17 C
Los Angeles
October 3, 2022
DailyNews – MK
Maqedoni TOP LAJM

Referendumi për Kornizën e bisedimeve – qëndrim real i qytetarëve apo manipulim etno-politik

Shkup, 6 gusht – Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE javën e kaluar njëzëri miratoi vendim për pranimin e “iniciativës për referendum dhe deklarim popuallor në raport me pjesët e dëmshme” të dokumenteve për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin në BE, të cilat, sipas partisë, përfshijnë “asimilimin e plotë, ndryshimin e historisë dhe bullgarizimin”.  Nga kjo partia atëherë paralajmëruan periudhë të procesit të gjerë të konsultimit me opinionin ekspertë dhe shoqëror për natyrën, karakterin dhe formulimin e deklarimit të referendumit, qëllimi përfundimtar i së cilës, siç thonë ata, është “kundërshtim popullor ndaj shpërfytyrimit të identitetit”.

Disa ditë më vonë, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, paralajmëroi konsultime rreth formës së referendumit – të detyrueshëm apo konsultative, për datën e mbajtjes eventuale të tij, se kush do ta iniciojë atë – deputetë apo do të mblidhen nënshkrimet e qytetarëve , si dhe nëse duhet t’i referohet Kornizës së bisedimeve në tërësi apo vetëm pjesës së saj që përmend Marrëveshjen dypalëshe të fqinjësisë së mirë dhe miqësisë të lidhur pesë vjet më parë me Bullgarinë. Sipas tij, të gjitha këto dilema mund të kristalizohen deri në shtator, kur do të vazhdojnë bisedimet me partnerët e koalicionit dhe konsultimet.

Mickoski theksoi se sovraniteti rrjedhë nga qytetarët dhe nëse pushteti është e urtë dhe nëse realisht e vlerëson mendimin e qytetarëve, duhet të tregojë kapacitet demokratik dhe të pranojë deklarim referendumi për Kornizën e bisedimeve.

Sipas profesoreshës nga Fakulteti Juridik “Justinian i parë” në Shkup, dr. Ana Çupeska, aspekti procedural i vetë iniciativës për referendum që po promovohet nuk është aspak i diskutueshëm, por motivet pas gjithë kësaj historie janë jashtëzakonisht të dyshimta dhe në gjithë këtë, përveç etnopopulizmit, ajo nuk mund të dallojë asgjë konstruktive.

“Është shumë i rëndësishëm një dimension tjetër fundamental në çdo referendum, pavarësisht nëse organizohet te ne apo kudo në botën demokratike. Ky dimension lidhet me faktin se referendumi nuk duhet të jetë mjet për të bërë pikë populiste, e me këtë rastë të mos u bëhen të ditura qytetarëve pasojat reale të vendimeve që do t’i marrin. Prandaj, pa marrë parasysh se cili është vendimi, respektivisht rezultati i tij, aktorët politikë duhet t’i bëjnë të ditura qartë dhe saktë opsionet, pasojat dhe përfitimet. Do të thosha se është e rrezikshme shpallja e referendumit në atmosferë të ndezur dhe nën emocione të forta, e sidomos në kushtet e kaosit të dezinformimit, meqë, në rrethana të tilla, qytetarët mund të mos rezonojnë në mënyrë racionale kur marrin vendime. Me fjalë tjera, është e rëndësishme të dihet saktësisht se për çfarë merret vendim, cilat janë efektet afatgjata të tij dhe pasojat apo përfitimet”, shprehet Çupeska në bisedën për MIA-n.

Referendum i detyrueshëm ose konsultativ

Shkenca e përkufizon referendumin si formë të deklarimit të drejtpërdrejt të qytetarëve për akt të caktuar juridik ose për marrjen e një vendimi të caktuar me rëndësi të veçantë dhe paraqet institucionin më të rëndësishëm dhe më të përhapur të demokracisë së drejtpërdrejt, respektivisht demokracisë së drejtpërdrejtë në botë. Në teori njihen dy lloje themelore të deklarimit në referendum – të detyrueshëm, respektivisht detyrues dhe fakultativ, respektivisht konsultativ.

Siç sqaron Çupeska, “detyrueshmëria” e referendumit nuk nënkupton që votimi është i detyrueshëm, por më tepër se vendimi i marrë nga qytetarët gjatë votimit është i obligueshëm, pra i detyrueshëm, derisa karakteri “konsultativ” i një referendumi nuk nënkupton vendim- , por më tepër mund të thuhet se është shprehje mendimi për çështje të caktuara.

