Kanë mbetur edhe dy ose tri ditë, deri tek përfundimi i numrimit të votave nga diaspora dhe atyre me kusht. Gjithashtu rinumërimi i rreth 500 vendvotimeve, pastaj edhe certifikimi i rezultateve nga ana e KQZ-së.
E derisa procesi në fjalë po shkojë drejt fundit, pritet të sjelli edhe disa risi.
Në anën tjetër, subjekti fitues i këtyre zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të ndihet komod me rezultatet të cilat vazhdojnë të rriten nga votat e diasporës.
Ndërkohë subjektet tjera kanë filluar të frikësohen në rënie e rezultatit e humbje deputetësh. Madje, njëra nga ato ka filluar të përjetojë makth me idenë se po e humb edhe pragun të cilin e kishte kaluar. Krejt kjo, në bazë asaj që po shihet nga numërimi i votave nga jashtë, atyre me kushte dhe tashmë edhe rinumërimi.
Sipas informacioneve të “Syri.net”, VV-ja do t’ia mësyjë e vetme t’i krijojë krejt institucionet pasi që deri tash kanë numra të mjaftueshëm, rreth 63 me dy subjekte minoritare që të zgjedhin Kryeministrin, Kryeparlamentarin e Presidentin.
E në anën tjetër “Syri.net” nga burimet e saja ka mësuar se, gjatë zgjedhjes së Presidentit pritet të ketë kuorum me mbi 80 deputetë.
Përveç LDK-së, ku disa deputetë kanë paralajmëruar edhe votën e tyre për liderët e këtyre institucioneve.
E mbështetje e kuorumit mund të jetë edhe nga subjektet tjera, por që nuk dihet nëse do ta votojnë Presidentin.
Mandatari i Qeverisë pritet të jetë Albin Kurti, Kryeparlamentar Glauk Konjufca dhe Presidente Vjosa Osmani.
Gjatë shumë intervistave Albin Kurti ka përsëritur se përveç Listës së Vjosa Osmanit, partia e tij nuk sheh partnerë tjerë të mundshëm në asnjë nga partitë e “regjimit të vjetër”.
Ai shprehu synimin e tij për të kërkuar mbështetje nga përfaqësuesit e pakicave joserbe dhe ligjvënësit individualë të opozitës që vendosin të përfaqësojnë zgjedhësit e tyre më shumë sesa partitë të cilave u përkasin.
Zëdhënësi i PDK-së Avni Bytyqi, tha për “Syri.net” se Partia Demokratike e Kosovës do të jetë në opozitë, duke respektuar procesin zgjedhor.
“Ne kërkojmë që qeveria të formohet sa më parë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve”, tha Avni Bytyqi.
Sipas tij çështja e Presidentit është herët për të diskutuar.
“Presim një herë konstituimin e Kuvendit, pastaj me radhë PDK-ja do të ketë qëndrime zyrtare në raport me qeverinë dhe Presidentin/en e vendit”.
Fikrim Damka, kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës,tregoi për “Syri.net”, se ky subjekt gjithnjë ka qenë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Ai tregoi se kanë fituar dy mandate deputeti dhe se nuk do të jenë pengesë e proceseve të rëndësishme të Kosovës.
Derisa tha se kërkesat e këtij subjekte ende nuk i kanë bërë.
Edhe Emilia Regjepi kryetare e Partisë së Re Demoktraike Boshnjake, tha për “Syri.net” se deputetet e ardhshme e Kuvendit të Kosovës do ta votoj për kryeministër Kurtin, Kryeparlamentarin Konjufca dhe Presiente Osmanin.
Derisa, Nenad Rashiq, kryetar i Partisë Demokratike Progresive Serbe, i cili ishte edhe pjesë e Qeverisë Kurti në të kaluarën ,tha për “Syri.net”, se akoma nuk e di se a do të jenë pjesë e institucioneve të reja.
Nga ana tjetër zyrtarë nga AAK-ja nuk kanë dashur të flasin për “Syri.net”, lidhur me krijimin e institucioneve, duke thënë se janë duke pritur procesin e numërimit të votave nga diaspora dhe atyre me kusht.
As nga LDK-ja nuk kanë dashur të flasin rreth kësaj çështje.
edhe kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq nuk është lajmëruar për “Syri.net”, lidhur me kërkesat e tyre për t’u bërë pjesë e institucioneve edhe pse e kanë të sigurt pjesëmarrjen.