalet e përgjithshme informojnë se janë të gatshëm që t’i përshtatin repartet për pranim të pacientëve nëse ka nevojë për këtë.

Drejtori i spitalit të Strugës Muhamed Asani, dje informoi se janë të hospitalizuar 18 persona pozitivë ose me simptoma të virusit korona dhe se në repart kanë 32 shtretër, të cilët nëse përmbushen, do të bëhet përshtatje në reparte të tjera.

“Nëse përmbushen shtretërit e paraparë të Repartit Intern, do ta adaptojmë Repartin e Fëmijëve. Gjithnjë kemi opsion rezervë”, tha drejtori.

Që nga fillimi i pandemisë në Strugë dhe rajonin e Strugës kanë ndërruar jetë 75 persona si pasojë e komplikimeve nga virusi korona.

Në Strumicë prej dje nëntë mjekë dhe infermiere dhe tre teknikë të Spitalit të Përgjithshëm janë në izolim pasi ishte konfirmuar se janë pozitivë në virus korona. Për këtë, drejtori i spitalit Naqe Gogov informoi se është e pasigurt se kur do të hapet repart shtesë për pranim të pacientëve me kovid në krahun e ri të spitalit.

Në Spitalin e Strumicës për momentin po mjekohen 100 pacientë, prej të cilëve 45 janë hospitalizuar, ndërsa 55 të tjerët po mjekohen me pranimin e terapisë në spitalin ditor.

Në Klinikën Universitare për Radiologji pozitiv në Kovid-19 janë katër të punësuar mes të cilëve edhe drejtori Daniel Gjurçinov. Të gjithë janë në gjendje të mirë dhe në trajtim shtëpiak, konfirmuan për MIA-n nga Ministria e Shëndetësisë.

Theksojnë se në Klinikë nuk ka ngecje në punë, sepse prej katër të sëmurëve, dy janë të punësuar në administratë, ndërsa një është teknik medicinal.

Masat e reja të Qeverisë për parandalim të përhapjes së Kovid-19 janë aktive. Është e obligueshme të mbahen maskat. Mbajtja e maskës në vend të hapur ka përjashtime gjatë sportimit në hapësira të hapura, gjatë vozitjes në veturë private, nëse shoferi është vet ose me person me të cilin jeton në bashkësi, gjatë qëndrimit në oborr të shtëpisë familjare me persona të bashkësisë së njëjtë familjare ose në objekt hotelierik ku po zbatohen protokollet specifike për mbrojtje.

Objektet hotelierike punojnë deri në orën 21. Është i ndaluar grupimi i më shumë se katër personave në hapësirë publike pas orës 21 si dhe lëvizja në hapësirë publike nëse qytetarët nuk kanë nevoja të rëndësishme dhe të panevojshme. Rekomandohet që qytetarët të mos grupohen në shtëpi me rastin e ahengjeve familjare, festave ose tubime të tjera në grupe më të mëdha se katër persona të cilët nuk jetojnë në bashkësi të njëjtë.

Related posts

Kyuchyuk: Мe politikën e bllokimit nuk do të ketë fitues, të gjithë do të humbasin

admin

Pensionistët kërkojnë përparësi gjatë vaksinimit kundër Covid-19

admin

Kanadaja mund të miratojë vaksinën për Covid të PFIZER rreth dhjetorit

admin