Si rrjedhojë, nëse VMRO-DPMNE përcaktohet të iniciojë një referendum “konsultativ”, kjo do të thotë se qytetarët gjatë deklarimit do të shprehin vetëm qëndrimin dhe mendimin e tyre për pyetjen e parashtruar përkatëse, pa pasur me këtë rast pasoja juridike. Nga anën tjetër, nëse vendosin për referendum “të detyrueshëm”, ashtu siç, sipas Mickoskit, preferon partia, atëherë do të ngriheshin një sërë çështjesh të tjera.

Profesoresha Çupeska përkujton se në Kuvend tashmë janë miratuar konkluzionet për Kornizën e bisedimeve dhe për këtë arsye nuk sheh arsye reale se pse do të dilnin sërish në referendum për poziione tashmë të miratuara në Kuvend.

“Prandaj, do të përqendrohem në atë që është me rëndësi thelbësore – me fjalë tjera, nëse referendumi do të jetë për disa tema abstrakte dhe të pazbatueshme apo për gjëra konkrete dhe të zbatueshme. Për shembull, një referendum që i referohet një pjese të dokumenti që është miratuar në BE, e për të është prononcuar Kuvendi,  nuk mund të jetë temë reale që varet nga ne. Nëse e bëjmë këtë, thelbi është se ne po dërgojmë porosi për ndërprerjen e bisedimeve, po dërgojmë porosi se nuk duam të jemi në BE. Por nëse ky është qëllimi i VMRO-DPMNE-së, duhet ta artikulojnë sinqerisht qëllimin e tillë, e jo të manipulojnë me “çështjen” dhe me vetë procedurën e referendumit. Kjo nuk është në rregull dhe në fakt është jashtëzakonisht e papërgjegjshme”, shton Çupeska.

Sipas saj, organizimi i referendumit për dokument siç është Korniza e bisedimeve, e cila tashmë është harmonizuar nga BE-ja, për të cilën Kuvendi ka miratuar konkluzione dhe Qeveria e ka aprovuar, është “non sense”.

“Prandaj është e rëndësishme të mos manipulohet me çështjen e referendumit. Nismëtarët në këtë kuptim duhet të jenë në lartësinë e detyrës dhe të deklarojnë qartë dhe saktë se cili është qëllimi i tyre dhe të mos fshihen pas historive populiste”, shton Çupeska në bisedën për MIA-n.

Referendum për kornizën e bisedimeve ose për anëtarësimin e vendit në BE

Presidenti Stevo Pendarovski javën e kaluar bëri të ditur se nuk ka kurrfarë mirëkuptimi për kërkesën e VMRO-DPMNE-së për referendum, duke vlerësuar se bëhet fjalë për manipulim që Mickoski po e bën dukshëm papritur, me qëllim të mobilizimit politik të anëtarësisë së tij. Megjithatë, sipas tij, nëse opozita këmbëngul në idenë e referendumit, atëherë pyetja e referendumit duhet të jetë: “A doni të shkoni në BE nën këto kushte”.

“Me sa kuptoj unë, pyetja nuk do të jetë për ndryshimet kushtetuese, por për marrëveshjen dypalëshe me Bullgarinë dhe pse ai përfshihet brenda. Nëse dikush nuk e kupton se kjo marrëveshje dypalëshe, por edhe me Greqinë, janë boshti nëpër të cilin vazhdojmë drejt Evropës dhe dëshiron që ajo të largohet, është më e ndershme që pyetja e referendumit të jetë: “A doni të shkoni në BE nën këto kushte?”. Pa përmendur marrëveshje, pika… Opozita të dalë me një formulim të sinqertë dhe nëse është kjo pyetja , të gjitha partitë të dalin në referendum, e jo të bojkotojnë”, deklaroi Pendarovski.

Pas qëndrimit të këtillë të kreut të shtetit, lideri i VMRO-DPMNE-së, Mickoski deklaroi se “konsultimet me ekspertë dhe brenda partisë për çështjen e referendumit po kthehen drejt asaj që e tha presidenti Stevo Pendarovski”. “Bazë e mirë për këtë pyetje është nëse qytetarët duan që nën këto kushte të anëtarësohen në BE dhe në bazë të kësaj mund të arrihet konsensus për atë se se duhet të thuhet”, tha Mickoski.

Profesoresha Çupeska në bisedën për MIA-n deklaroi se nuk dëshiron të hyjë në detaje rreth formulimit të pyetjes së referendumit, por bëri të ditur se ajo që po e tregon presidenti Pendarovski duket se lidhet së pari, me shkakun dhe së dyti, me epilogun nga referendumi eventual.

