18.5 C
Los Angeles
November 29, 2021
DailyNews – MK
Shqipëri

Bardhi për ABC: Më 11 Dhjetor tubim Berisha-Rama-Meta, keqardhje për fletë-rrufetë e presidencës

Nga Juxhin Mustafaraj

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi deklaron se për Kuvendin e 18 dhjetorit delegatëve nuk i duhet të plotësojnë asnjë formular. Në një intervistë për ABC, Bardhi pranon se me lëvizjen e tij, Berisha po tenton të dalë kundër institucioneve të partisë, ndërsa sheh si të vetmen rrugë për tu bashkuar 18 dhjetorin.

Bardhi e sheh të panevojshëm një proces votëbesimi të Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike në këtë moment. Sekretari i Përgjithshëm i është përgjigjur edhe deklaratave të ish-kryeministrit Berisha për dorëheqje, duke i kujtuar votën pro tij në 30 gusht dhe mandatin e marrë në të njëjtën formë nga kreu i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka. Intervistën e plotë të Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi me kolegun Juxhin Mustafaraj iu ftoj ta ndiqni në fund të këtij edicioni informativ.

Intervista e Plotë

Pyetja: Zoti Bardhi, një ditë më parë Partia Demokratike ka nisur plotësimin e disa formularëve për delegatët e Kuvendit Kombëtar. Ka qenë një vendim i kryesisë së Partisë Demokratike, pse ishte e nevojshme që delegatët e Kuvendit Kombëtar të plotësojnë këtë formular?

Gazment Bardhi: Në zbatim të vendimit të kryesisë, Sekretari i Përgjithshëm ka ngritur një grup pune për organizimin e Kuvendit Kombëtar të 18 dhjetorit, ora 11 në Pallatin e Kongreseve dhe ka ngarkuar secilën degë të partisë për të kryer njoftimet e anëtarëve të Kuvendit siç është bërë në çdo Kuvend të Partisë Demokratike. Secila degë zgjedh formën e vet të mënyrës së njoftimit, nëse do ta bëjë atë me telefon, me SMS, me shkrim, me takim dhe mbajtje të procesverbalit për takimin ballë për ballë. Pra, është një mënyrë që secila degë e zgjedh vet për njoftimin e anëtarëve të Kuvendit. Nuk ka një formular të shpërndarë po themi zyrtarisht apo të miratuar nga Partia Demokratike, apo nga Sekretari i Përgjithshëm. Sigurisht që ka dhe do të ketë gjithmonë forma të njoftimit që ndjek secila degë në mënyrën dhe formën e vet. E kam parë këtë që ju thoni në media, ose në rrjetet sociale. Dua të konfirmoj që secili prej anëtarëve të Kuvendit Kombëtar ka të drejtën sipas statutit dhe rregullave të mbledhjes së Kuvendit, që të marrë me shkrim materialet e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar. Dhe ajo është një procedurë normale njoftimi që degët e Partisë Demokratike në gjithë Shqipërinë janë duke ndjekur dhe kanë përgjegjësi statutore për ta ndjekur.

Pyetja: Përse ishte e nevojshme që të zhvilloheshin dy Kuvende dhe a mund ta themi me plotë bindjen se Partia Demokratike tashmë e ka pësuar një çarje dhe është në dy grupime të mëdha?

Gazment Bardhi: Pa diskutim që ka një përpjekje, një tentativë të zotit Berisha për të dëmtuar Partinë Demokratike, për të dalë kundër Partisë Demokratike, për të dalë kundër institucioneve të Partisë Demokratike. Të gjithë kujtojnë që zoti Berisha e nisi një lëvizje për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe ditën kur skadonte afati për të dorëzuar kërkesën që Kryesia e partisë apo Këshilli Kombëtar të kishte mundësinë për të thirrur mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të partisë, devijoi nga procedura dhe vendosi t’i mbyllë kërkesat apo firmat për aq sa janë mbledhur në kasafortën personale të zotit Paloka. Në atë moment Kryesia e partisë nën përgjegjësinë që ka në raport me secilin prej anëtarëve të Kuvendit, me secilin prej anëtarëve të partisë, por edhe mbështetësit e Partisë Demokratike, gjykoj se pavarësisht se sa është numri i atyre që kanë kërkuar thirrjen e Kuvendit Kombëtar, Partia demokratike do të duhet të zhvillojë një Kuvend Kombëtar ku të dëgjohet zëri anëtarëve të Kuvendit pavarësisht opinionit apo mendimit që ata mund të kenë. Ajo që unë kam parë dhe kam vrejtur me keqardhje gjatë gjithë këtyre ditëve kam parë që ka një tentativë që në datën 11 të bëhen bashkë në një tubim Sali Berisha, Edi Rama apo njerëzit e Edi Ramës dhe njerëzit e Ilir Metës. Dhe kjo është një fatkeqësi e madhe sepse është padyshim një tubim kundër interesit të Partisë Demokratike, kundër Partisë Demokratike.

