18.8 C
Skopje, NM
28/09/2021
DailyNews.mk
Maqedoni

Mariçiq: Nuk ikim nga problemet me të drejtat e njeriut dhe sundimit të ligjit, përkundrazi duam t’i zgjidhim ato

Strasburg, 12 shtator – Sa herë që ne si vend marrim një raport ndërkombëtar mbi të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit, korrupsionin ose ndonjë fushë tjetër, ne e shohim atë si një udhëzues se si të përmirësohemi dhe çfarë të bëjmë më tepër se ajo që po bëjmë, tha ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq në një intervistë për MIA-n, dhënë gjatë vizitës së tij në Strasburg.

“Pra, të gjitha këto raporte janë të mirëseardhura, sepse ato na ndihmojnë të përmirësojmë legjislacionin dhe praktikën institucionale. Ne nuk i shmangemi këtyre problemeve, nuk heshtim apo i mbyllim sytë, përkundrazi duam t’i zgjidhim. Kjo është arsyeja pse ne i qasemi çdo raporti të tillë me kujdes dhe si Qeveri përgatitim menjëherë një plan veprimi për zgjidhjen e tyre”, shton ministri i Drejtësisë.

Ai thekson se vendi merr raporte pozitive nga Komisioni Evropian për arritjet në fushën e vlerave evropiane, të tilla si demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut, korpusi i detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe janë të pashmangshme në integrimin tone evropian.

“Ne kemi përparim vërtet të dukshëm në fushën e lirisë së shprehjes, në fushën e mbrojtjes së grupeve etnike dhe në fushën e mbrojtjes së lirive të tjera siç është liria e organizimit, si dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut … vitet e fundit ne kemi bërë përparim të madh dhe në luftën kundër diskriminimit dhe në mbrojtjen e kategorive individuale, siç janë të drejtat e fëmijës, duke forcuar pozitën e gazetarëve për të kontribuar në forcimin e lirisë së shprehjes. Të gjithë këto hapa janë të mirë valorizuar dhe të mirënjohur këtu, ne i kemi paraqitur ato dhe jam i sigurt se do të përfshihen në raportet evropiane, kur ato të publikohen në vjeshtë,” tha Mariçiq.

Ministri Mariçiq bëri një vizitë pune disaditore në Strasburg, ku zhvilloi disa takime, përfshirë takime me Kryetarin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut Robert Spano, Sekretaren e Përgjithshme të Këshillit të Evropës Marija Pejçinoviq-Buriq dhe përfaqësues të Komisionit të Venecias. Mariçiq në Strasburg nënshkroi disa dokumente dhe marrëveshje.

Në intervistë, ai thekson se në takimin me Kryetarin e Gjykatës Evropiane, Spano, ata nuk diskutuan asnjë rast specifik kundër vendit para Tribunalit, madje as për amnistinë e ish-presidentit Gjorge Ivanov.

“Ne tashmë kemi njoftuar se në mes të qershorit, agjenti ynë qeveritar paraqiti mbrojtjen dhe e dërgoi mbrojtjen në Gjykatë dhe tani ai dokument me mbrojtjen tonë është duke u shqyrtuar nga aplikantët, pra pala e kundërt dhe tani pritet një përgjigje nga aplikantët, pas së cilës ne si qeveri do të kemi një shans për t’iu përgjigjur pretendimeve të tyre dhe pastaj Gjykata do të duhet të vendosë gjatë vitit të ardhshëm”, shton Mariçiq.

Vijon intervista e plotë me ministrin Mariçiq.

Ju keni pasur disa takime pune me udhëheqësit kryesorë të Këshillit të Evropës, çfarë është gjeneruar nga këto takime që keni pasur ditët e fundit në Strasburg? 

