19 C
Skopje, NM
12/04/2021
DailyNews.mk
OP/ED

Rama përtej vaksinës!

Nga Eldon Gjikaj

1. Sot, Edi Rama, kryeshërbëtori i qeverisjes së Shqipërisë, ia ka dalë mbanë të projektohet politikisht përtej vaksinës. Si përtej?! Njimend përtej! Sepse sot, kur pandemia, si një makth vrastar shumëpërmasor (politik, ekonomik, psikologjik, social, etj.), ka kapluar mbarë globin, Shqipëri ka nisur çmontimin e saj përmes vaksinimit masiv të popullatës. Është rekordi maksimal i kësaj qeverisjeje në mandatin e dytë dhe i kryeshërbëtorit të saj, që mbërriti në këtë cak, bajagi të lakmuar prej qeverive të shumë vendeve, sot e gjithë ditën.

2. Mbërritja e Shqipërisë në këtë standard shpjegohet shkurt e qartë me vullnetin çapraz të Ramës si lider qeverisës, për të përballur sfida “përtej të mundshmes”. Brendashkruar vullnetit, element substancial në këtë sukses është dimensioni i staturës së tij politike ndërkombëtarisht, që dora dorës ka mundur ta selisë dhe ta projektojë krejt ndryshe nga çdo pararendës.

Me gjasë kemi të bëjmë, zyrtarisht, me një “anti-model”, sendërtuar si një miksazh unik i artikulimit të pakompromis për çështje mjaft sensitive, rajonale e më gjerë, pleksur me sjellje eksentriko-egocentrike, me këpucë, a poture protokoll-thyese. Por ja që ky “anormalitet” diplomatik ka sjellë faktorizmin në rritje të Shqipërisë, që do të thotë besueshmëri, partneritet, prioritet, lidhje biletarale mbi bazën e karizmës së ndërsjellë mes lidershipeve. Pasoja: sigurimi i vaksinës në kohë rekord .

3. Politizmi i vaksinimit gjatë kësaj fushate elektorale mbetet një fenomen i qëndrueshëm, që dita ditës po njeh interpretime dhe mbi-intepretime nga më grotesket. Rama, për të cilin, tashmë, vaksina është “missione compiutto”, po asiston në qendra vaksnimi duke nxitur skeptikët e keqkuptuar që ta kryejnë atë dhe të mos çoroditen prej keqinformimit konspirativo-opozitar.

Opozita, nga ana tjetër, me oratorë çakërqejf e pendlëmuar, po rreket ta “helmojë” këtë rekord qeverisës që barazohet me shpresë dhe jetë për të gjithë shqiptarët. Politikisht dhe elektoralisht kjo është një qasje dritëshkurtër, që pashmangshëm do të reflektohet edhe në rezultatin përfundimtar të 25 prillit.

4. “Ajo që nuk na vdes na bën më të fortë” shkruan Niçe në një nga aforizmat e tij. Shqiptarët po e largojnë dita ditës fatalitetin nga përditshmëria e tyre. Tashmë shihet dritë në fundin e tunelit, që deri pak më parë sterroste frikshëm. Patjetër që sfida është ende në fillesa, por premisa është premtuese, madje shumë.

Related posts

Unifikimi kombëtar

Admin

Djemtë si princesha, vajzat si ushtarë

Zekirija Haxhiu

SHTETI I KOSOVËS E RIKTHEN DARDANINË NË HISTORI

Zekirija Haxhiu

Editorial: Kryetarët e komunave nën ndikimin e “mafia urbane” në prag të zgjedhjeve lokale!

Zekirija Haxhiu

EDITORIAL/ Qeveria “Zaev 2” mund të lëkundet nëse nuk zhbllokohet procesi integrues

Admin

EDITORIAL/Opozita mos të bëjë politik ditore me fatin e nënshtetësive!

Admin

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More