22.4 C
Los Angeles
November 30, 2021
DailyNews – MK
Maqedoni

Besimi: Pa konsensus politik nuk ka projekte të reja, investime dhe rritje ekonomike

Shkup, 16 nëntor – Ministri i Financave Fatmir Besimi sot, në ditën e dytë të debatit të komisionit për propozim-buxhetin për vitin 2022, edhe një herë apeloi deri te deputetët që të miratojnë ligjet që kanë ngecur në procedurë parlamentare për një kohë të gjatë sepse prej tyre varet, siç theksoi, realizimi i shumicës së projekteve investuese.

Është i domosdoshëm konsensusi, theksoi Besimi. Askush nuk do të marrë pikë politike, ndërsa realizimi i projekteve do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë pozitiv si për ekonominë ashtu edhe për qytetarët.

Edhe propozim- buxheti për vitin 2022, nënvizoi Besimi, nuk do të ketë ndonjë rëndësi nëse nuk realizohen shifrat dhe projeksionet e planifikuara. Në atë rast, tha ai, nuk do të kemi projekte të reja dhe as rritje ekonomike. Ne vetëm do të flasim – kush e kishte fajin për çfarë, në vend që të shohim se ku jemi pas investimeve në raport me vendet e tjera.

“Ka ligje të rëndësishme në procedurën parlamentare. Do të na duhet një konsensus politik. Një projekt si Korridori 8 do të thotë shumë për ekonominë tonë, do të thotë gjithashtu vende të reja pune, të ardhura. Ose ligji për hua në BERZH për autostradën Kërçovë-Ohër, një sërë projektesh IPA. Ligji për buxhetet është në Parlament gjatë gjithë vitit dhe ka rregulla fiskale të përcaktuara qartë. Ka edhe ligje të tjera të tilla që ndikojnë drejtpërdrejt në investime. Dua të theksoj se është e rëndësishme të kemi një konsensus për këto gjëra. Nuk ka kush të marrë pikë politike për këtë, asnjëra palë. Kjo është e rëndësishme sepse do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi. Po ashtu, buxheti për vitin 2022 nuk do të thotë shumë për qytetarët nëse nuk e realizojmë. Kjo do të thotë se nuk do të kemi projekte të reja, as rritje ekonomike, do të flasim vetëm se kush e ka pasur fajin për çfarë, në vend se ku jemi në raport me vendet tjera sa i përket investimeve”, tha ministri.

Duke iu përgjigjur akuzave dhe vërejtjeve të deputetit të GROM-it, Lupço Prenxhov, Besimi theksoi se “numrat që janë konsistente nuk mund të fshihen, por nëse analizojmë se ku kemi qenë dhe ku jemi, është shumë e rëndësishme të dimë se ku duam të arrijmë”.

“Përqindjet e rritjes së përshpejtuar duhet të arrihen duke përshpejtuar investimet. Në fakt, parashikimet e rritjes bazohen në investime të planifikuara që do të nxisin rritjen. Unë e pranoj debatin tuaj dhe nuk mund t’ju kundërshtoj që rritja e investimeve prej 27 për qind është një numër ambicioz dhe i madh, tha Besimi dhe shtoi se parashikimet ndërkombëtare për krizën janë optimiste, gjegjësisht që çmimet pritet të stabilizohen në mesin e vitit 2022.

“Ju harroni se në tre muajt e fundit, perderisa mungonin çipat për industrinë e automobilave dhe ndërkohë që çmimet e energjisë po rriteshin, ne nuk kishim një kryeministër përgjegjës. Ai bëri atë që dinte, të luante bixhoz. Prandaj nuk bëhet buxhet në Qeveri. Në leximin e dytë mund ta përmirësojmë shumë buxhetin nëse jemi të virtytshëm, tha deputeti i GROM-it.

Aktualisht ka pauzë në seancën e komisionit.

Sipas afateve, Komisioni për Financa dhe Buxhet mund të diskutojë për buxhetin 10 ditë, të mbajë debat të përgjithshëm pesë ditë dhe amendament për pesë ditë. Sipas Rregullores së Punës janë caktuar pesë ditë për debat plenar. Buxheti duhet të miratohet deri në fund të vitit.

Related posts

Editorial/ Në krizën më të thellë euro-integruese, Maqedonia nuk ka ambasadorë në SHBA, OKB e Kanadë

admin

“Zoki, Zoki”, Zaev pritet me duartrokitje dhe brohoritje në selinë e LSDM-së

admin

Shënohet Dita botërore e foshnjave të lindura para kohe

admin