Strugë, 17 janar – Nëpunës të policisë nga Departamenti për Krim Ndërkufitar pranë Qendrës Rajonale Perëndim sot sekuestruan 30 kilogramë peshk të freskët te një shtetas shqiptar në rrugën e vjetër Ohër – Strugë, në afërsi të vendit të quajtur “Sateska”.
Zëdhënësi i SPH Ohër, Stefan Dimoski informoi se peshku është gjetur në një automobil “opel zafira” me targa të Shqipërisë.
“Gjatë kontrollit të realizuar të automjetit ‘opel zafira’ me targa të Shqipërisë, i drejtuar nga J.A. (52), shtetas i Republikës së Shqipërisë, te vendi Sateska, në afërsi të Strugës, ishin gjetur dhe sekuestruar edhe 265 pjesë peshk i freskët, me peshë të përgjithshme prej rreth 30 kilogramë. Peshku ishte ruajtur në hapësirën e bagazhit të automjetit”, deklaroi Dimoski.
Sipas tij, kundër J.A. do të parashtrohet aktakuzë adekuate.