17 C
Los Angeles
October 3, 2022
DailyNews – MK
Kosovë

Festim Kabashi jep dorëheqje nga pozita e Drejtorit të Televizionit në RTK

Festim Kabashi ka bërë me dije se ka dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtorit të Televizionit në RTK.

Lajmin e ka bërë vetë publik në profilin e tij në “facebook”, duke treguar se dorëheqjen ia ka dorëzuar Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekajt.

Njoftimi i plotë:

Njoftim për dorëheqje!

Një e gjetur e ZKA-së, që s’lidhet aspak me punën time profesionale, (e shndërruar në kauzë fiktive nga elementë të caktuar), ka muaj që po shfrytëzohet nga Bordi si mjet presioni ndaj drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, për të gjetur zgjidhje për të më larguar nga pozita e drejtorit të Televizionit. Duke parë se një situatë e tillë po pamundëson shtyrjen përpara të projekteve, e si rrjedhojë po reflekton në shumë aspekte në funksionimin e RTK-së, ju njoftoj se i kam dorëzuar drejtorit të përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj, kërkesën për lirim nga detyra, pasi me asnjë çmim nuk mund të lejoj që integriteti im profesional e njerëzor të nëpërkëmbet.

Ky vendim, sado i vështirë, ishte i domosdoshëm për t’u hapur rrugë proceseve të ngelura pezull për funksionimin normal të RTK-së, përfshirë edhe përzgjedhjen e kryeredaktorëve të RTK 1 e RTK 3.

Sigurisht që, kur e kam marrë detyrën para dy vjetësh, kam qenë i vetëdijshëm për sfida e vështirësi të natyrës së punës, të cilat ia kam dalë t’i tejkaloj falë edhe bashkëpunimit me të gjithë punëtorët e RTK-së.

Dihet se kjo detyrë është mandatore, rrjedhimisht është e kuptueshme që kam pritur ta përmbyll mandatin e plotë 3-vjeçar, ashtu siç e kam nisur, me përkushtim, nder e dashuri për punën, për të lënë prapa një RTK më të fortë e profesionale, një RTK në shërbim të publikut! Sukseset dhe sfidat nuk do t’i matja me kohën e qëndrimit në këtë pozitë, por me vullnetin dhe punën që është bërë në këtë periudhë, gjatë së cilës ia kemi dalë ta ndërtojmë një standard dhe kulturë të re pune.

Një falënderim të veçantë kam për të gjithë punëtorët e RTK-së, gazetarët, redaktorët, stafin mbështetës programor, ekipin e produksionit e të teknikës dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë, me të cilët vizionin për një #RTKtëPublikut e shndërruam në mision të përbashkët, jetësimi i të cilit u dëshmua se nuk ishte i pamundur.

Unë besoj në profesionalizmin e punëtorëve të RTK-së, të cilët kanë ditur ta mbrojnë atë edhe në ditë më pak të mira, synim që besoj se vazhdon ta ketë edhe Shkumbin Ahmetxhekaj, drejtor aktual.

Duke qenë ballëhapur për çdo vendim, do të vazhdoj të angazhohem për ta finalizuar, në secilin rol, fuqizimin e besimit te Transmetuesi Publik dhe për t`i luftuar paragjykimet, prapa të cilave mund të fshihen agjenda të rrezikshme për funksionimin e mediave dhe për zhvillimin e demokracisë në vend.

Ky vendim imi nuk nënkupton dorëzim, por refuzim për të bashkëjetuar në të njëjtin mes, ku dominon prirja për ta shkelur dinjitetin e tjetrit, në këmbim që t’u bëhet strehë personave të caktuar në udhëheqje të RTK-së.

Mirupafshim në projekte të tjera!

Related posts

Kurti: Çmimi tavan për naftën ka dhënë rezultat

admin

Sot mot me diell, vende-vende riga shiu

admin

Begaj nis sot në Prishtinë vizitën e parë zyrtare

admin