18.5 C
Los Angeles
November 29, 2021
DailyNews – MK
Maqedoni TOP LAJM

Linhart: Është jashtëzakonisht e rëndësishme negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE të fillojnë në dhjetor

Shkup, 20 nëntor – Procesi i zgjerimit i Bashkimit Evropian dhe anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është me rëndësi absolute për Austrinë, pasi Evropa nuk është e plotë derisa shtetet e rajonit nuk bëhen anëtare të BE-së, deklaroi ministri austriak për Bashkëpunim Evropian dhe Ndërkombëtar, Mihael Linhart në intervistën për MIA-n.

Sipas tij, me rëndësi të jashtëzakonshme është negociatat për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian për të filluar sa më parë, gjegjësisht në dhjetor.

“Vlerësoj se gjithçka është e përgatitur, raporti i fundit i Komisionit për Maqedoninë e Veriut ishte absolutisht pozitive, kështu që e mendoj se nuk ka arsye të pritet dhe duhet t’i fillojmë negociatat tani në dhjetor. Kjo paraqet dritare për mundësi për të dyja palët – për Maqedoninë e Veriut por edhe për Bashkimin Evropian”, thekson Linhart.

Ai thekson se në BE ekziston mendim i pandarë se për Evropën nuk ka alternativë përveç zgjerimit dhe nuk ka alternativë për anëtarësinë e rajonit në Ballkanit Perëndimor në BE.

“Ballkani Perëndimor është në Evropë, në zemrën e Evropës, jo jashtë, por në oborrin e Evropës. Kështu që nuk shoh tjetër alternative për këto vende të Ballkanit Perëndimor përveç të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian”, thotë Linhart, duke shtuar se Evropa është projekt në zhvillim të vazhduar dhe se pjesë e këtij projekti janë edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, vlerat dhe kulturat e së cilave do të kenë kontribut pozitiv në të ardhmen e Evropës.

Në intervistën për MIA-n, Linhart flet edhe për qasjen e Austrisë ndaj rajonit, për mbështetjen e Austrisë për vendin si edhe për masat për ballafaqimin me Kovid-19.

Në vazhdim pason intervista integrale e ministrit Mihael Linhart për MIA-n.

Zoti Linhart, ju falënderoj që pranuat të jepni intervistë për MIA-n. Kjo ishte vizita e juaj e pare në Shkup si ministër federal për Punë të Jashtme. Çfarë mesazhe do t’u përcillni ose u përcollët bashkëbiseduesve tuaj në Shkup lidhur me zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor?

Kjo është një nga vizitat e mia të para në rajon si ministër i Punëve të Jashtme. Paraprakisht e kam vizituar Bosnjë e Hercegovinën dhe kam insistuar të vij në Maqedoninë e Veriut dhe më pas edhe në Shqipëri sa më pare, pasi është një nga prioritetet e Austrisë dhe politikës së saj të jashtme. Gjithsesi mesazhi është se procesi I zgjerimit dhe anëtarësimi I vendeve të Ballkanit Perëndimor është me rëndësi absolute për ne. Evropa nuk është e plotë derisa vendet e Ballkanit Perëndimor nuk bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Ky ishte mesazhe që e kam përcjellë në Sarajevë por edhe mesazhi gjatë të gjitha bisedimeve këtu në Shkup.

Cili është qëndrimi i Austrisë lidhur me veton bullgare për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE? Politika e tillë e Sofjes a mendoni se kontribuon për minimin e kredibilitetit të BE-së dhe për nxitjen e euroskepticizmit?

Është jashtëzakonisht e rëndësishme të hapen negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian sa më pare, të fillojnë tani në dhjetor. Vlerësoj se gjithçka është gati, raporti i fundit i Komisionit për Maqedoninë e Veriut ishte absolutisht pozitiv, kështu që mendoj se nuk ka arsye për t’u pritur dhe se duhet t’i fillojmë negociatat tani në dhjetor. Kjo paraqet dritare të mundësive për të dyja palët – për Maqedoninë e Veriut por edhe për Bashkimin Evropian. Ky është mesazhi ynë për Shkupin por edhe për Brukselin.

Para se të vini në funksionin aktual ishit ambasador i Austrisë në Paris. Kur flitet për zgjerimin e BE-së, zakonisht përmendet se Parisi ka rezerva ndaj kësaj çështje. Cila është përshtypja e juaj rreth pozitës së tillë të supozuar franceze?

Kemi diskutime të vazhdueshme në Bashkimin Evropian lidhur me procesin e zgjerimit, por për momentin jemi në situatë ku të gjithë vlerësojmë se është i nevojshëm zgjerimi, se nuk ka alternativë për Evropën përveç zgjerimit, se nuk ka alternativë për anëtarësimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, ndërsa qëndrimin e njëjtë e ndan edhe Parisi.

A ekziston frikë në BE se nëse nuk e përshpejton procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor, rajoni mund të ulet nën ndikimin e lojtarëve të tjerë globalë, si Rusia, Kina, Turqia…

Realiteti është se Ballkani Perëndimor është në Evropë, në zemër të Evropës, jo mënjanë por në oborrin e Evropës. Kështu që unë nuk shoh alternativë tjetër për këto vende të Ballkanit Perëndimor përveç anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo është perspektiva dhe e ardhmja e tyre dhe thjesht nuk shoh alternativë për këtë. Ne po punojmë për këtë, të gjithë duhet të bëjmë përpjekje që vendet të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian.

