18.3 C
Los Angeles
January 22, 2022
DailyNews – MK
Kulturë

Gjeçovi, etnolog dhe studiues i shquar i kulturës popullore

Ma. Theodhora Lena

Përmbledhje

Ky punim synon t’i identifikojë disa prej çasteve më të rëndësishme të jetës së Shtjefën Gjeçovit bazuar në dorëshkrime të dokumenteve të botuara që ruhen në Fondin 58 të Arkivit Qendror Shtetëror. Shqyrtimi i sipërfaqshëm i dokumenteve të këtij fondi krijon përshtypjen se kemi të bëjmë me një personalitet që ka lënë gjurmë të thella dhe kontribut të vlefshëm në zhvillimet e kohës gjatë së cilës jetoi, në dekadën e fundit të shek. XIX dhe tri dekadat e para të shek. XX. Koha kur jetoi dhe veproi Gjeçovi ishte periudha më e rëndësishme për çlirimin kombëtar, periudhë kyçe për krijimin dhe konsolidimin e shtetit të Shqipërisë së pavarur. Gjeçovi u bashkua dhe veproi në bashkëpunim me shumicën e personali­teteve të shquara të Rilindjes të cilët u përpoqën ta zgjonin bashkimin kombëtar të shqiptarëve përmes zhvillimit të arsimit dhe kulturës në gjuhën shqipe, duke theksuar traditat e njohura dhe prejardhjen e popullit shqiptar, si dhe përmes përpjekjes për liri dhe pavarësi. Veprimtaria e tij klerikale i jepte mundësinë ta njihte drejtpërdrejt jetën e popullsive të zonave ku punonte dhe jetonte. Në të njëjtën kohë ishte vëzhgues i vëmen­dshëm i gjithçkaje rreth tij. Gjeçovi shënonte në fletoret e tij gjendjen e vështirë në të cilën jetonin shqiptarët, doket e zakonet që rregullonin marrëdhëniet në mes të njerëzve, sjelljen përballë autoriteteve qeveritare, sjelljen ndaj pushtuesve etj. Të gjitha këto i përdori për studimet e tij me karakter letrar dhe fetar. Këto janë pjesërisht të botuara, dhe pjesa më e madhe e tyre ruhet në dorëshkrimet e tij në Arkivin Qendror Shtetëror. Studimet dhe botimet e Gjeçovit mbulojnë shumë fusha, por në këtë punim tonin do të marrim parasysh ato me karakter etnologjik. Për të kryer këtë punim jam përpjekur t’i përzgjedh dokumentet që paraqesin në mënyrë sa më dinjitoze këtë personalitet të Lëvizjes Kombëtare Shqip­tare. Po ashtu, pavarësisht prej faktit se për Shtjefën Gjeçovin ka shumë botime që paraqesin aspekte të ndryshme të veprimtarisë së tij krijuese dhe patriotike, mbështetur në dokumentet e pasura që ruhen në fondin e tij, duhen kryer studime më të thella për të bërë të njohur kontributin e tij.

Fjalë kyçe: Shtjefën Gjeçovietnografifolklor

Fondi i Shtjefën Gjeçovit përmban materiale të shumta arkivore, të cilat nga njëra anë e paraqesin atë si një studiues të shquar në shumë fusha të shkencës dhe nga ana tjetër e paraqesin si një arkivist të pasionuar, i cili, edhe pse u transferua gati 20 herë nga një krahinë në tjetrën, tregoi një kujdes të veçantë për të ruajtur të gjitha shënimet nga vëzhgimet që bënte, dorëshkrimet e krijimeve të veta, dokumente apo dhe kopje të dokumenteve të ndryshme etj. I ruante me fanatizëm në arkivin e tij të cilin e mbante gjithnjë me vete kudo ku shkonte. Ato përbëjnë një burim shumë të rëndësishëm edhe sot e kësaj dite për studime në disa fusha të shkencës. Në radhë të parë, ato i kanë shërbyer vetë Gjeçovit për të kryer studime me vlerë, më së pari në fushën e etnologjisë, që e paraqesin atë si një etnolog të mirëfilltë. Të dhënat e shumta që përmban fondi i tij mbi trashëgiminë kulturore popullore ai i siguroi nga shërbimet si famullitar në vise të ndryshme të Shqipërisë Veriore ashtu edhe nëpërmjet ekspeditave të posaçme të ndërmarra prej tij për këtë qëllim. Shtjefën Gjeçovi shprehet me keqardhje se nuk mund të ndërmarrë studime të tilla në Shqipërinë e Mesme e të Jugut. Lidhur me këtë ai e priti me shumë dëshirë e kënaqësi të veçantë transferimin e tij në Vlorë sepse shpresonte se kështu do të kishte mundësi të vilte material me interes edhe në këto vise të jugut të Shqipërisë. Por situata në të cilën u ndodh atje gjatë qëndresës e luftës kundër pushtuesve italianë nuk ia mundësuan këtë gjë. Ndërsa në vitin 1924, në kohën e qeverisë së Nolit, Ministria e Arsimit dhe ajo e Brendshme e autorizoi atë të ndër­merrte ekspedita për mbledhjen e të dhënave etnologjike në Shqipërinë e Jugut e të Mesme. Por kjo mundësi nuk u realizua pas ndryshimeve që ndodhën me ardhjen e Ahmet Zogut në pushtet.

