18.5 C
Los Angeles
November 29, 2021
DailyNews – MK
Bota

Kina – 20 vite kontribut në Organizatën Botërore të Tregtisë

Më 11 Dhjetor 2001, Kina është pranuar zyrtarisht në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT). Arritjet e saj që atëherë kanë qenë të jashtëzakonshme. Prodhimi i Brendshëm Bruto i Kinës në vitin 2001 ishte rreth 13% e atij të SHBA. Njëzet vjet më vonë, ky raport ka arritur në 70%. Në vitin 2020 ekonomia e Kinës renditet e dyta mbas asaj të SHBA. Prodhimi i Brendshëm Bruto arrin në 14 736 miliard dollarë amerikanë, ndërsa i SHBA në 21 039 miliard dollarë amerikanë. Në vitin 2001, Kina ishte eksportuesja e gjashtë e mallrave në botë. Që nga viti 2009, ajo ka qenë eksportuesja më e madhe në botë e mallrave, duke tejkaluar edhe bllokun e BE-së nga viti 2014 e tutje. Aktualisht Kina është kontribuuesja më e madhe në tregtinë globale. Në vitin 2020 Kina zë vendin e pare në botë të tregtisë së mallrave dhe shërbimeve.

Globalizimi dhe rritja e fuqisë prodhuese të Kinës, pas hyrjes së saj në Organizatën Botërore të Tregtisë në veçanti, është konsideruar si faktor i nivelit të ulët dhe të qëndrueshëm të inflacionit në rang global gjatë dy dekadave të fundit. Nëpërmjet politikave të saj të kërkesës dhe ofertës si dhe të politikave industriale, ekonomia kineze ndikon si në nivelin e inflacionit të brendshëm edhe të atij global.

Ky ndikim i atribuohet kërkesës së Kinës dhe jo ofertës së saj. Shitjet e reja të makinave në Kinë ishin vetëm 11% e atyre të SHBA-së në vitin 2000. Megjithatë, vitet e fundit ato janë 60% mbi shitjet e makinave të reja në SHBA. Ritmi i shpejtë i urbanizimit, i parë në Kinë gjatë dy dekadave të fundit, është shoqëruar me rritje të fortë në ndërtimin dhe shitjet e banesave.

Në rang global përgjithësisht kriza Covid-19 ka përkeqësuar perspektivën e prodhimit pasi ka ndërprerë zinxhirët e furnizimit. Megjithatë treguesit kryesorë ekonomikë të Kinës gjatë vitit 2021 nuk kanë treguar ndonjë tkurrje ose thyerje të zinxhirëve të furnizimit. Kërkesa e brendshme dhe e jashtme është në rritje. Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikës, rritja ekonomike në vitin 2021 vazhdon me ritme të larta. Në tremujorin e tretë prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 4.9 përqind nga viti në vit, në tremujorin e dytë u rrit në 7.9 përqind dhe në tremujorin e parë në 18.3 përqind. Investimet e huaja direkte të Kinës jashtë vendit arritën në 71.4 miliardë dollarë amerikanë në gjysmën e parë të 2021 ose 12.3 përqind më shumë krahasuar me gjysmën e parë të 2020. Europa ishte destinacioni kryesor i Kinës jashtë vendit në gjysmën e parë të vitit me një rritje në 210 përqind rritje nga viti në vit. Parashikimi është që investimet totale të huaja jashtë vendit në 2021 do të arrijnë në 160 miliardë dollarë amerikanë, duke tejkaluar nivelin e vitit 2020.

Në këto vite Kina ka aplikuar në vazhdimësi atë që quhet “sistemi i tregtisë shumëpalëshe”, i zbatuar nga OBT-ja, mbi bazën e të cilit ndiqen dy parime shumë të rëndësishme, (1) tregti “pa diskriminim” dhe (2) “tregti më e lirë”. Tregti “pa diskriminim” do të thotë se të gjithë partnerëve tregtarë të një vendi u jepet në mënyrë të barabartë “statusi si komb më i privilegjuar” dhe “tregti më e lirë” do të thotë të reduktohen vazhdimisht pengesat tregtare, si tarifat, ndalimi i importit, kuotat e importit, etj

Një punë madhështore është bërë përgjatë tërë kësaj periudhe nga ana e qeverisjes qendrore me përmirësimin e më shumë se 2300 neneve të ligjeve të ndryshme, paralelisht me punën që ka bërë qeverisja vendore me rishikimin e më shumë se 190.000 rregullave për nxitjen e ekonomisë dhe biznesit.

Anëtarësimi i Kinës në OBT tashmë konsiderohet si një sukses jo vetëm për Kinën dhe sistemin e saj ekonomik, por edhe për vetë OBT-në dhe anëtarët e tjerë të saj, që janë partnerë të Kinës, e cila është tashmë më e fortë dhe më e gatshme të kontribuojë edhe më shumë dhe me më shumë përgjegjshmëri në arenën ndërkombëtare.

E nxitur nga një vizion i ri zhvillimi, ekonomia kineze po kalon nga një rritje e shpejtë në zhvillim me cilësi të lartë. Kina është bërë një stabilizues dhe forcë lëvizëse e madhe për ekonominë botërore.

Kina ka ndryshuar tregtinë botërore dhe tregtia globale ka ndryshuar Kinën. Kina gjithashtu ka forcuar mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale. Janë krijuar gjykatat e posaçme për të drejtat e pronësisë intelektuale në Pekin, Shangai dhe Guangzhou, si dhe organet e posaçme juridike në 15 gjykatat e ndërmjetme. Krahas hapjes së mëtejshme, Kina jo vetëm përjetoi ndryshim të madh, por edhe ka dhënë kontribut për botën.

Related posts

RCEP, marrëveshje që nxit zhvillimin ekonomik

admin

Biden për herë të parë informohet për çështje të sigurisë kombëtare, nga janari merr detyrën si president

admin

Ekspertët e marketingut po përpiqen që të fusin reklamat edhe në ëndrra – paralajmërojnë shkencëtarët

admin