1 C
Skopje, NM
26/02/2021
DailyNews.mk
OP/ED

EDITORIAL/Opozita mos të bëjë politik ditore me fatin e nënshtetësive!

Maqedonia e Veriut ballafaqohet me telashe absurde që kanë të bëjnë me nënshtetësinë. Përderisa shteti me të madhe iu ndanë nënshtetësi qytetarëve që e ndjejnë veten “maqedonas” dhe që jetojnë në vendet kufitare, si Kosovë, Shqipëri e Greqi, nuk bën asnjë lëvizje në drejtim që t’i pajisë me nënshtetësi qytetarët e saj që kanë lindur dhe jetojnë me vite të tëra në këtë shtet. Maqedonia e Veriut nuk ka shifra të sakta të qytetarëve që janë pa shtetësi, ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre që thonë se nuk kanë shtetësi, kanë lindur në këtë shtet dhe jetojnë në Maqedoni të Veriut. Jozyrtarisht mendohet se numri më i madh i atyre që nuk kanë nënshtetësi janë shqiptarët dhe pastaj vjen bashkësia etnike rome.

Shteti me të gjitha format mundohet që t’i lërë jashtë sistemit shqiptarët, duke tentuar gjithmonë që të zvogëlojë numrin e tyre të përgjithshëm. Arsyet më të shpeshta që iu janë thënë personave që nuk kanë nënshtetësi janë rrënjët e tyre familjare. Nëse prindërit janë nga Kosova, edhe pse jetojnë mbi 30 vite në Maqedoni, dhe fëmijët e tyre janë lindur e jetojnë këtu, shteti nuk i pajisë me shtetësi. Absurdet janë edhe më të mëdha, kur  këta persona shpalleshin si të rrezikshëm për shtetin, dhe prandaj futeshin në listën e zezë të dhënies së nënshtetësive.

Përmes ndryshimeve ligjore, opozita shqiptare po synon që të gjithë personat që kanë qenë shtetas të ndonjërit nga shtetet e ish-Federatës Jugosllave, të cilët deri më 8 shtator të vitit 1991 (dita e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut), kanë jetuar në territorin e Maqedonisë së Veriut, mund të kërkojnë shtetësinë e Maqedonisë së Veriut, duke marrë deklaratat e tre dëshmitarëve.

Ndryshe nga autoritetet shtetërore, që thonë se nuk kanë të dhëna, partitë politike opozitare thonë se janë rreth 70 mijë qytetarë që janë pa shtetësi, e që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Ndërkaq, nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë dhënë shifra të sakta të personave që nuk kanë shtetësi.

Por, duke mos pasur ide të qartë se sa qytetarë në vend janë pa nënshtetësi, dy partitë opozitare Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, kanë krijuar një platformë kombëtare në internet ku kërkojnë nga të gjithë qytetarët, pa dallim kombësie të paraqesin problemin e tyre për marrjen e shtetësisë.

Synimi i kësaj platforme është grumbullimi i informacioneve nga qytetarët të cilët ballafaqohen me problemin e marrjes së shtetësisë, tani 30 vjet, që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut. Çdo informacion do të shërbejë si bazë për debat dhe aprovim të ndryshimit të ligjit aktual për nënshtetësi, me anë të të cilit kërkohen lehtësime në procedurën e marrjes së shtetësisë si e drejtë elementare e çdo qytetari.

Të gjitha të dhënat personale dhe dokumentet e grumbulluara në këtë platformë, do të jenë konfidenciale dhe në përputhshmëri me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe do të shërbejnë vetëm si bazë për analiza profesionale statistikore gjatë debatit për ndryshimet e ligjit për shtetësi.

Sigurisht që kjo mënyrë e platformës do të jetë shumë e dobishme për qytetarët sepse do t’iu japë mundësi atyre që të shprehin shqetësimin e tyre dhe të tregojnë se sa prej tyre nuk kanë nënshtetësi. Të dhënat që do të grumbullohen nga kjo platformë sigurisht që do të ndihmojnë opinionin të ketë një ide më të qartë se për sa qytetarë bëhet fjalë, por shtrohet pyetja se çfarë më tutje?

Propozimi i opozitës për “shtetësi për të gjithë” u mohua kategorikisht nga ana e partive maqedonase, ndërsa partitë shqiptare në pushtet thanë se do e përkrahin propozimin e opozitës shqiptare, por kjo nënkupton që duhet të sigurohet shumicë në Kuvend që i njëjti propozim ligj të votohet. Për të siguruar shumicë, që nuk është aspak e lëhtë, duhet të ketë shumë argumente të fuqishme që e drejta është në atë që e flet opozita. Kjo e fundit duhet të ketë plan të qartë se si duhet të veprojë në të ardhmen, por duket se hapat e ardhshëm do t’i caktojnë numrat e paraqitur në këtë platformë. Nëse numri i atyre që kërkojnë shtetësi është i ulët, sigurisht që zgjidhja do të jetë më e lehtë, ndërsa nëse numri është shumë i lartë, ndikimi i numrave do të jetë shumë i madh në sistemin politik, ekonomik, shëndetësor e edukativ të vendit dhe prandaj kërkesat mund të radikalizohen me protesta dhe bllokada të vazhdueshme.

Opozita nuk duhet të bëjë politikë ditore me këtë çështje, por nëse e ka seriozisht këtë punë duhet që të caktojë afat se deri kur qytetarët mund të paraqesin ankesat e tyre dhe pastaj të dhënat e grumbulluara t’i shfrytëzojnë si argumente për ligjin në fuqi.

Nëse numrat që pretendon opozita, rreth 70 mijë qytetarë pa nënshtetësi, karshi asaj që thotë pushteti se janë 2-3 mijë qytetarë, atëherë kjo çështje është shumë serioze dhe shumë e rëndësishme. Partitë shqiptare duhet të bëhen bashkë dhe të vendosin që një nga kushtet kryesore për qeverisjen e ardhshme të jetë pranimi i këtyre nënshtetësive. Opozita duhet të konsultohet me ekspertë juridik dhe duke analizuar të gjithë përvojat e shteteve në botë të marrë vendim se si të zgjidhë këtë problem të rëndësishëm. (Zhurnal.mk)     

Related posts

Djemtë si princesha, vajzat si ushtarë

Zekirija Haxhiu

SHTETI I KOSOVËS E RIKTHEN DARDANINË NË HISTORI

Zekirija Haxhiu

Editorial: Kryetarët e komunave nën ndikimin e “mafia urbane” në prag të zgjedhjeve lokale!

Zekirija Haxhiu

EDITORIAL/ Qeveria “Zaev 2” mund të lëkundet nëse nuk zhbllokohet procesi integrues

Admin

Editorial: Ziberi moralisht nuk duhet të pranojë të bëhët Avokat i Popullit!

Admin

Editorial: Portugalia nuk e ka në plan të parë zgjerimin e BE-së !

Admin

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More