18 C
Skopje, NM
03/03/2021
DailyNews.mk
OP/ED

Djemtë si princesha, vajzat si ushtarë

Shkruan: Fadil Lepaja

Do të më thoni, për këtë titull se nuk është origjinal? Nuk është! Do të
mendoni se është koment për kandidatët për deputet? Nuk është! Do të thoni
se e kam marrë nga rrjetet sociale? E kam marrë! Do të thoni…! Jo, nuk
thash!

Nuk jam si ata dhjetëra apo qindra profesor të shkollave të mesme apo
universiteteve tona (jo) publike që kanë marrë temat e diplomave, apo
magjistraturave, e aty këtu edhe doktoratës, në rrjet, pastaj fshehin
autorësinë. Kam batutat e mija, por nuk mund të jesh çdo ditë origjinal,
pastaj kjo më bëri fort për vete. Është edhe fushatë dhe ky titull ndihmon
me i shpalosë të gjitha nuancat tona (para) politike!

Mund të duket edhe si përpjekje për të përshkruar ikjen e burrave nga
politika, atyre burrave të ashpër, luftarak dhe që frikësonin qytetarët e
thjeshtë me konceptin e tyre burrëror të politikës dhe shtetit, e sidomos
pushtetit. Pak a shumë ngjajnë me logjikë të luanit që e pushton territorin
dhe gjithë preja është e tij. Ajo çka tepron mund të merret, të ndahet mes
partive të tjera, veç pasi të largohen ata. Kështu pat thënë edhe plaka e
moçme, kur e patën vetë se ku janë burrat. Ajo sipas të moçmit, ishte
përgjigjur se burrat janë te varret, e Hagën nuk e kishte përmendur fare. I
moçmi sot, nuk përmendet shumë me thëniet e tij, tash këtë rol e kanë marrë
rrjetet sociale, kështu që çfarëdo ideje për të cilën nuk e do autorësinë
mjafton të thuash se e lexove në rrjet.

Dikush tjetër i preokupuar me tema të tjera mund të mendoj se po e përdorë
këtë si sllogan parazgjedhorë, për të treguar orientimin seksual të dikujt,
apo çorientimin e kandidatëve, varësisht prej pikëpamjes. Jo nuk jam në
garë për deputet, prandaj nuk është e domosdoshme të deklarohem për tema
jetike të kombit sikur kjo. As të marr pjesë nëpër parada, as të refuzoj
pjesëmarrjen për të fituar vota. Edhe kësaj radhe, qoftë të princeshë qoftë
si ushtar i rezistova thirrjes primale të çdo shqiptari tipik, për të hyrë
në valle sapo të bjerë tupani i zgjedhjeve dhe boria e fushatës. Mjafton me
votua … veç njëherë, për të kryer obligimin qytetar!

Pra, me komunitetin “gej” nuk ka të bëjë ky titull, sepse në fund të
fundit, me ndryshimet në administratën amerikane, kanë lëvizur edhe
preferencat e politikës globale. Po të ishte ashtu, do të zgjidhja një
titull tjetër, nga kënga e njohur, “Djemtë si sorkadhe, vajzat si petrita”,
për shembull. Kështu do të përfshihej edhe feminizmi, edhe femrat e
fuqishme si ofertë politike, sepse të jesh femër e fuqishme për dikë
tingëllon më mirë se të jesh një mashkull i fuqishëm. Një femër e fuqishme
në politikë nuk tingëllon si rrezik, ndërkohë që mashkulli i fuqishëm,
menjëherë krijon shqetësimin se do të bëhet, me çdo kusht president. Ec e
iki tundimit me e votua një president të fuqishëm! Në fund të fundit, ka aq
shumë që mendojnë se veç fuqia , ose efekti i saj pra tuta, i bashkon
shqiptarët. Pafuqia veç sa i futë në dilema krejtësisht apolitike, gati
filozofike si për shembull kah me ja majtë: në lindje apo perëndim, me ata
apo ata tjerët?

Sidoqoftë vet titulli tregon se diçka në politikën tonë po ndryshon. Duket
si në ndryshim edhe nëse nuk është. Ky është shqetësimi kryesor i qytetarit
tonë votues i cili e ka dilemën mitike a ja vlen me pritë në radhë për
votim, me rrezikua covid-in, apo me shkua në fshat. Në fshat të vet apo
fshat turistik, njësoj. Pra, a do të ketë ndryshim, a mund të ketë, kështu
na futë në dilemë ky titull.

Të zbërthejmë edhe pak “fjalën e urtë virtuale”, të cilën sot e mora për
titull. Këtë “virtuale” kuptojeni sikur të ishte një fjalë e urtë
popullore. Edhe ashtu krejt populli është në rrjet, i urët apo jo, me krejt
urtinë e tij dhe krejt marrëzinë kolektive. Kombi fle në rrjet.

Pra, nënat tona rrisin djem si princesha, sepse nuk punojnë asgjë në
shtëpi, ndërkohë që vajzat i rrisin me disiplinë dhe me gatishmëri me u
përballë me jetën në një botë të meshkujve. I rrisin si ushtarë, luftarake
dhe të pamëshirshme. Në fund të fundit fuqia e burrave është vetëm mit dhe
traditë, ndërkohë që fuqia e femrave është bërë veçori e tyre normale. E
keni pa, sa femra të politikës shkojnë në “fitnes” apo ngjiten maleve dhe
bëjnë selfije? Nuk është lehtë të mbijetosh , politikisht në një botë të
“princeshave”. Duhet karakter!

Të dashur miq, pasi për shkak të masave… po e dini, nuk arritëm të
mblidhemi për të bërë fushatë për ndryshime, ju ftojë të gjithë juve,
princesha dhe ushtarë, qytetarë dhe katundar: votoni, votoni, votoni! Veç
njëherë!

Related posts

SHTETI I KOSOVËS E RIKTHEN DARDANINË NË HISTORI

Zekirija Haxhiu

Editorial: Kryetarët e komunave nën ndikimin e “mafia urbane” në prag të zgjedhjeve lokale!

Zekirija Haxhiu

EDITORIAL/ Qeveria “Zaev 2” mund të lëkundet nëse nuk zhbllokohet procesi integrues

Admin

EDITORIAL/Opozita mos të bëjë politik ditore me fatin e nënshtetësive!

Admin

Editorial: Ziberi moralisht nuk duhet të pranojë të bëhët Avokat i Popullit!

Admin

Editorial: Portugalia nuk e ka në plan të parë zgjerimin e BE-së !

Admin

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More