“Ai ka të drejtë kur thotë se duhet thënë sinqerisht pse do të mbahej ai referendum. Qytetarët duhet të kenë pasqyrë të qartë për “ditën më pas”, për drejtimin e shtetit dhe të gjitha efektet e mëtejshme nga ai. Pikërisht këtë poentë të presidentit dua të veçoj, meqë pikërisht këtu qëndron thelbi”, shton Çupeska.

Sipas kryeministrit Dimitar Kovaçevski, në kushtet kur vendi filloi rrugën e anëtarësimit në BE, një referendum i tillë është i parëndësishëm dhe është më shumë për përdorim të brendshëm partiak të VMRO-DPMNE-së.

“Ky shtet nga dita e mbajtjes së Konferencës së parë ndërqeveritare, e filloi rrugën drejt anëtarësimit në BE. Nga kjo rrugë nuk ka kthim mbrapa, as në të majtë, e aq më pak në të djathtë, respektivisht ndaj lindjes, kështu që është krejtësisht  jorelevante kërkesa e VMRO-DPMNE-së për njëfarë referendumi, që duhet të jetë deklirim kundër anëtarësimit në BE”, deklaroi Kovaçevski.

Euroambasadori Dejvid Gir i pyetur për koment për idenë për referendum deklaroi se ky është vendim sovran që mund të merret nga vendi, por se me këtë rast ndoshta mund të kthehemi mbrapa dhe të shohim pasqyrën e madhe.

“Zgjedhja strategjike që ky vend e ka bërë për shumë vite është hyrja në BE dhe tashmë procesi ka nisur. Pse është e rëndësishme? Ka shumë arsye të qarta pse ky vend do të përfitojë nga anëtarësimi në BE dhe BE-ja do të ketë përfitim nga ajo që do t’ju ketë pjesë të familjes”, vlerësoi Gir, duke shtuar se megjithatë i mbetet  VMRO-DPMNE-së të vendosë pozicionin e saj për këto çështje dhe se është i gatshëm të bisedojë me të gjithë partnerët që janë të përkushtuar në rrugën e integrimit evropian.

Profesor Çupeska konsideron se iniciatori i referendumit duhet të jetë i përgjegjshëm, i ndershëm, të vendosë populizmin në “stand by” dhe të pranojë përgjegjësitë,  e me këtë edhe të ofrojë një zgjidhje të qartë, alternativë, plan B.

“Për momentin, ata nuk e bëjnë këtë, përkundrazi po krijojnë konfuzion. Të mos harrojmë se këtë rrugë ku po ecim – qëllimet strategjike NATO dhe BE, kemi 30 vjet që e ecim. Kemi ndërmarrë shumë reforma që nuk na kanë pëlqyer, por i kemi pranuar për hir të së ardhmes më të mirë. Për shkak të përcaktimit tonë euroatlantik. Ai që do të ndalonte këtë rrugë të vështirë, do të duhet të marrë përgjegjësinë për gjithçka më parë, të sqarojë për perspektivat si vijon, veçanërisht të sqarojë mundësinë dhe alternativat dhe përfitimet që i marrin në shoqërinë e BE-së. Dhe anasjelltas, për të shpjeguar se cilat janë dhe çfarë janë alternativat tjera, por edhe për të vënë në dukje dhe parashikuar pasojat e ndryshimit të tillë të kursit – sidomos duke marrë parasysh fërkimet gjeopolitike dhe rreziqet që lidhen me këtë. Nuk duhet anashkaluar kjo”, shton Çupeska.

Rruga evropiane e vendit dhe ndryshimet kushtetuese

Me mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare dhe seancën e parë të skriningut më 19 korrik në Bruksel, vendit iu hap rruga drejt BE-së dhe tani i duhet vetëm zbatimi i detyrimeve nga e gjithë pakoja, e ato mes  tjerash përfshijnë edhe amendamentet kushtetuese dhe përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, si kusht për fazën tjetër të procesit të bisedimeve – bisedime sipas klasterëve dhe kapitujve.

Me ndryshimet kushtetuese në Preambulë dhe në Amendamentin XII të Kushtetutës, duhet të përfshijmë bullgarët dhe bashkësitë tjera të interesuara. Në përputhje me zotimet e marra, në preambulën pas tekstit “Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, populli maqedonas, si dhe qytetarët që jetojnë brenda kufijve të saj, të cilët janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vllah, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak…” duhet shtuar , edhe “popullit bullgar” dhe ekziston mundësia e shtimit të pjesëtarëve të kombeve të tjera që jetojnë në vend, për çka tashmë treguan interesim kroatët, malazezët dhe egjiptianët.

