15.8 C
Skopje, NM
27/10/2021
DailyNews.mk
Përzgjedhjе nga redaktori Rajoni

Presidenti Meta dekoron mundësit e shquar me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”

Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Republikës SH.T.Z. Ilir Meta dekoroi katër mundësit e shquar Fuat Brahi, Alfred Bardeli, Shkëlqim Troplini dhe Hysen Omi me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh’’.

Kreu i Shtetit e vlerësoi z.Fuat Brahi, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e shquar në sportin e mundjes së lirë, sportist i Klubit sportiv ‘Teuta’ dhe Ekipit Kombëtar. Sportist kampion dhe trajner i rezultateve në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.”

Trajneri dhe kampioni i mundjes klasike z.Hysen Omi u dekorua me motivacionin “Në shenjë vlerësimi për punën e palodhur dhe rezultatet e larta në mundjen klasike. Sportist e trajner i talentuar, me rezultate të shkëlqyera, të arritura në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Mundësi i shquar, z.Alfred Bardeli, ju akordua Titulli i lartë, me motivacionin “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e shquar në sportin e mundjes. Sportist i talentuar me rezultate të larta të arritura në veprimtarinë kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Ndërsa sportistit të mirënjohur, z.Shkëlqim Troplini, Titulli “Mjeshtër i Madh” ju akordua “Për kontributin dhe talentin e spikatur në arritjen e rezultateve të larta në sportin e mundjes së lirë, me ekipin sportin ‘Teuta’, si dhe në përfaqësimin me denjësi të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”.

Duke iu drejtuar, kampionëve të sportit të mundjes, familjarëve dhe personaliteteve të pranishëm Presidenti Meta mbajti fjalimin:

“Është një privilegj dhe kënaqësi e veçantë të jem me këtë komunitet të mrekullueshëm dhe me këto personalitete kaq të nderuara, jo vetëm me ju që dekoroheni, por me të gjithë, që kanë ardhur për të nderuar kolegët e tyre, pasi të gjithë keni ngritur lart vlerat dhe imazhin e kombit dhe keni lënë gjurmë në sportin dhe në krenarinë tonë.

Kam nderin të vlerësoj disa nga mundësit tanë më të shquar, që me rezultatet e tyre dinjitoze kanë bërë histori në sportin e mundjes, brenda dhe jashtë vendit.

Mundja është një ndër sportet më të vjetra në historinë e njerëzimit.

Mjeshtra si Fuat Brahja, Alfred Bardeli, Shkëlqim Troplini dhe Hysen Omi, na kanë dhuruar emocione e rezultate, me të cilat gjithmonë ndjehemi krenarë.

Fuat Brahi një mundës cilësor i qytetit bregdetar të Durrësit dhe ekipit kombëtar.

Në 10 vite ai shpallet kampion kombëtar në stilin e lirë dhe nga viti 1979, në 1984, ai është fitues i medaljeve të Arta, në disa spartakiada kombëtare.

Fuat Brahi ka një karrierë të suksesshme edhe si trajner i mundësve më të rinj, të cilët shkëlqyen më pas si, Shkëlqim Troplini dhe Sahit Prizreni, veçanërisht me rezultatet e tyre në Lojërat Olimpike 1996 dhe 2008.

Një tjetër mundës i suksesshëm, përsëri nga Durrësi është Shkëlqim Troplini, i ekipit “Teuta” dhe anëtar i Ekipit Kombëtar, 13 vite radhazi kampion në kategorinë e tij dhe në vitin 1996 fiton normat ndërkombëtare për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike të Atlantës, SHBA.

Sukseset e tij vazhdojnë edhe në vitet 1990 – 2003, ku ai fitoi 2 medalje Argjendi në veprimtaritë ndërkombëtare.

Nderojmë sot edhe sportistin e njohur të Shkodrës dhe vendit tonë, zotin Alfred Bardeli, një mundës me karakter të fortë, i përgatitur fizikisht dhe me një teknikë për t’u admiruar.

