30 C
Los Angeles
August 8, 2022
DailyNews – MK
Maqedoni TOP LAJM

Kompletim më i shpejtë i skriningut dhe ndryshime kushtetuese për një hap përpara në integrimet evropiane

Shkup, 4 gusht – Anëtarësimi në BE sipas vlerësimeve të analistëve të huaj është trajektore natyrore e lëvizjes së Maqedonisë së Veriut, ndërsa propozimi francez në afatgjatë do të dëshmohet si i mirë për qytetarët e vendit. Qeveria e re teknike e Bullgarisë, nga ana tjetër, vlerësojnë se nuk mundet dhe nuk do të kërkojë rishikim të vendimit për zhbllokimin e perspektivës evropiane për Shkupin. Mesazhi i pushtetit është se nuk ka kthim prapa nga procesi i nisur negociues, duhet sa më shpejt ta kompletojmë skriningun dhe të përfundojmë detyrimet me ndryshimet kushtetuese nga përfshirja e pjesëve të popujve që jetojnë në vend.

Riçard Kremer, njohës i mirë i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor nga organizata Aleanca SHBA – Evropë në Uashington në intervistën për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase, vlerësoi dje se kundërshtimet për pranimin e propozimit francez janë për shkak të emocioneve të shtuara për momentin, por që në planin afatgjatë të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut do ta vlerësojnë anëtarësimin në BE.

Ai përshëndeti hapin politik përpara që pas 17 vitesh nga marrja e statusit kandidat, Maqedonia e Veriut filloi negociatat e anëtarësimit dhe shprehu kënaqësinë e tij që edhe Shqipëria është në pako me Maqedoninë e Veriut.

Çka është e radhës? Është pyetja prej 64.000 dollarë, siç themi ne. Kjo duhet të kishte ndodhur shumë më herët, në nëntor të vitit 2019. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë aspiruar prej kohësh për në BE dhe të dyja vendet janë të orientuara drejt demokracive perëndimore, jo regjimeve autoritare”, thotë Kremer.

Ai nuk sheh probleme në organizimin e ndonjë referendumi për një çështje të rëndësishme, por thekson se Maqedonia e Veriut ka një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike, platforma e së cilës thekson fillimin e negociatave me BE-në.

“Ka pasur kompromise. Bullgaria duhej të bënte lëshime, po ashtu edhe Maqedonia e Veriut. Kështu bëhet përparim. Jo të gjithë janë gjithmonë të lumtur të bëjnë kompromis, por ky është thelbi i negociatave. Kundërshtimet për pranimin e propozimit francez janë për shkak të emocioneve të shtuara për momentin. Por në plan afatgjatë, mendoj se të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut do ta vlerësojnë anëtarësimin në BE dhe NATO, që është një trajektore e natyrshme ku vendi po lëviz aktualisht”, shton Kremer.

Sipas tij, parashikimet e disa analistëve janë të realizueshme, se deri në vitin 2030 Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të bëhen pjesë e familjes evropiane.

Analisti amerikan paralajmëron gjithashtu se rajoni është i prekshëm nga përhapja e propagandës ruse vetëm nëse qytetarët besojnë në dezinformata të ndryshme, burime informacioni të paverifikuara dhe të dyshimta.

Për sa kohë që SHBA do të vazhdojë të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor që të bëhen demokraci të konsoliduara të tregut të lirë dhe të hapur, do t’i ndihmojë ata të integrohen më lehtë në BE, thotë ai.

Me deklaratën unilaterale lidhur me gjuhën maqedonase, Bullgaria gjegjësisht e shpiki “një formulë artificiale” me të cilën bëhet përpjekje “për të mos thënë se e njeh gjuhën maqedonase” dhe me këtë u krijua barrierë në marrëdhëniet midis dy vendeve, vlerëson profesori i Universitetit të ri të Sofjes, Mihail Ivanov në intervistë për BNR-në.

Sipas Ivanovit i cili është bashkëthemelues i Klubit të miqësisë bullgaro-maqedonase dhe këshilltar i dikurshëm i çështjeve etnike të ish-presidentit bullgar, Zhelu Zhelev, kërkesa e Bullgarisë për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e vendit tonë paraqet “këmbëngulje të pamenduar mirë” të nacionalistëve bullgarë, pasi në këtë mënyrë vihet dallim i qartë etnik kushtetues midis maqedonasve dhe bullgarëve.

“Kjo do të thotë përfshirje (e bullgarëve) në Preambulë së bashku me popullin maqedonas si bashkësi etnike e veçantë. Në Preambulë flitet për shqiptarët, serbët, turqit, boshnjakët si edhe për bashkësitë e tjera etnike. Jorastësisht këtë e kundërshton organizata lidere e bullgarëve nga Shkupi dhe insiston kjo të mos ndodhë”, thotë Ivanov.

