1 C
Skopje, NM
26/02/2021
DailyNews.mk
Kulturë

Historia e panjohur e sundimtarit të Egjiptit me origjinë shqiptare, KRAHASIMI me Napoleon Bonapartin

Të dy, Mehmet Aliu dhe Napoleon Bonaparta, shquheshin si gjeni ushtarakë dhe si strategë tepër ambiciozë. Montefiore e përshkruan Mehmet Aliun si shqiptar mjekërbardhë, që vishej thjeshtë – me turban të bardhë, pantofla të verdha dhe një pelerinë të kaltër me tis të gjelbër.

Ka historianë që thonë se origjina e Mehmet Aliut (ose Muhamed Ali Pashës), sundimtarit të Egjiptit në shekullin e 19-të, është e paqartë. Për historianin britanik me origjinë hebraike Simon Sebag Montefiore nuk ka dilemë: Mehmet Aliu ishte shqiptar, i lindur në Kavallë të Greqisë së sotme. Për 15 vjet Mehmet Aliu dominoi rrethanat politike në Lindjen e Afërt dhe pushtoi gati tërë Perandorinë Osmane. Ai u lind më 1770, një vit pas Napoleon Bonapartës.

Nga bashkëkohësit Mehmet Aliu u quajt Napoleoni i Orientit. Të dy, Mehmet Aliu dhe Napoleon Bonaparta, shquheshin si gjeni ushtarakë dhe si strategë tepër ambiciozë. Montefiore e përshkruan Mehmet Aliun si shqiptar mjekërbardhë, që vishej thjeshtë – me turban të bardhë, pantofla të verdha dhe një pelerinë të kaltër me tis të gjelbër. Me vete bartte përherë një llullë prej ari e argjendi, një metër e gjysmë të gjatë, të stolisur me diamante. Tiparet e fytyrës së tij ishin tatare dhe nga sytë e tij buronte një zjarr i shfrenuar. Si shenjë të pushtetit të tij ai mbante një jatagan.

Mehmet Aliu arriti në Egjipt në çastin e duhur dhe me ushtarët e tij shqiptarë mbështeti osmanët në luftë kundër Napoleonit. Kur u larguan francezët, Mehmet Aliu e shfrytëzoi vakumin e pushtetit dhe mori kështjellën e Kajros. I biri i tij Ibrahimi (disa mendojnë se ishte nipi i tij) e ftoi udhëheqjen e mamelukëve për të marrë pjesë gjoja në një ceremoni ushtarake. Mamelukët erdhën – dhe Ibrahimi urdhëroi masakrimin e tyre (më 1811). Dy dekada më vonë, më 1830, krerët e Perandorisë Osmane ftuan prijësit shqiptarë në një banket në Manastir, me ç’rast do të arrihej pajtimi mes osmanëve dhe kryengritësve shqiptarë. Ky ishte një kurth: krerët shqiptarë u masakruan. Në romanin «Komisioni i festës» Ismail Kadare e ka përshkruar këtë ngjarje.

Pas vrasjes së mamelukëve, Sulltani e emëroi Mehmet Aliun guvernator të Kajros. Sipas historianit Simon Sebag Montefiore, Mehmet Aliut i duheshin vetëm katër orë gjumë. Ai thoshte se kishte mësuar të lexojë tek në moshën 45-vjeçare. Çdo mbrëmje konkubina e tij më e dashur i lexonte nga veprat e Montesquieu dhe Machiavelli. Charles-Louis de Secondat, Baron de La Brède et de Montesquieu (1689-1755) ishte shkrimtar francez, filozof, teoricient i çështjeve shtetërore gjatë periudhës së iluminizmit. Montesquieu konsiderohet pararendës i sociologjisë dhe themelues i shkencës moderne të historisë.

Niccolò Machiavelli (1469-1527) ishte filozof, politikan, diplomat, kronist, shkrimtar dhe poet italian. Kryevepra e tij është «Princi» («Il Principe»). Maksima pragmatike e Machiavellit në këtë vepër është kjo: qëllimi i arsyeton mjetet. Parakusht për një shtet të fuqishëm, sipas Machiavellit, është aftësia e sundimtarit për të mbrojtur pushtetin e tij me të gjitha mjetet dhe pa marrë parasysh çmimin. Mehmet Aliu duket se e dëgjoi me vëmendje porosinë e Machiavellit, andaj duke u bazuar në modelin europian ai themeloi ushtrinë e Egjiptit të përbërë nga 90 mijë pjesëtarë dhe ndërtoi një flotë të organizuar mirë.

Në fillim Sulltan Mahmuti i II-të me shumë dëshirë e shfrytëzonte ndihmën e armatës efikase të Mehmet Aliut. Kur vahabitët, të prirë nga dinastia e Al-Saudëve, pushtuan Mekën, Sulltan Mahmuti i II-të i kërkoi ndihmë Mehmet Aliut. Shqiptari i përzuri vahabitët nga Meka dhe ia dorëzoi osmanëve imamin e vahabitëve, Abdallah I. ibn Saud. Më 1818 imami i vahabitëve u ekzekutua në Stamboll me heqje koke.

Related posts

‘Armikja e dashurisë është krenaria, nuk na lë të kërkojmë ndjesë për fjalët e folura pa menduar’

Admin

“Kohë për rrëfim”/ Libri më i ri i Ismail Kadaresë

Admin

Tiranë: Del studimi mbi pandeminë “Asgjë nuk do të jetë si më parë”

Zekirija Haxhiu

Numri i shqiptarëve në Shkup, Tetovë e Gostivar në statistikat e vitit 1908

Admin

Sot shënon ​43 vjetori i vdekjes së Charlie Chaplin

Lea Musliju

Letrat që Luigi Pirandello ia shkroi Zef Skiroit

Admin

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More