Krahas kësaj, në Amendamentin XII të Kushtetutës, i cili i referohet Komisionit për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, përveç emërimit të anëtarëve nga radhët e maqedonasve, shqiptarëve, turqve, vllehëve, romëve, serbëve dhe boshnjakëve, do të duhej të përfshihen edhe ata popuj që do të përfshihen në Preambulë.

Mirëpo, ndryshimet në Kushtetutë ose në pjesën e saj, në përputhje me nenin 131, miratohen nga Kuvendi me dy të tretat e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së tashmë ka bërë të ditur se nuk do të votojë për ndryshime të tilla kushtetuese “nën shantazh”, dhe pa mbështetjen e këtyre deputetëve apo së paku disa prej tyre, Kuvendi nuk do të mund të sigurojë shumicë prej dy  të tretave ose 80 vota për ndryshimet kushtetuese. Gjithsej 44 deputetë të Koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE-ja kanë bërë të ditur se kanë nënshkruar deklarata të noterizuara, si “garanci për popullin se me ndërgjegje të pastër dhe ndërgjegje të shëndoshë nuk do të pranojnë ndryshimin e Kushtetutës”.

Lidhur me deklaratat e tilla të noterizuara të deputetëve, Dr. Çupeska në bisedën për MIA-n bëri të ditur se ato në tërësi përputhen me “kursin etnopopulist të bërë nga VMRO-DPMNE” dhe në të njëjtën kohë partia blen kohë për ta mbajtur gjallë temën etnopopuliste dhe t’u sqarojnë anëtarëve të partisë se nuk është aq e thjeshtë siç promovojnë ata.

“Duket se nuk janë plotësisht të sinqertë as me anëtarësinë e tyre. Përveç kësaj, ata defokusohen nga temat thelbësore që lidhen me Kornizën e bisedimeve dhe veçanërisht mendoj se i frikësohen integrimit të shpejtë në CSDP (Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë) dhe nevojës për të luftuar me vendosmëri kundër dezinformatave, që janë kushte kyçe në Kornizën e bisedimeve. Ata nuk kanë ndërmarrë ende asnjë masë për këto dy kushte, përkundrazi, po bëjnë të kundërtën, për çka edhe u paralajmëruan dy herë nga (Komisioneri i Zgjerimit Oliver) Varheji. Në Kornizën e bisedimeve, po ashtu, shkruan se bisedimet do të jenë të vështira dhe rigoroze, e kjo do të thotë se tek tani na presin punë dhe përgjegjësi serioze”, shton Çupeska.

Përvoja maqedonase me referendumet

Që nga viti 1990, në vend janë organizuar tre referendume në nivel shtetëror. Sipas Ligjit për referendum dhe formave të tjera të deklarimit të drejtpërdrejtë të qytetarëve, referendumi në nivel shtetëror thirret nga Kuvendi me iniciativën e tij ose me propozimin e së paku 150.000 qytetarëve.

Referendumi i parë u mbajt në prag të shpërbërjes së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, më 8 shtator të vitit 1991, kur qytetarët, me vendim të Kuvendit, shprehën mendimin e tyre për pyetjen e referendumit: “A jeni për një Maqedoni të pavarur me të drejtën për të hyrë në federatë të ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë?”

Pavarësisht bojkotit të paralajmëruar të partive të atëhershme udhëheqëse të shqiptarëve – Partisë për Prosperitet Demokratik (PDP) dhe Partisë Demokratike Popullore (PDP), pjesëmarrja në referendum ishte 75,74 për qind dhe nga numri i përgjithshëm i qytetarëve që shfrytëzuam të drejtën e tyre votuese 96,46 për qind i janë përgjigjur pozitivisht pyetjes së referendumit.

Pas kësaj, vullneti i qytetarëve për shtet të pavarur u konfirmua zyrtarisht më 18 shtator të vitit 1991 me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit të miratuar në Kuvend dhe u shpall pavarësia.