Pasioni dhe vëmendja që ua kushtoi Gjeçovi studimeve në fushën e etnologjisë kishin synim të sillnin argumente të pakundërshtueshme shkencore mbi lashtësinë e kulturës shqiptare, të gjuhës e të traditave në përgjithësi. Ai e konsideronte mbledhjen dhe bërjen të njohur të visareve të kombit shqiptar si një detyrë në radhë të parë patriotike.

Në fondin e Shtjefën Gjeçovit, që ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror, ndodhen në dorëshkrim shumë vepra me karakter etnografik, ndër të cilat veçojmë: “Laç-Sebaste-Kurbin”, “Rrenesa e kombit shqiptarë në Malci” (1908), “Vajtorësja”, me vajtime të bëra në raste vdekjesh, grash, nusesh, djemsh, burrash, bajraktarësh etj. “Doke vdekjesh”[1] (1900-1907), “Symshitas” (Mësheftas) lojëra fëmijësh. Ndodhet edhe një studim “Mbi besimet e  ndryshme”[2], studimi tjetër “Doke dorzemsh në Kanun të Maleve”[3], “Gjama e Dukagjinit në rast vdekjesh”[4], pjesë nga shënimet e veprës “Kanuni i Lekë Dukagjinit”[5] etj.

Gjeçovi e filloi veprimtarinë e tij në këtë fushë si amator i thjeshtë, por me punën e tij të vazhdueshme arriti rezultate të shumta. Ai dallohet si profesionist i specializuar në degë të etnologjisë. Pati një përgatitje të plotë në këtë veprimtari. Njihte në gjerësi kulturën e lashtë të vendit tonë dhe kulturën popullore e fitoi që në bankat e shkollës, por e zgjeroi duke studiuar me kujdes gjithë autorët klasikë dhe duke lexuar çdo vepër që i kushtohej kulturës së lashtë, me anë të shërbimeve në treva të ndryshme të vendit dhe me anë të ekspeditave të veçanta për këtë qëllim.

Në Elbasan mblodhi fjalë të rralla dhe norma kanunore që nuk i kishte dëgjuar në krahina të tjera të cilat i hodhi në fletoren e vet që ndodhet në AQSh[6] ku, ndër të tjera, veçoi shprehjen me këto vargje: “Kur bie shiu në korrik, bahet misri me shinik; kur bie shiu në gusht, bëhet misri me grusht”.[7]

Në Zym filloi të hedhë në letër rezultatet e punës së tij në fushën e etnografisë, folklorit, historisë etj. Edhe në Kosovë mblodhi mjaft material etnografik.

Në dorëshkrimet e tij gjejmë mjaft shënime të shkruara në Gjakovë dhe në Zym. Po vëmendja e tij u përqendrua kryesisht tek e drejta zakonore shqiptare, e përmbledhur në atë që ai e quajti thjesht “Kanuni”.