Në fjalimin tuaj të par; para Këshillit nacional të Austrisë muajin e kaluar u angazhuat për “BE-në e fuqishme”. Sa marrëdhënia e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut dhe ajo që po ndodhë në Hungari dhe Poloni e minon atë BE të fuqishme dhe unitetin e saj?

Unë kurrë nuk kam folur për lloje të ndryshme të Evropës, gjegjësisht për Evropën me anëtarë të radhës së parë apo të dytë. Ne duhet të kemi një Evropë të fortë të bazuar në vlerat perëndimore. Evropa është një projekt në zhvillim të vazhdueshëm dhe ne të gjithë po punojmë së bashku në atë projekt, dhe Ballkani Perëndimor është pjesë e këtij projekti. Vlerat dhe kulturat e këtyre vendeve në rajon do të japin një kontribut pozitiv për të ardhmen e Evropës.

Prandaj jam shumë i lumtur që arritëm të përfshijmë vendet e Ballkanit Perëndimor në diskutimin për të ardhmen e Evropës. Ne duhet të punojmë të gjithë së bashku për zhvillimin e një Evrope të përbashkët, së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të gjithë partnerët brenda Bashkimit Evropian. Ne duhet të vazhdojmë këtë diskutim, duhet të vazhdojmë ta zhvillojmë këtë projekt evropian.

Sa dhe si Austria mund t’i ndihmojë Maqedonisë së Veriut gjatë procesit inkuadrues në BE?

Ne jemi partnerë të fortë, kultivojmë miqësi të madhe me Maqedoninë e Veriut, kemi një histori të gjatë të përbashkët dhe prandaj e njohim shumë mirë situatën në Ballkanin Perëndimor. Këtu qëndron kontributi ynë në të gjithë këtë proces. Ka shumë situata ku ne mund të shpjegojmë Ballkanin Perëndimor, por edhe të mbështesim vendet e Ballkanit Perëndimor në shpjegimet e tyre për Evropën.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme dhe ne po përpiqemi të sjellim më shumë nga Evropa në Ballkanin Perëndimor dhe jo vetëm përmes procesit të anëtarësimit. Kjo është shumë e rëndësishme, veçanërisht për të rinjtë, për t’u shpjeguar atyre se çfarë është Evropa, cilat janë vlerat e saj dhe cila është ajo shtëpi e përbashkët. Ne duhet t’ua shpjegojmë këto gjëra këtyre vendeve.

Në dy vitet e fundit bota po përballet me pandeminë e Kovid-19. Cila është gjendja aktuale me Kovid-19 në Austri dhe cilat masa i ndërmarrin autoritetet austriake?

Të gjithë jemi të prekur rëndë nga kjo pandemi dhe situata po ndryshon vazhdimisht. Numri i qytetarëve të infektuar në Austri po rritet sërish dhe ja ku është vaksinimi ku jemi brenda mesatares evropiane. Për momentin mendojmë se duhet të inkurajojmë njerëzit që të vaksinohen. Ne tani kemi masa me të cilat njerëzit që nuk janë vaksinuar nuk e kanë atë liri si ata që janë vaksinuar dhe kemi parë që kjo rezulton që njerëzit të jenë të gatshëm të vaksinohen.

Vetëm javën e kaluar kemi pasur rreth 130,000 njerëz që janë vaksinuar dhe mendoj se kjo është shtytja që na nevojitet. Gjithashtu shohim se të vaksinuarit janë më pak të prekur nga infeksioni dhe nuk rëndojnë repartet e terapisë intensive në spitale. Prandaj, nxitja e vaksinimit të sa më shumë njerëzve është rruga e duhur dhe ne po i drejtojmë përpjekjet tona në atë drejtim.

Cilat kushte vlejnë për hyrjen e të huajve në Austri në pajtim me masat antikovid?

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut mund të hyjnë në Austri nëse janë vaksinuar, por nëse e kanë kaluar virusin ose me PCR test valid. Nëse nuk e plotësoni ndonjë prej këtyre tri kushteve, atëherë duhet të shkoni në karantinë dhe mund të dilni pas pesë ditësh me PCR test negative. Në të kundërt, duhet të qëndroni 10 ditë në karantinë.

Në fund, çfarë do t’i porosisnit qytetarët e Maqedonisë së Veriut lihur me të ardhmen evropiane.

Jemi të bindur se Maqedonia e Veriut është e gatshme për procesin e negociatave, Maqedonia e Veriut është pjesë e Evropës dhe synimi është që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Maqedonia e Veriut duhet të jetë anëtare e BE-së, kjo është bindja jonë dhe jam i sigurt se së bashku do ta arrijmë këtë qëllim. Të dyja palët duhet të bëjnë përpjekje, sigurisht me mbështetjen tonë të plotë.

Related posts

Bllokohet zgjedhja e gjykatësve, ky është shkaku

admin

Jozyrtarisht Azem Sadiku largohet nga PDSH, do të kalojë te Aleanca për Shqiptarët

admin

Regjistrohen 606 raste të reja me COVID-19 në Maqedoni

admin