Referendumi i dytë u mbajt më 7 nëntor 2004 në lidhje me Ligjin për organizimin territorial të vetëqeverisjes lokale në Republikën e Maqedonisë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 55/04, 16.08. të vitit 2004). Ai u mbajt me propozimin e 180.454 qytetarëve me të drejtë vote, me iniciativë të Kongresit Botëror Maqedonas, në të cilin qytetarët iu përgjigjën pyetjes së referendumit “A jeni për organizimin territorial të vetëqeverisjes lokale (komunat dhe Qyteti i Shkupit) i themeluar me Ligjin për ndarjen territoriale të Republikës së Maqedonisë dhe përcaktimin e sipërfaqeve të njësive të vetëqeverisjes lokale (“Gazeta zyrtare e RM” nr. 49/96) dhe Ligji për Qytetin e Shkupit (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 49/96)?”.

Blloku opozitar i udhëhequr nga VMRO-DPMNE qëndroi prapa nismës për referendumin, ndërsa koalicioni qeverisës i udhëhequr nga LSDM ishte kundër nismës për referendum, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos votojnë në referendum me sloganin: “Disa pyetje nuk meritojnë përgjigje”. Edhe bashkësia ndërkombëtare u shpreh negativisht ndaj iniciativës së referendumit, ku më e zëshme ishte SHBA-ja, e cila dy ditë para referendumit e njohu vendin me emrin e atëhershëm kushtetues Republika e Maqedonisë.

Të drejtën e votës në referendum e kanë shfrytëzuar vetëm 26.58 për qind e votuesve të regjistruar, gjë që nuk ka përmbushur kushtin për suksesin e referendumit sipas ligjit, i cili përcakton se në të duhet të votojnë më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të qytetarëve të regjistruar në listën e zgjedhësve.

Ndryshe nga këto dy referendume, të cilat ishin të detyrueshme, respektivisht obliguese, referendumi i tretë ishte konsultativ. Ai u mbajt më 30 shtator të vitit 2018 në lidhje me Marrëveshjen e Prespës, me të cilën ndër të tjera u ndryshua emri zyrtar i shtetit nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut. Në pyetjen e referendumit thuhej: “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO me pranimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?

Partitë e koalicionit qeverisës të udhëhequr nga LSDM-ja, si dhe partitë e shqiptarëve deklaruan mbështetjen e tyre për çështjen e referendumit, ndërsa VMRO-DPMNE fillimisht kërcënoi me bojkotimin e referendumit, por në fillim të shtatorit Mickoski lëshoi një deklaratë ku inkurajoi qytetarët të votojnë sipas bindjes së tyre, duke paralajmëruar se partia do të respektojë mendimet ndryshe. VMRO-DPMNE nuk mori pjesë zyrtarisht në fushatën e referendumit, edhe pse disa anëtarë të lartë partiakë deklaruan bojkotimin e referendumit, ndërsa presidenti i atëhershëm Gjorge Ivanov, i cili ishte zgjedhur si kandidat i kësaj partie, dënoi Marrëveshjen e Prespës një javë para votimi dhe bëri thirrje për bojkotimin e deklarimit në referendum.

Në fund referendumi u shpall i dështuar, pasi pjesëmarrja ishte 36.91 për qind. Nga ata që votuan në referendum, 94,18 për qind votuan “pro”, gjë që koalicioni qeverisës e interpretoi si “fitore” dhe pranim të marrëveshjes së Prespës, ndërsa nga ana tjetër, opozita VMRO-DPMNE pretendoi se niveli i ulët pjesëmarrja dhe “bojkoti i shumicës së qytetarëve” është dëshmi se ata nuk e mbështesin Marrëveshjen.

Pyetjes së MIA-s, nëse pas përfundimit të gjithë procesit të bisedimeve duhet të organizohet referendum i mundshëm për anëtarësimin e vendit në BE, Dr. Çupesca thotë se nuk mendon se duhet referendum për këtë çështje.

“Kjo është rrugë që e kemi ndjekur prej 30 vitesh. Për këtë perspektivë u pajtuan me konsensus të gjitha subjektet politike edhe në kohën e pavarësisë, dhe ky kurs në fakt na mbajti gjallë. Nëse do të bëhej një referendum për këtë çështje, duhet të ndodhte 30 vjet më parë, e jo sot, kur është investuar edhe kohë, edhe energji, edhe burime e shumë gjëra të tjera, të mos i numëroj. Është e pandershme të pyesësh për këtë tani pas 30 vitesh. Investimi është i madh”, përfundon Çupeska.

Related posts

98 raste të reja me Covid

admin

Koment: A do ta ketë Vesel Memedi “këmbën e lehtë” në diplomaci?

admin

BDI nesër mbledh Këshillin e Përgjithshëm për zhvillimet e fundit politike

admin