Që në vitin 1911 Gjeçovi i hyri punës për përmbledhjen e të drejtës zakonore në një vepër të veçantë të titulluar “Kanuni i maleve”. Gjatë ditëve të qëndrimit në Zym nuk pushoi së mbledhuri edhe krijimtari nga letërsia gojore. Mblidhte këngë, anekdota, fjalë të urta, sidomos nga e drejta zakonore e popullit; i studionte ato deri natën vonë me vëmendje të madhe, madje shumicën e tyre i mësonte përmendsh. E shtriu veprim­tarinë e tij në çdo fushë të etnografisë dhe kudo dha kontributin e tij të vlefshëm, në mënyrë të veçantë u dallua në studimin e kulturës shoqërore të popullit. U mundua të krijonte një koleksion me objekte etnografike. Në fondin e objekteve të kulturës e materialeve të grumbulluara prej tij gjejmë shpata e kama, shishe e brisqe, lugë e pirunë, medaljone, rruaza e tespihe, bukë të gatuara me farë liri dhe pluhur sharre, me të cilën ushqehej populli i Shkodrës gjatë rrethimit në vitin 1913 etj. Në arkivin e tij ruajti fotografi të ndryshme që paraqesin veshje, banesa, armë etj. Në mënyrë të veçantë është interesuar edhe për veshjet popullore. Pikën kulmore e përbën përmbledhja që realizoi për të drejtën zakonore të njohur me titullin Kanuni i Lekë Dukagjinit, duke i bërë një shërbim të pakrahasueshëm shkencës shqiptare. E drejta kanunore e popullit shqiptar në variantin e Dukagjinit, po të mos ishte mbledhur prej Gje­çovit, do të kishte pasur fatin siç ndodhi me shumë elementë të Kanunit të Skën­derbeut, të Labërisë etj.

Gjatë punës së tij dha për shtyp, herë pas herë, disa pjesë të zgjedhura nga kanuni i Lekës, po një përmbledhje të plotë dhe një botim në tërësi të veprës nuk arriti ta bënte, sepse e quante ende të papërfunduar. Vetëm pas vdekjes së tij janë bërë botime të Kanunit në gjuhën shqipe dhe në disa gjuhë të huaja. Vepra u botua si vëllim më vete në vitin 1933 dhe e bëri atë më të njohur jo vetëm brenda vendit, por edhe në botë. Në këtë vit është botuar vetëm një pjesë e punës së Gjeçovit për të drejtën zakonore të popullit shqiptar. Në të nuk u përfshi gjithë materiali që kishte përgatitur autori për botim nga kjo e drejtë. Mblodhi një material shumë të gjerë etnokulturor që lidhej me këtë të drejtë, të cilën e shfrytëzoi gjatë kodifikimit të Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Vepra u konsiderua si e drejtë krejt interesante, ndoshta më të vjetrat ligje të Evropës, dhe theksohej se do të ishte një gjë e rëndësishme, që Evropa të njohë se çfarë ka ruajtur kombi i vogël shqiptar nga veprat e mëdha të kulturës.

Më 1941 kjo vepër u përkthye në italisht. Më vonë është përkthyer edhe në anglisht. Në vitin 1999, me rastin e botimit në këtë gjuhë, u organizua në Amerikë edhe një simpozium ndërkombëtar ku folën edhe disa studiues të huaj.

Mund të thuhet se ideja për ta mbledhur të drejtën zakonore Shtjefën Gjeçovit i kishte lindur ndoshta në vitin 1893, kur shkonte për t’i dëgjuar leksionet e albanologut Talosti. Në këto leksione Gjeçovit i bëri përshty­pje fakti se ilirët nuk kanë lënë gjë të shkruar, që të vërtetohet vazhdi­mësia iliro-shqiptare. Përfundimet që trumbetonte propaganda e huaj antishqiptare ishin të hidhura për Gjeçovin, se “populli shqiptar nuk është pasardhës i ilirëve, nuk është autokton në trojet e veta, nuk ka gjuhë të zhvilluar, nuk ka kulturë të vetën origjinale, madje nuk ka kulturë fare”.