“Këto ditë në Strasburg patëm vërtet një vizitë të suksesshme në disa organe të Këshillit të Evropës, por qëllimi kryesor ishte nënshkrimi i Protokollit 16 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ky protokoll u mundëson gjykatave tona më të larta në Republikën e Maqedonisë së Veriut të hyjnë në komunikim të drejtpërdrejtë për opinione këshilluese në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe ne konsiderojmë se është një ndryshim pozitiv në sistemin tonë që do të mundësojë zbatimin më të mirë të Konventës në vendin tonë në Maqedoninë e Veriut. Ne gjithashtu kemi nënshkruar Konventën “Medikrim”, e cila merret me ndjekjen ose përcaktimin e ndjekjes penale të falsifikimit të medikamenteve dhe produkteve mjekësore në Evropë sot. Kjo është shumë e rëndësishme në kontekstin e Kovid-krizës dhe ne menduam se duhet t’i qasemi asaj, duke pasur parasysh se do të bëhen ndryshime në Kodin tonë Penal, kështu që kjo është shumë e rëndësishme.

Përveç këtyre dy instrumenteve, patëm një takim me Kryetarin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, gjyqtarin Spano, ku diskutuam për bashkëpunimin. Kjo është vizita e parë e një ministri të drejtësisë pas një kohe të gjatë në këtë Gjykatë dhe ishte vërtet shumë interesante dhe shumë e rëndësishme për ne që të merrnim komente nga Gjykata mbi bashkëpunimin tonë dhe mënyrën se si të veprojmë.

Ne gjithashtu patëm një takim me Sekretaren e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, znj. Marija Pejçinoviq Buriq dhe ne praktikisht i nënshkruam këto instrumente me të. Ne gjithashtu u pajtuam për hapat për bashkëpunimin e ardhshëm. Ne patëm një takim të rëndësishëm me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias ku diskutuam për ligjet që tashmë janë në shqyrtim në Komisionin e Venecias, siç është projektligji për Gjendjen e Jashtëzakonshme, por edhe sa vijon: Ligji për Origjinën e Pronës, Kosi Penal, Ligji për Procedurat Penale. Ne presim opinione për këto nga Komisioni i Venecias dhe ka shumë rëndësi për ne që të bëjmë versione më të mira dhe më të suksesshme të ligjit.

Pastaj patëm takime të tjera brenda strukturave të Këshillit të Evropës që mbulojnë çështje të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe atyre organeve ndihmëse si Komiteti kundër Torturës, EKRI, krimet me bazë urrejtjen dhe gjithçka që është spektër në Këshillin e Evropës.

Ne e konsiderojmë këtë një vizitë të suksesshme, e cila prezantoi prioritetet e qeverisë sonë dhe atë që ne po bëjmë si institucione për të përmirësuar imazhin e të Drejtave të Njeriut dhe atë për të cilën kujdeset Këshilli i Evropës, por edhe për t’i hapur ato mundësi për angazhimin tonë më të madh si shtet brenda Këshillit të Evropës dhe këtyre organeve, sepse ne me të vërtetë kemi çfarë të tregojmë dhe të ndajmë.

Ju thatë se keni pasur një takim me Kryetarin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, një nga pyetjet që parashtron opinion publik maqedonas është nëse Qeveria jonë, gjegjësisht përfaqësuesi ynë i dha përgjigjen e tij kërkesës në lidhje me amnistinë e ish – presidentit Ivanov? 

“Në takimin me kryetarin Spano, ne nuk diskutuam ndonjë rast specifik, sepse nuk është praktikë dhe aspak e përshtatshme të diskutosh raste specifike në takime të tilla. Ne tashmë kemi njoftuar se në mes të qershorit, agjenti ynë qeveritar paraqiti mbrojtjen dhe e dërgoi mbrojtjen në Gjykatë dhe tani ai dokument me mbrojtjen tonë po shqyrtohet nga aplikantët, pra pala e kundërt dhe tani pritet një përgjigje nga aplikuesit, pas së cilës ne si Qeveri do të kemi një shans për t’iu përgjigjur pretendimeve të tyre dhe pastaj Gjykata do të duhet të vendosë gjatë vitit të ardhshëm.

Keni pasur takime me përfaqësuesit më të lartë të Këshillit të Evropës, opinion publik maqedonas mund të mos e dijë se Këshilli i Evropës është garantuesi për të drejtat e njeriut, funksionimin e një shoqërie demokratike të të gjitha vendeve që janë anëtare të Këshillit të Evropës, por edhe të shteteve anëtare ose kandidatëve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. A keni diskutuar mbi temën e kandidaturës sonë për anëtarësim dhe përmbushjen e kushteve, sepse kur shqyrtohen konkluzionet e Këshillit të Evropës, vendi ynë i plotëson të gjitha kushtet e të ashtuquajturës Kriteret e Kopenhagës?

