13 C
Los Angeles
December 3, 2021
DailyNews – MK
Kosovë

Gjykata konstaton se ish-prokurori Sylë Hoxha e kishte fyer zv.kryeprokuroren e Shtetit, Sevdije Morina

Gjykata e Prishtinës e ka aprovuar pjesërisht kërkesë-padinë e zv.kryeprokures së Shtetit, Sevdije Morina, lidhur me padinë për shpifje dhe fyerje ndaj ish-prokurorit special, Sylë Hoxha.

Gjykata e Prishtinës, përkatësisht gjyqtari i rastit Përparim Zeka, ka marrë aktgjykim me anë të të cilit ka konstatuar se ish-prokurori Sylë Hoxha e ka fyer zëvendëskryeprokuren e Shtetit, Sevdije Morina, në një deklaratë të tij të dhënë në një konferencë për media në vitin 2015.

Lajmin për Kallxo.com e ka konfirmuar përfaqësuesja ligjore e paditëses, avokatja Albana Kelmendi.

Përmes aktgjykimit, Gjykata e ka detyruar ish-prokurorin Sylë Hoxha që në emër të kompensimit të dëmit jo-material për dhembjet e pësuara shpirtërore për shkak të cenimit të autoritetit dhe nderit, t’ia paguaj zv.kryeprokurores shumën në vlerë prej 2 mijë e 500 eurove.

Lidhur me pjesën tjetër të kërkesë-padisë për kompensimin e dëmit në vlerë totale prej 20 mijë eurove, shumën tjetër prej 17 mijë e 500 eurove, gjykata e ka refuzuar, përderisa ka aprovuar shumën e kompensimit të dëmit në vlerë prej 2 mijë e 500 eurove.

Gjykata po ashtu ka refuzuar edhe kërkesën për kërkim-faljen publike nga ana e të paditurit.

Lidhur me vendimin e Gjykatës së Prishtinës, ish-prokurori Sylë Hoxha ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Zëvendëskryeprokurorja e Shtetit, Sevdije Morina i ka kërkuar ish-kryeprokurorit të Prokurorisë së Prizrenit dhe ish-prokurorit të Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, kompensim dëmi në vlerë prej 20 mijë eurove në emër të shpifjes dhe fyerjes që ajo pretendon që i ka shkaktuar Hoxha gjatë deklaratave të tij të dhëna në një konferencë për media.

Sipas paditëses, me 16 mars 2015, i padituri Sylë Hoxha që në atë kohë mbante pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, në një konferencë për media e kishte fyer rëndë paditësen. Sipas paditëses ish-prokurori Sylë Hoxha kishte thënë të pavërteta në drejtim të prokurores Sevdije Morina, e cila në atë kohë mbante pozitën e ushtrueses së detyrës së kryeprokurores së Prokurorisë Speciale.

“Është iniciuar shkarkimi im nga dy prokurorë, Znj Sevdije Morina e cila vazhdon atë që e kishte filluar Rrahman Morina në vitin 1989 dhe mbështetur nga Idain Smajli, i cili gjatë viteve të nëntëdhjeta ka shërbyer si gjyqtar deri në kohën e pak para vitit 1999 dhe i njëjti i ka shërbyer regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe ka zbatuar ato ligje diskriminuese të cilat ne i luftonim me mjete paqësore deri në vitin 1997”, thuhet të ketë deklaruar i padituri.

Me këtë deklaratë sipas paditëses, i padituri ka fyer rëndë paditësen dhe familjen e saj duke aluduar në familjarë të cilët nuk jetojnë prej një çerek shekulli dhe duke krahasuar kërkesën e paditëses për shkarkimin e tij me veprimet e kohës kur kundër shqiptarëve (jo kundër të paditurit) janë bërë represalje (në shqip. kundërsulme). Me transmetimin e kësaj deklarate në të gjitha mediat elektronike dhe të shkruara sipas paditurës ka ndikuar që paditësja të ndjehet keq në vendin e punës, në familje dhe në rrethin ku jeton.

Po ashtu sipas zv.kryeprokurores Sevdje Morina, i padituri, ish-kolegu i saj Sylë Hoxha, ka shpifur kur në konferencën për media ka deklaruar se Sevdije Morina në cilësinë e u.d. të kryeprokurores së Prokurorisë Speciale me veprimet e saj ka dëmtuar qytetarët e Kosovës pasi që e njëjta është takuar me Prokurorinë e krimeve të rënda në Serbi dhe duke u dhënë atyre informacione në bazë të të cilave Prokuroria për krime lufte në Serbi ka lëshuar fletë arreste ndaj qytetarëve të Kosovës.

“E nderuara, znj.Morina… Si e arsyetoni se gjatë kësaj kohe kjo Prokurori ka zhvilluar takime me Prokurorinë për krime lufte në Serbi dhe si e shpjegoni që tërë kohën Serbia lëshon fletarreste ndërkombëtare kundër shtetasve kosovarë me të njëjtat dokumente që merren nga kjo Prokurori. A keni dijeni për këtë dhe sa është hisja e përgjegjësisë për ju personalisht si pjesë e menaxhmentit në këtë prokurori”, pretendohet të ketë deklaruar ish-prokurori Sylë Hoxha.

E që sipas paditëses, deklaratat e tilla, ish-prokurori Hoxha i ka bërë me qëllim të dëmtimit të reputacionit të paditëses si prokurore, u.d. kryeprokurore e PSRK-së, duke e ditur se ajo informatë nuk është e vërtetë.

Sipas padisë, i padituri Sylë Hoxha, duke qenë në pozitën e prokurorit si dhe më pas edhe të ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit ka pasur dijeni se paditësja nuk ka zhvilluar asnjëherë asnjë takim me Prokurorinë për krime lufte në Serbi.

Më këto veprime sipas paditëses, i padituri i ka shkaktuar asaj dëm moral dhe dëmtim të reputacionit.

Related posts

Dalin shtesat për muajin tetor për 86 mijë fëmijë përfitues

admin

Besnik Bislimi pohon se marrëveshja Kosovë-Serbi do të arrihet brenda mandatit të Kurtit

admin

Vitia e pyet Ramën: Nëse ia doni kaq shumë të mirën Prishtinës, pse s’u bëtë kandidat i pavarur?

admin