Kuptohet qartë se që nga viti 1898 kishte vendosur t’i futej fushës së etnokulturës shqiptare. Mungesa e studimeve të plota etnokulturore i kishte dhënë dorë propagandës antishqiptare. Studimet e disa autorëve të huaj, të disa konsujve austro-hungarezë, nuk mund t’i bënin ballë kësaj propagande të fuqishme që sponsorizohej nga qarqe antishqiptare. Këtë duhet ta bënin vetë shqiptarët, dhe ky ishte një objektiv i lëvizjes sonë kombëtare, përfaqësuesit më me zë të së cilës u morën edhe me këtë çështje. Por deri në atë periudhë nuk ishte arritur ndonjë gjë në fushën e etnokulturës. Gjeçovi e kuptoi këtë që kur ishte student dhe vendosi t’i futej kësaj fushe. Tri vitet e fundit të shkollimit i shfrytëzoi për t’u përgatitur. Lexoi një literaturë të gjerë, mbajti shënime dhe kur u kthye në atdhe ishte gati për ta përballuar këtë punë voluminoze e të vështirë. Zgjodhi fushën e etnokulturës, veçanërisht të drejtën zakonore. Ndërsa zhguni i fratit françeskan, autoriteti që i jepte kisha, i krijoi mundësi atij të futej në çdo shtëpi dhe në çdo skutë të jetës së shqiptarit. I dha besimin e duhur që t’i hapte tërësisht të gjitha dyert e t’i falin visaret kombëtare.

Kisha si institucion nuk e pengoi për ta mbledhur këtë visar të çmuar. Për më tepër, pa dashur dhe duke e transferuar shumë herë në zona të izoluara, ata i krijuan mundësi për ta shtrirë mjaft zonën e kërkimeve të tij krahasuese e përgjithësuese. Natyrisht që kjo ishte vetëm një mundësi, që me talentin e tij dhe atdhedashurinë e vet e shfrytëzoi në maksimum. “Kanuni i Lek Dukagjinit është e drejta zakonore e popullit të një zone të zgjeruar të Malësisë së Veriut, kryesisht të krahinës etnografike të Dukagjinit”.

Duke folur për qëllimin pse e bëri këtë vepër, ai nënvizoi: “Kanuja asht ba për me shporr të keqen e rrezikun e jo me  fikë nierin”. Në një tjetër shkrim ku bëhet fjalë për dasmën ai veçon se: “Kaq e rrebët asht faqe kanus kjo ditë (dita e dasmës) qi, edhe me kenë tuj dekë, krushqit shkojnë për me e marrë nusen. Kjo ditë s’luhet, edhe me kense i des kush mu në at’ë ditë dhënrit në shpia edhe në shpi të nuses… Kanuni i krushqis është i rrebtë e s’ka gja qi  mund t’ia pres udhën”.[8]

Kanuni ishte i rreptë, se kishte si qëllim me e shporrë të keqen e rrezikun, e jo me e fikë nierin, thoshte Gjeçovi. Këtë rrezik e të keqe e shmangte pa organe të posaçme, siç janë sot, po vetëm me forcën e tij.

Mund të themi se vepra e Gjeçovit, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, është një nga arritjet më të mëdha në etnografinë shqiptare. Vepra e tij është përpjekja më vigane që ua zbulon shqiptarëve botën e tyre, ndërgjegjen e tyre, të psikologjisë së thjeshtë. Gjeçovi diti ta vlerësojë personalitetin e malësorëve, pas atyre rrobave të grisura, brenda atyre gjokseve katrore e leshtake, zbuloi një personalitet për t’u admiruar, një fuqi krijuese e për më tepër, një vlerë të paçmuar (thoshte Fishta).

Nuk është i pari që u interesua për kanunin, por Gjeçovi ka meritën se bëri regjistrimin më të plotë të pasur të kësaj të drejte kanunore, duke ruajtur origjinalitetin e  rregullave të kanunit ashtu siç i gjeti në popull.

Vepra është shkruar në një gjuhë të pastër dhe stil të thjeshtë e konciz, mbi bazën e gjuhës së popullit. Shprehjet e malësorëve janë vënë ashtu siç janë thënë, pa zbukurime. Ato dallohen për mendimin e thellë filozofik, për elokuencën dhe ndërtimin e qartë.

