22.4 C
Los Angeles
November 30, 2021
DailyNews – MK
Ekonomi Maqedoni

Forumi i biznesit maqedonaso-polak: Imunizim, bashkëpunim dhe investime në zhvillimin e ardhshëm për rimëkëmbjen ekonomike pas KOVID-it

Shkup, 19 nëntor – Energjia, minierat, turizmi, bujqësia dhe ekologjia janë fushat në të cilat ka potencial të madh për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik mes Polonisë dhe Maqedonisë së Veriut. Të dyja vendet nuk kanë çështje të hapura, ndërsa marrëdhëniet e tyre të mira politike janë bazë e shkëlqyer për forcimin e marrëdhënieve afariste, u tha në forumin e sotëm të biznesit maqedonaso-polak.

Forumin e hapën presidentët e dy vendeve, Stevo Pendarovski dhe Andzhej Duda, ndërsa u nënshkrua edhe Memorandum i mirëkuptimit me qëllim të forcimit të bashkëpunimit afarist dhe nxitjes së investimeve.

“Me Poloninë dhe popullin polak kemi marrëdhënie tradicionalisht të mira, ndërsa mes dy vendeve nuk ka çështje të hapura, por vetëm mundësi të hapura. Nuk guxojmë të presim kohëra më të mira për të filluar bashkëpunimin. “Kohë më të mira do të vijnë vetëm nëse fillojmë të bashkëpunojmë sa më parë”, tha Pendarovski në fjalimin e tij.

Ai u bën thirrje biznesmenëve që ta shfrytëzojnë nënshkrimin e Memorandumit dhe të fokusohen në realizimin e qëllimeve të tij.

“Më gëzon fakti që disa kompani të rëndësishme polake tashmë po depërtojnë në tregun maqedonas. Sot do të bëjmë edhe një hap tjetër të rëndësishëm në këtë drejtim. Memorandumi i mirëkuptimit do të mundësojë rritjen e dinamikës në bashkëpunim. Pres që bashkësitë e biznesit e të dyja vendeve ta shfrytëzojnë këtë mundësi”, theksoi kreu i shtetit.

Presidenti vlerësoi se bashkëpunimi mund të ketë edhe komponentë rajonale nëse merret parasysh se Polonia është vend anëtar i Grupit të Vishegradit dhe Iniciativës “Tre detet”, derisa Maqedonia e Veriut është pjesë e “Ballkanit të Hapur”.

“Dy shtetet tona mund të jenë kanal për plasmanin e produkteve dhe shërbimeve në tregjet që janë pjesë e këtyre iniciativave rajonale”, tha Pendarovski.

Vendi, bëri të ditur ai, ka industri dhe kompani me produkte dhe shërbime cilësore në fushën e bujqësisë dhe industrisë ushqimore, ndërsa jemi të njohur, tha ai, për verërat e cilësisë së lartë që fitojnë rregullisht çmime në panairet botërore të verës. Në disa vitet e fundit, shtoi Pendarovski, Polonia është në vendin e lartë të katërt sipas numrit të turistëve të huaj që vizitojnë Maqedoninë e Veriut. Qendra kulturore dhe shpirtërore Ohri është destinacion tërheqës për shumë polakë.

Kreu i shtetit u përqendrua edhe në benefitet. Nënvizoi se përveç Marrëveshjes për shmangien e tatimit të dyfishtë, kemi edhe Marrëveshje për mbrojtjen e ndërsjellë të investimeve. Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut dhe Oda Ekonomike e Polonisë kultivojnë bashkëpunimin formal shumëvjeçar. Nga viti 2018 është vendosur edhe linjë ajrore e rregullt mes Shkupit dhe Varshavës, ndërsa ka edhe fluturime çarter nga Varshava dhe Katovica për në Ohër.

Në lidhje me pandeminë e KOVID-it, Pendarovski theksoi se imunizimi, bashkëpunimi dhe investimi në zhvillimin e ardhshëm janë tre faktorët kyç nga të cilët do të varet post-rimëkëmbja e ekonomive kombëtare.

“Shtetet që investojnë në kapitalin njerëzor e kalojnë shumë më lehtë pandeminë, kanë rritje më të shpejtë ekonomike dhe një shkallë më të lartë të uljes së papunësisë dhe varfërisë, ndërsa Polonia është shembull i këtillë pozitiv evropian”, tha presidenti.

Sipas tij, si e gjithë bota, ashtu edhe Maqedonia e Veriut po kalon një periudhë jashtëzakonisht të vështirë. Ekonomia ka pësuar humbje të mëdha dhe ndonëse institucionet përkatëse parashikojnë rritje ekonomike, megjithatë, ende përballemi me sfida dhe turbulenca.