Ai potencon se për të është çudi që nacionalistët bullgarë me zë të lartë trumbetojnë se bullgarët dhe maqedonasit janë popull i njëjtë ndërsa në të njëjtën kohë dëshirojnë të vendosin dallim të qartë kushtetues dhe etnik midis maqedonasve dhe bullgarëve.

“Problemi me fillimin e negociatave aderuese me Maqedoninë sikur ka kaluar në plan të dytë. Nga ana tjetër, Bullgaria për momentin nuk ka shumë hapësirë manovruese, pasi gjërat tani janë në Komisionin Evropian, i cili do t’i udhëheqë negociatat me Republikën e Maqedonisë”, shton Ivanov.

Sipas tij, Qeveria e re zyrtare e Bullgarisë nuk mundet dhe nuk do të kërkojë rishikimin e vendimit për zhbllokimin e perspektivës evropiane për Shkupin, pasi për momentin pala bullgare nuk ka shumë mundësi për të ndërmarrë ndonjë hap.

Ndërkohë, kryeministri Dimitar Kovaçevski edhe një herë përsëriti se sa i përket bisedimeve me BE-në është optimist racional. Ai tha se para nesh është një hap i ri në zhvillimin e shtetit. Tashmë kemi filluar procesin e bisedimeve dhe nga ai proces nuk ka kthim prapa. Duhet, theksoi ai sa më shpejtë ta kompletojmë skriningun dhe t’i përfundojmë detyrimet nga përfshirja e disa popujve të cilët jetojnë në vend.

“Jam optimist racional sa i përket bisedimeve, ndërsa kjo nënkupton se besoj në realizimin e qëllimit, punoj në atë dhe qëllimi do të realizohet. Ky është proces i pakthyeshëm që ecën përpara, që e çon shtetin përpara, proces nga i cili nuk ka kthim prapa, nuk ka as majtas, as djathtas. Nga të gjithë ne varet se sa shpejtë do të ecim para dhe sa shpejtë do të bëhemi anëtare e BE-së”, potencoi Kovaçevski.

Gjatë votimit të konkluzioneve të propozimit evropian nga Këshilli i Evropës për fillimin e negociatave të shtetit me Bashkimin Evropian, siç tha, çdo deputet e ka shprehur lirshëm vullnetin e tij.

E njëjta gjë duhet të jetë edhe me ndryshimet kushtetuese, sepse bëhet fjalë për përfshirjen e pjesëve shtesë të kombeve të tjera në preambulën e Kushtetutës sonë. Kjo e rrit homogjenitetin, e rrit kapacitetin e shtetit”, tha kryeministri Kovaçevski në paraqitjen në TV Kanal 5.

Ai  nënvizoi se çdo deputet, pavarësisht përkatësisë së tij politike apo fetare, ka obligim ndaj qytetarëve që të marrë vendime që do të thotë një e ardhme më e mirë për këtë gjeneratë dhe gjeneratat e ardhshme të shtetit.

“Aderimi më i shpejtë në BE do të thotë zhvillim më i shpejtë ekonomik, drejtësi më e madhe sociale dhe zhvillim më i madh i të gjitha segmenteve të tjera të shoqërisë sipas shembullit të vendeve evropiane”, theksoi kryeministri.

Në suazat e përpjekjeve tona për integrim të tërësishëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, kemi qëllim të vendosur t’i përmbushim të gjitha kushtet e kapitujve të negociatave evropiane, por nuk kemi qëllim me cilindo në vend të vlerave evropiane të bisedojmë për ripërtëritjen e koncepteve dhe ideve imperialiste të shekujve të kaluar, theksoi nga ana tjetër, presidenti Stevo Pendarovski.

“Koncepti i Evropës së Bashkuar na jep shansin më të mirë ta përmbyllim zhvillimin e Maqedonisë së Veriut si republikë evropiane bashkëkohore. Këto përpjekje janë flijimi i brezit tonë për të rinjtë tanë dhe për të ardhmen e tyre. Por, që e gjithë kjo të mos shkojë kot, na pret një punë enorme e papërfunduar në shtëpi ku duhet të vazhdojmë ta ndërtojmë shtetin si të drejtë dhe progresiv në të cilin qytetarët maqedonas do të kenë jetë me dinjitet, arsim të mirë, shëndetësi cilësore dhe sistem efikas juridik që do të shkatërrojë krimin dhe korrupsionin”, tha Pendarovski.

Related posts

Afrim Gashi i ka kërkuar Zaevit dy ministri?

admin

VMRO: Pasqyrim i gjendjes reale të shtetit

admin

Në Kuvend sot mbahet seancë për pyetje të deputetëve

admin