Me një karrierë të mbushur me tituj kampionë e medalje pafund, sikurse janë fitimi i shumë titujve me të rinjtë edhe me ekipet e tjera.

Historia e sukseseve të tij është e njohur jo vetëm me “Vllazninë” ku doli 7 herë Kampion kombëtar, por njëkohësisht edhe si fitues i shumë kupave dhe trofeve të tjera.

Bardelit nuk i mungojnë dhe medaljet e Arit, të cilat i ka fituar në disa spartakiada kombëtare. Ai ka qenë gjithmonë i suksesshëm dhe ka gëzuar mirënjohjen jo vetëm të sportdashësve të qytetit të tij të lindjes, por njëkohësisht të mbarë vendit.

Një tjetër sportist, në mundjen klasike, i spikatur për rezultate të larta, është Hysen Omi.

Aktivitetin e tij sportiv e nisi me ekipin e mundjes së “Vllaznisë” dhe më pas edhe me “Partizanin”, por edhe me Ekipin Kombëtar.

Hysen Omi në karrierën e tij rendit shumë suksese në shumë spartakiada kombëtare, në Kampionatin Europian të Polonisë në vitin 1971 dhe në vitin 1973 kur barazoi ndeshjen me kampion Olimpik.

Në karrierën e tij sportive ai ka arritur të fitojë 11 herë titullin Kampion Kombëtar dhe 15 herë fitues i Kupës së Republikës.

Në aktivitetet ndërkombëtare ka zhvilluar 12 takime dhe ka arritur: 8 fitore dhe 2 barazime.

Karrierën sportive e vazhdon si trajner i mundjes klasike duke qenë fitues i shumë titujve kampionë.

Këta sportistë, që janë stërvitur dhe kanë garuar në kushte të vështira dhe me mundësitë minimale, janë me të vërtetë elitarë dhe legjenda në të gjitha kategoritë sportive të mundjes shqiptare.

Me pasionin, përkushtimin dhe talentin, ata u bënë personalitete në sport, duke fituar cilësi, që spikatën në formimin e individualitetit të tyre si kampionë.

Ata u bënë autoritete të mundjes, duke e vendosur këtë disiplinë sportive, në elitën e sporteve në vendin tonë.

Me rezultatet e merituara ata u bënë edhe shembull në edukimin e sportistëve më të rinj, për nxitjen dhe zhvillimin e këtij sporti burrëror, por edhe me tradita kombëtare.

Përfitoj nga rasti për të vlerësuar punën e palodhur të trajnerëve dhe specialistëve të sportit të mundjes, të cilët me përkushtimin e jashtëzakonshëm, kanë prodhuar sportistë të mëdhenj të mundjes shqiptare, të cilët kanë arritur rezultate të shkëlqyera, në veprimtaritë kombëtare edhe ndërkombëtare.

Mundja është një disiplinë sportive që u mëson të rinjve cilësitë më të mira të shoqërisë njerëzore, si ndershmërinë, integritetin, disiplinën, këmbënguljen dhe punën.

Dëshiroj me zemër, që mundja dhe sporti ynë, në të gjitha mjediset, të ketë edhe më shumë mbështetje dhe njëkohësisht këtë frymë solidariteti brenda komunitetit të mundësve dhe të ish-mundësve, ta shpërblejmë me një mbështetje më të madhe për këtë sport, që na ka bërë dhe që na bën krenar të gjithëve.

Related posts

Zjarret në Shqipëri, situata mbetet kritike në Dukat

Admin

Hotelet e Tiranës janë plot, turistë edhe nga Lindja e Mesme

Admin

Rritja e rasteve me coronavirus, 1,659 raste janë aktive

Admin

Vazhdojnë pritjet e gjata në pikat kufitare, tri orë pritje në Merdarë për të dalë nga Kosova

Admin

Arsyet se përse po shtyhet regjistrimi i popullsisë

Admin

Humb jetën nga coronavirus një zyrtar policor

Admin

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com