“Në këtë mjedis pasigurie, është e sigurt se rimëkëmbja e ekonomive kombëtare pas KOVID-19 varet nga tre faktorë. Faktori i parë është sigurisht imunizimi. Si në Poloni ashtu edhe te ne, pandemia ka sjellë pasiguri në sektorin privat. Në veçanti janë prekur prodhimi, tregtia, transporti dhe turizmi. Sa më e madhe të jetë pjesa e popullatës që imunizohet popullsia, aq më shpejt mund të rikthehet dinamika e aktivitetit ekonomik. Faktori i dytë është bashkëpunimi. Ashtu si bashkëpunimi dhe solidariteti mes vendeve është kyç për të përballuar pandeminë, po ashtu edhe bashkëpunimi mes kompanive është i domosdoshëm për tejkalimin e krizës ekonomike. Ju përmes rezultateve tuaja të suksesshme afariste krijoni vlerën reale nga e cila varet rimëkëmbja ekonomike. Faktori i tretë është investimi në zhvillimin e ardhshëm, ndërsa Polonia është shembull i mirë dhe një nga vendet e rralla anëtare të BE-së që në vitin 2020 nuk ka pasur rritje të papunësisë, nënvizoi Pendarovski.

Ai përkujtoi se në fillim të mandatit të tij ka iniciuar përgatitjen e kornizës strategjike për zhvillimin e shtetit të quajtur “MKD2030”, ndërsa qëllimi i projektit është përcaktimi i politikave për zhvillimin e shtetit deri në vitin 2030 dhe synimet që duhet të arrihen.

“”MKD2030″ fokusohet në disa tema të ndërvarura, si investimet në arsimin, digjitalizimin dhe sektorin e IT-së, bujqësinë, ekologjinë dhe energjetikën, veçanërisht në të ashtuquajturën energji të pastër. Ato kompani vendore dhe të huaja që do të investojnë me kohë në zhvillimin e këtyre fushave te ne do të fitojnë përparësi konkurruese në tregun maqedonas në dekadat e ardhshme. Prandaj, shfrytëzoj rastin që t’i ftoj kompanitë maqedonase dhe polake që të mendojnë për bashkëpunim të mundshëm në fushat që do të jenë prioritetet tona strategjike zhvillimore”, paralajmëroi Pendarovski.

Edhe Presidenti i Republikës së Polonisë, Andzhej Duda tha se Maqedonia e Veriut ofron mundësi të shkëlqyera për investime, ndërsa potenciali për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve është i madh. Kjo konfirmon rritjen e këmbimit në vitet e fundit, veçanërisht vitin e kaluar, në kulmin e krizës së KOVID-it, kur shumë nga bashkëpunimet dypalëshe, siç bëri të ditur Duda, ose janë zvogëluar ose madje edhe janë ndërprerë krejtësisht.

“Më gëzon cilësia e marrëdhënieve ekonomike. Shkëmbimi ynë është në rritje, por shoh potencial të madh për forcimin e bashkëpunimit. Shkëmbimi vitin e kaluar ishte 397 milionë euro, që është 5.3 për qind më shumë se në vitin 2019. “Kjo bën të ditur në potencialin e madh në marrëdhëniet tona dhe do të ishte dëm të mos e përdornim atë”, tha presidenti polak.

Ai tha edhe se ekonomia e Maqedonisë është më konkurruese në rajon.

“Ekonomia e Maqedonisë së Veriut është vend i përkryer për investime të huaja duke marrë parasysh lehtësirat dhe mbështetjen e madhe. Programi për mbështetjen e investimeve përfshin subvencione të drejtpërdrejta, lehtësime tatimore dhe qasje në infrastrukturë, theksoi presidenti

polak, sipas të cilit energjetika, minierat, turizmi, bujqësia dhe ekologjia janë fushat në të cilat ka potencial më të madh për bashkëpunim.

Vlerësimi i Dudës është se Polonia dhe Maqedonia e Veriut përballen me sfida të përbashkëta, veçanërisht në aspektin e transformimit energjetik, kusht që duhet ta përmbushin në raport me anëtarësimin në BE.

Në kuadër të forumit të biznesit u nënshkrua Memorandum i mirëkuptimit mes Agjencisë për investime dhe promovimin e eksportit të Maqedonisë së Veriut dhe Agjencisë polake për investime dhe tregti. Qëllimi i Memorandumit është forcimi i bashkëpunimit dhe nxitja e investimeve nga të dyja palët.

Related posts

Osmani-Peleshi: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria japin kontribut të rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë rajonale

admin

Shtrenjtohen çmimet e derivateve

admin

Gazeta gjermane FAZ: Disfata dhe dorëheqja e Zaevit është disfatë edhe e Bashkimit Evropian

admin