Vepra deri më sot është konsideruar se ka të bëjë me letërsinë popullore dhe si material juridik në lëmin e së drejtës zakonore. Kanuni i Lekë Dukagjinit ka vlera të mëdha historike e shoqërore. Ai përmban zakone, ligje e norma juridike që u përkasin etapave të ndryshme të zhvillimit historik të shoqërisë sonë. Shtjefën Gjeçovi i mblodhi dhe i kodifikoi ato jo për t’i ruajtur nga shkatërrimi, por për t’ia dhënë popullit e për t’i zbatuar në jetën e përditshme. Nga ana tjetër, prej kohësh kishte kuptuar se ç’dëm të madh i sillte popullit shqiptar zakoni i hakmarrjes, që e çonte në vëllavrasje dhe nuk e linte të bashkohej në luftë për liri e pavarësi. Ai e dënonte dhunën, hakmarrjen, vëllavrasjen, por kur është puna për të mbrojtur lirinë, pavarësinë e atdheut, ai bëri thirrje për t’i rrokur armët, për t’u bashkuar, për t’i lënë mënjanë zënkat, gjaqet dhe hasmëritë. Vlerat e veprës “Kanuni i Lekë Dukagjinit” janë, në radhë të parë, patriotike.[9] “Vuri kundër sistemit politik e juridik të pushtuesve të huaj, të drejtën zakonore shqiptare dhe u tregonte atyre se, së bashku me gjuhën e kulturën materiale, populli ynë ruante edhe të drejtën e tij zakonore. Si shprehëse të kulturës shoqërore, që nuk pranonte as ligjet e sheriatin dhe as xhibalin e pushtuesve të huaj, që i kishte përballuar presionit të asimilimit, prandaj kishte pasur qëndrueshmëri e vazhdue­shmëri”. Vepra është një burim i paçmuar për historinë e Shqipërisë. Vepra ka edhe vlera të tjera, sepse pasqyron me vërtetësi tiparet theme­lore të psikologjisë shoqërore të shqiptarit, virtytet e tij, nderin, besën, burrërinë, mikpritjen e jo vetëm si kategori morale, por edhe juridike. Duke ruajtur këto cilësi populli ynë mbrojti ekzistencën e vet nga rreziku i shkombëtarizimit. Qëndresa e armatosur, ruajtja e kulturës, e gjuhës, e zakoneve dhe e së drejtës zakonore u bënë barrikadë për pushtuesit e huaj.

Krahas punës me prioritet që bëri për përmbledhjen e të drejtës zakonore, Gjeçovi i kushtoi vëmendje të posaçme edhe mbledhjes së krijimtarisë popullore. Në fondin e tij gjenden disa fletore me shënime të mbajtura në krahina të ndryshme ku ka regjistruar shprehje popullore, fjalë të rralla, shprehje të bukura, gjëegjëza, gojëdhëna, fjalë të urta, përralla popullore etj.[10]

Më poshtë po renditim disa fragmente të shkëputura nga fletorja e tij e mbajtur në Laç-Sebaste (Kurbin).

  1. Për muajt

 Kallnori – uj kam

  • frori – I lig (për gja) Bishtnori
  • marsi – rrjep
  • prill – prit e qit (shiu n’prill plot hir) Shekënjomi
  • maj – (magjia n’trate – shiu n’maj plot vaj)
  • qeshor – gjaja popël
  • korrik – (merr permenen e hik)
  • gushti – gun, kur t’piqet fiku i zi, vesh gunin e ri! 
  1. Për emra sysh
  • Sy laresk – sy katrasill – sy gjak
  • Sy lar – sy bardh – sy larosh
  • Sy xii – sy rrmang – sy mitskel
  • Sy krreç – sy pushk – sy filxhan
  1. Për emra flokësh
  • Flok rud – palca graash n’ball
  • Flok fioll – flok kresht
  • Flok pupel – flok i thit
  • Flok gabzhet – flok i kuq
  • Flok fijeari – flok i zi
  • Flok krreç – flok katralesh

Në Rubik Gjeçovi vazhdoi studimin e kulturës materiale e shpirtërore, të cilën deshi ta krahasojë me atë të arbëreshëve të Italisë. Për këtë qëllim i shkroi Pal Skiroit dhe i lutej t’i dërgonte ndonjë libër “që të flasë për zakonet e traditat e kolonive”[11].

Në Theth u interesua për të mbledhur folklorin, këngë epike, këngë lirike, ninulla, proverba, fjalë të urta.

Të njëjtën veprimtari ka bërë gjatë qëndrimit në Mirditë, Dukagjin, Malësi e Madhe, Troshan, Fierzë etj. Ai grumbulloi aq shumë njohuri mbi traditat e popullit tonë sa u bë një arkiv i gjallë i folklorit,[12] siç e quanin me të drejtë.