Ne jemi anëtarë të Këshillit të Evropës por nuk jemi pjesë e Bashkimit Evropian, këtu kemi detyrime dhe detyra specifike që duhet të përmbushim. Ajo që është e rëndësishme është që raportet e progresit të Komisionit Evropian të raportojnë rregullisht mbi progresin që ne po bëjmë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të gjitha ato çështje që lidhen me punën e Këshillit të Evropës. Këshilli i Evropës është një pjesë e rëndësishme e vlerave evropiane që lidhen pikërisht me demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, dhe për këtë arsye korpusi i detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi ynë në Këshillin e Evropës është i pashmangshëm në integrimin tonë evropian. Për fat të mirë, ne kemi raporte pozitive në këto fusha. Ne kemi bërë përparim vërtet të dukshëm në fushën e lirisë së shprehjes, në fushën e mbrojtjes së grupeve etnike dhe në fushën e mbrojtjes së lirive të tjera siç është liria e organizimit, si dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut. Në përgjithësi, ne kemi një arkitekturë të mirë institucionale në pjesën e komisionit për luftën kundër diskriminimit, mbrojtjen gjyqësore, gjithashtu përmes Gjykatës Kushtetuese, por edhe përmes institucioneve të tjera që mbrojnë dhe promovojnë këto të drejta. Kemi një përparim shumë të madh si në luftën kundër diskriminimit ashtu edhe në mbrojtjen e kategorive individuale, siç janë të drejtat e fëmijëve, forcimi i pozitës së gazetarëve për të kontribuar në forcimin e lirisë së shprehjes. Të gjithë këto hapa janë të mirë valorizuar dhe të mirënjohur këtu, ne i kemi paraqitur ato dhe jam i sigurt se do të përfshihen në raportet evropiane kur ato të botohen në vjeshtë.

Edhe kur kishte vërejtje në disa raporte, si ai i Komitetit për Parandalimin e Torturës, u theksua se Qeveria maqedonase reagon pozitivisht dhe është e hapur për dialog për të kapërcyer të gjitha këto probleme, të cilat janë të pranishme jo vetëm në vendin tonë, por edhe në demokracitë e vjetra?

“Sa herë që marrim një raport ndërkombëtar mbi të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit, korrupsionin ose ndonjë fushë tjetër, ne e shohim atë si një udhëzues se si të përmirësohemi dhe çfarë të bëjmë më shumë sesa atë që kemi bërë. Pra, të gjitha këto raporte janë të mirëseardhura, pasi ato na ndihmojnë të përmirësojmë legjislacionin dhe praktikën institucionale. Ne nuk i shmangim problemet, nuk heshtim apo i mbyllim sytë, përkundrazi duam t’i zgjidhim ato. Kjo është arsyeja pse ne i qasemi me kujdes secilit raport të tillë dhe si qeveri përgatitim menjëherë një plan veprimi për t’i adresuar apo për t’i zgjidhur ato.

Pra, mund të konkludojmë se Këshilli i Evropës do të vazhdojë të ndihmojë më tej Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe Bashkimit Evropian?

“Absolutisht, Këshilli i Evropës është një hapësirë ku mund të bëjmë shumë për të mbrojtur interesat tona dhe për të kontribuar në vlerat e Këshillit të Evropës. Është një fushë e cila mund të na ndihmojë shumë në integrimin evropian dhe në plotësimin e parimeve themelore demokratike dhe parimeve të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

Related posts

Denoncim i rremë për bombë para Qeverisë, personi është zbuluar dhe arrestuar

Admin

Në UT u mbyll afati i tretë i regjistrimit për vitin akademik 2021/22

Admin

Fon der Lajen: Keni arritur avancim të jashtëzakonshëm, tani BE-ja e ka radhën

Admin

Konferencë shtypi e kryeministrit Zaev dhe kryetares së KE-së, fon der Lajen (drejtpërdrejtë)

Admin

Deponia e shetitorja në Dibër ngelën vetëm fjalë në letër, premtimet nuk u realizuan

Admin

ASHMMA: Vitin e kaluar ka rënë në minimum profiti i televizioneve në Maqedoni

Admin

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com