22.4 C
Los Angeles
November 30, 2021
DailyNews – MK
Kosovë

Në 21 vjetorin e vrasjes së Xhemail Mustafës, djali i tij Besiani tregon si e mori lajmin e hidhur

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka kujtuar babin e tij Xhemail Mustafa në 21 vjetorin e vrasjes së tij.

Mustafa përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se ai ishte në shkollë dhe kishte vetëm 16 vjeç kur kishte marrë lajmin për vrasjen e babait.

“E enjte, 23 nëntor, 2000. Ditë e rëndomtë mësimi në gjimnazin Sami Frashëri në Prishtinë. Arsimtari(ja?) sqaronte diçka… nuk di, s’kisha mendjen aty. Si 16 vjeçar, i sapo mbijetuar nga lufta një vit e gjysmë më parë, s’ishte çudi që mendja të kishte planet e saj, këmbët e saj. Qetë, si me drojë, hapet dera e klasës dhe brenda hyjnë motra Beriana dhe drejtori i shkollës”, thotë Mustafa.

Tutje, ai ka përshkruar momentin kur është thirrur nga motra e tij, për të vazhduar më pas rrugën drejt shtëpisë së tij.

“Bes më drejtohet ajo “merre çantën dhe jaknen edhe hajde”. Mendjen mjegull nga mendimet e mëparshme dalë nga klasa pa pyetur asgjë. Në korridor më priste gruaja e dajës Xhevahirja.

Rrugës në veturën e Xhevës, nga Sami Frashëri tek parkingu i lagjes “Santea” nuk folëm shumë. “Babin e kanë plagosë” tha Beri dhe asnjë fjalë. S’dilja dot nga mjegulla… kush e paska plagosë babin? Pse babin? Ai s’i ka ba keq kurrkujt kurgjo… a janë të sigurt që babin e kanë plagosë? Në kaosin e pasluftës njerëzit plagoseshin çdo ditë, ndoshta s’e kanë plagosë babin?

“A je ti djali i zotëri Mustafës?” më pyet në anglisht një polic i UNMIK-ut. “Po” i them unë. “Më vjen keq por babi yt nuk mbijetoi” ma pret ai sikurse të fliste për rezultatin e ndonjë loje futbolli apo çmimin e ndonjë fruti në treg. Mendjen vazhdon të ma mbështjellë e njëjta mjegull e mëngjesit. S’dal dot nga ajo.

Kthehem brenda në butikun “Charlie” ngjitur hyrjes se banesës sonë – s’na kishin lënë të ngjitemi lartë në banesë, babin e kishin “plagosë” mbi shkallët e katit të parë të hyrjes – dhe u tregoj çka më kishte thënë polici. Ulem diku, nuk dëgjoj asgjë. I shihja të gjithë duke qarë e nxjerrë shpirtin plot mërzi. Por s’i dëgjoja. Mendjen e kisha plot mjegull. Sot 21 vjet më vonë. S’dal dot nga kjo mjegull”, ka rrëfyer ai.

Ndryshe , Xhemail Mustafa u vra më 23 nëntor 2000 në Prishtinë, deri sa po hynte në banesën e tij ai u qëllua për vdekje me armë zjarri nga dy persona ku si pasojë të plagëve të marra vdiç në kliniken spitalore. Ai ndërroi jetë në moshën 47 vjeçare, la pas gruan dhe fëmijët e tij.

Vrasja e Mustafes ishte vrasja e tretë politike e pas luftës së Kosovës dhe tronditi skenën politike. 

https://www.facebook.com/besianm/posts/1545266082490943

Related posts

DnV: Fushata për balotazh me shkelje flagrante të masave kundër COVID-19

admin

PDK e LDK barazohen për nga numri i komunave të fituara

admin

Kosova regjistron nëntë raste të reja me COVID-19

admin