18.5 C
Los Angeles
November 29, 2021
DailyNews – MK
Maqedoni

Dielli – burim i pashfrytëzuar për prodhimin e energjisë

Shkup, 19 nëntor – Maqedonia e Veriut ndonëse ka 280 ditë me diell brenda vitit, megjithëkëtë energjia diellore për prodhimin e energjisë elektrike shumë pak shfrytëzohet.

Prodhimi i energjisë përmes paneleve diellore, fotovoltaike, bëhet edhe më i rëndësishëm si rrjedhojë e krizës energjetike.

Në bazë të të dhënave të raportit të Komisionit Rregullator për Energjetikë për vitin 2020 në Maqedoninë e Veriut janë instaluar 173 centrale të fotovoltaikëve (photovoltaic), të cilat prodhuan 0.72 për qind të energjisë elektrike nga prodhimi i përgjithshëm i rrymës në vend.

Mega Solar është kompania e parë, e cila ka investuar tre milionë euro para 10 vjetëve në fshatin Germijan në komunën Novaci, e cila ndodhet në juglindje të Maqedonisë së Veriut.

Zoran Ballallevski menaxher i kësaj kompanie thotë për Radion Evropa e Lirë se investimi në këtë lëmi është fitimprurës.

“Nga përvoja dhjetëvjeçare mund të them se investimi në këtë projekt është fitimprurës. E theksoj se jam i kënaqur dhe për faktin se kur e realizuam projektin nuk kishim parametra krahasues ndërkohë që koha dëshmoi se gjithçka ka qenë në rregull”, thotë Ballallevski duke nënvizuar se në fillimet e zhvillimit të biznesit është përballur me shumë sfida.

“Më duhet të pranoj se kur e realizuam këtë projekt u ballafaquam me shumë sfida në treg, pajisjet ishin me kosto shumë të lartë dhe nëse nuk do të kishim mbështetjen e Bankës Botërore, shumë vështirë do të arrinim të realizonim këtë projekt, megjithëse tani gjithçka është më ndryshe”, shpjegon ai.

Nga Qendra për efikasitet energjetik thonë se Maqedonia e Veriut si shtet minimalisht e shfrytëzon diellin si burim të energjisë, megjithëse kushtet janë maksimale pothuajse brenda tërë vitit.

“Në Maqedoni pothuajse kudo ka mundësi që të shfrytëzohet energjia diellore, por ajo shfrytëzohet aq sa janë ndërtuar kapacitete për këtë qëllim, gjegjësisht aq sa është investuar në këtë drejtim”, thotë kryetari i Qendrës për efikasitet energjetik në Maqedoninë e Veriut, Konstadin Dimitrov.

Gjatë vitit 2019 Qeveria e Maqedonisë ka miratuar vendimin për mbështetjen e prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtërishme të energjisë.

Në janar të këtij viti janë realizuar 12 kontrata për ndërtimin e centraleve fotovoltaike në tokë shtetërore me një kapacitet prej 35 megavatësh për orë, përderisa në maj të këtij viti janë realizuar 27 kontrata për ndërtimin e centraleve fotovoltaike në tokë private me kapacitete prej 27 megavatësh për orë.

Për të stimuluar amvisëritë që të instalojnë panelet diellore si burim të energjisë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut subvencionon një pjesë të mjeteve për blerjen dhe instalimin e paneleve fotovoltaike për prodhimin e energjisë elektrike, por jo më shumë se 62,000 denarë (njëmijë euro ) për familje.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut angazhohet që deri në vitin 2024, mbi 50 për qind e energjisë elektrike të përgjithshme të instaluar në vendin tonë të jetë nga burimet e ripërtërishme të energjisë./REL

Related posts

Deklaratë në PP për materialet e dorëzuara për identifikimin e viktimave nga aksidenti me autobus

admin

“Izolohet” vetura e ish-kryetares së Këshillit të Shkupit

admin

Panovski: Të rinjtë me certifikatat e të tjerëve po hyjnë ku të duan

admin