28.5 C
Los Angeles
August 9, 2022
DailyNews – MK
Ekonomi Përzgjedhjе nga redaktori Politika

Opozita maqedonase kritikon pakon e re të ndihmës financiare

Për shkak të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia me koronavirusin, shumë kompani vendore, por edhe të huaja si dhe kategori të ndryshme të qytetarëve do të ndihmohen nga shtetit përmes subvencionimit të pagave, uljes së tatimit mbi fitimin dhe kamatave, uljen e doganave për prodhime të caktuara si dhe për lëndët e para.

Ndihma që është paraparë të jepet me rishikimin e buxhetit të Maqedonisë së Veriut arrin në vlerë prej 470 milionë euro, në kuadër të asaj që njihet si Pakoja e katërt e ndihmës financiare.

Sipas projektimeve të bëra nga Ministria e Ekonomisë, 70 milionë euro do të ndahen për mbështetjen e 83 mijë vendeve të punës, gjegjësisht subvencionimit të 250 mijë pagave për muaj tetor, nëntor e dhjetor, por vetëm për kompanitë që kanë shënuar humbje në punën e tyre. Ndihma do të sillet mes 14.500 dhe 21.000 denarë (230-340 uro).

Masat parashohin që 283 mijë qytetarë të marrin karta pagesore në vlerë prej rreth 6000 denarë apo 100 euro. Këtu përfshihen qytetarët me pensione të ulëta, të papunët, si dhe të gjithë ata që janë të moshës mbi 64 vjeç.

“Unë jam i bindur se me kohë do të fillojmë realizimin e Pakos së katërt të ndihmës financiare edhe pse disa prej tyre veç kanë nisur të zbatohen, siç kanë kreditë pa kamata, fundjava pa Tatimin e Vlerës së Shtuar (TVSH). Sa i përket pagave, besoj se do të arrijmë me kohë të bëjmë pagesën e rrogës së tetorit, në përputhje me kriteret e përcaktuara”, ka deklaruar ministri i Ekonomisë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi.

Megjithatë, opozita ka hedhur dyshime nëse qeveria do të arrijë të ndihmojë kompanitë dhe qytetarët të goditur rëndë nga kriza ekonomike.

“Ne duhet të pranojmë se kriza ekonomike është shumë më e rëndë se kriza me koronavirusin. Qasja joserioze e qeverisë që të përballet me sukses me pandeminë, ka bërë që kriza shëndetësore të godasë rëndë sektorin e ekonomisë dhe të financave. Ekonomia e Maqedonisë (së Veriut) është në rënie në lirë, gjendja është me e keqe se ajo në vitet e 90-ta”.

“S’ka dyshim në këtë se ka ndikuar pandemia, por nëse shikojnë gjendjen edhe para paraqitjes së COVID-19 apo tremujorin e parë vitit do të konstatojmë se politikat e gabuara të qeverisë kanë bërë që gjendja ekonomike të përkeqësohet nga dita në ditë. Jemi ndër shtetet me borxhin më të lartë, që ka arritur në 60 për qind të Prodhimit Bruto Vendor. Më shumë bëhet fjalë për masa populiste për blerje votash, siç ishte rasti me ndihmat paraprake, në kohën e fushatës zgjedhore në qershor”, ka deklaruar Nikolla Micevski nga partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE.

Bizneset ndihmë nga qeveria kanë marrë edhe në muajt e parë të pandemisë. Bëhet fjalë për tri Pako të ndihmës në vlerë prej mbi 500 milionë euro, që kishte përfshirë të gjitha kategorinë, që nga nxënësit e shkollave të mesme e deri te pensionistët. Ndihmë u dha edhe për turizmin vendor. Por, shumë kompani që përfituan ndihmë, atë nuk ua shpërndanë punëtorëve, ndërkohë që institucionet përveç tërheqjes së vërejtjes për këto kompani, nuk kanë ndërmarrë asgjë ndaj tyre.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, 187 kompani që morën mbështetje financiare për pagat e muajve prill, maj dhe qershor, nuk i kanë shlyer detyrimet ndaj punëtoreve. Disa nuk u kanë paguar nga një rrogë, disa dy, ndërsa ka kompani që nuk u kanë dhënë asnjë denarë punëtorëve.

Këtë e konfirmojnë edhe në Lidhjen e Sindikatave, ku janë dorëzuar ankesa të shumta nga punëtorët që nuk kanë marrë pagë ose janë paguar më pak.

“Atje ku në të kaluarën kemi pasur probleme me pagesën e pagave nga kompanitë që janë anëtare të sindikatës, kemi ndërmarrë hapa për ta zgjidhur atë në mënyrën më të lehtë, pa angazhuar inspektoratet ose organet e tjera shtetërore. Ndërkohë që gjendje më e rëndë është në ato kompani ku në funksionon sindikata. Kjo dëshmohet nga denoncimet që marrim nga punëtorë anonimë, që druajnë të flasin publikisht sepse mund të humbin edhe vendin e punës”, thotë Katerina Popovska nga Lidhja e Sindikatave.

Si pasojë e pandemisë, të dhënat e agjencisë së punësimit tregojnë se rreth 15 mijë persona kanë humbur vendet e punës, por jo zyrtarisht thuhet se ky numër arrin deri në 40 mijë.

Related posts

Editorial: Bullgaria të ndërpresë bllokimin e Maqedonisë së Veriut, sepse çmimi që do të paguhet është i shtrenjtë midis dy vendeve miq!

admin

Serwer: Brukseli dhe Uashingtoni duhet t’i thonë Bullgarisë ta ulë nervozën

admin

Gjermania zgjat bllokimin e pjesshëm

admin