Një pjesë të krijimtarisë ai e përmblodhi në vëllimin “Visari Komtar”, të botuar në vitin 1911, ku përfshin këngë trimërie, valle, vjersha e lojëra për fëmijë etj.[13]

Për të pasur sa më shumë të dhëna nga krahina të tjera që nuk i kishte shkelur, përpiqej të siguronte materiale edhe nëpërmjet korrespondencës me persona që tregoheshin të gatshëm të kontribuonin. E provon këtë me një letër të ardhur nga një grua me emrin Agina nga Elbasani e cila shkruan nëse ai i ka pëlqyer këngët e mbledhura prej saj.[14]

Studiuesit e kanë çmuar shumë kontributin e Gjeçovit si folklorist, duke e nxjerrë në pah punën e madhe që bëri për zbulimin e vlerave ideoestetike të folklorit tradicional. Nuk u kufizua vetëm tek epika legjendare, sipas parimit të tij, por mblodhi edhe epikën historike. Këngë popullore “Ali Borxh Alija”, marrë prej Shtjefën Gjeçovit nga dy rapsodi popullore me disa ndryshime.[15] Shënime fjalësh, shprehjesh popullore dhe krijim fjalësh me prapashtesa të tjera, autografe në pjesë blloku e fjalë të shkëputura, shkruar nga Sh. Gjeçovi.[16]

Burimet:

 Fondi i Shtjefën Gjeçovi

 Fondi i Shtjefën Gjeçovit mban nr. 58. Ka një pasuri me vlerë të madhe kombëtare në fusha të ndryshme, si studiues i shquar i kulturës popullore, përkthyes në fushën e arkeologjisë, historisë, krijimtarisë letrare dhe atë të etnografisë etj. Materialet e këtij fondi kanë këta kufij kohorë, vitet 1864-1942 dhe pa vit.

Sasia e njësive të ruajtjes është 123 dosje, ndërsa sasia e fletëve gjithsej 4 001.

Fondi ka këtë strukturë:

  1. Materiale biografike dosjet 1 dhe 104
  2. Veprimtaria zyrtare-shoqërore – ”  –      2 dhe 31
  3. Veprimtari krijuese – ”   –     32-94/2, 105-107 dhe 115
  4. Letërkëmbime – ”   –     95/1-98, 108, 109, 114,116 dhe 118
  5. Të tjerët për krijuesin e fondit – ”   –    92-102, 110-113 dhe 117
  6. Material ilustrativ – ”   –    103

Mjetet e informacionit për këtë fond janë: inventari, skedarët, udhërrëfyesi dhe katalo­gët tematikë dhe sistematikë.

  [1] AQSh, fondi 58, d. 36, fl. 127-128, v. 1917-1921

[2] Po aty, d. 60, fl. 4-5, v. 1900

[3] Po aty, d. 76, fl. 39, v. 1910

[4] Po aty, d. 74, fl. 4-5, v. 1924-1926

[5] Po aty, d. 62, fl. 49, v. 1907

[6] Po aty, d. 69, fl. 1-4, v. 1900-1924

[7] Po aty, d. 59, fl. 35, v. 1924

[8] AQSh, f. 58, d. 102, fl. 10-20

[9] AQSh, f. 58, v. 1907-1912, fl. 5-15

[10]AQSh, d. 69, fl. 1-20, v. 1900-1924

[11] AQSh, f. 58, d. 95/58, fl. 80, v. 1898

[12] Po aty, d. 58, fl. 50-55, v. 1906-1926

[13] Po aty, d. 66, fl. 37, v. 1926

[14] Po aty, d. 95/8, fl. 1-3, v. 1925

[15] AQSh, d. 68, fl. 14, v. 1924

[16] Po aty, d. 69, fl. 11-27, v. 1900-1924

(Marrë nga revista “Arkivat Shqiptare”)

Related posts

‘Katrori i Pushtetit’, filmi artistik kushtuar gazetarëve shqiptarë dhe lirisë së medias

admin

Arrihen pesë marrëveshje për bashkëpunimin kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë

admin

Mediumi amerikan, Variety shkruan për filmin kosovar: “Zgjoi” në mesin e të nominuarve për Oscars 2022

admin