Pyetje: Pak ditë më parë Sali Berisha i bëri thirrje dinjitetit tuaj dhe ju kërkoi që së bashku me nënkryetarët e partisë të jepni dorëheqjen. A jeni ju përballë një vendimi të tillë dhe a do ta ndërmerrnit këtë hap?

Gazment Bardhi: Së pari, e kam dëgjuar dhe dua të shpreh keqardhjen time për këtë kërkesë të pambështetur të zotit Berisha. Qoftë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë demokratike, qoftë nënkryetarët e Partisë Demokratike janë zgjedhur në mbledhjen e datës 30 gusht të këtij viti nga Këshilli Kombëtar. Kanë marrë votën personale të Sali Berishës në zgjedhjen e tyre dhe në një moment të caktuar ku secili prej nesh vendos që përballë interesit të Sali Berishës të vendosë dhe t’i japë prioritete interesit të Partisë Demokratike, interesit të demokratëve, ne shpallemi jo legjitim, ne shpallemi të shitur dhe na kërkohet të japim dorëheqjen apo të largohemi nga funksionet tona. Fjala vjen, rregulli që zoti Berisha flet për zgjedhjen e lidershipit të partisë me dy alternativa, se kjo është arsyeja që ai jep për konsiderimin e sekretarit të përgjithshëm dhe nënkryetarëve të partisë si jolegjitim. Sipas statutit nuk është një rregull që vepron për pozicionin e sekretarit të përgjithshëm apo të nënkryetarëve të partisë, është një rregull që vepron për kryetarin e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, por duke qenë se kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, i zgjedhur në të njëjtën formë dhe në të njëjtën mënyrë si sekretari i përgjithshëm dhe nënkryetarët, në këtë moment është rreshtuar përkrah zotit Berisha ai njihet si legjitim nga zoti Berisha, madje është konsideruar i vetmi institucion, kryetari i Këshillit Kombëtar, i vetmi institucion legjitim brenda Partisë Demokratike dhe pse është zgjedhur në të njëjtën formë siç është zgjedhur sekretari i përgjithshëm dhe nënkryetarët. Pra, ka një dopjo standard në këtë rast. Unë e kam thënë dhe në mbledhjen e kryesisë dhe e përsëris, asnjëri prej nesh nuk ka asnjë arsye për tu ndier keq, as për tu intimiduar në raport ushtrimit të detyrës dhe përgjegjësive që kemi përpara demokratëve, sepse cilido që gjatë kësaj periudhe nuk do ti bindet zotit Berisha do të shpallet prej tij jolegjitim, që kështu nuk ka asnjë surprizë në kërkesën e zotit Berisha.

Pyetja: Zoti Meta, një ditë më parë doli publikisht dhe akuzoi Partinë Demokratike se ka bashkëpunuar me Partinë Socialiste, duke mos u regjistruar në datën që ai dekretoi për zhvillimin e zgjedhjeve vendore, keni ndonjë koment për këtë?

Gazment Bardhi: Së pari, kjo është një e pavërtetë e madhe, sepse ju e dini që zgjedhjet e 30 qershorit u mbajtën, nuk u njohën nga Partia Demokratike dhe i gjithë koalicioni opozitar, por ndërkohë komisioni qendror i zgjedhjeve refuzoi të hapte procedurën për regjistrimin e kandidatëve dhe partive politike në zgjedhjet e tetorit. Dhe është e pamundur për një parti politike serioze, që të regjistrohet në bulevard, sepse për të marrë pjesë në zgjedhje duhet të paraqitet një kërkesë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe ju e mbani mend që katër anëtarët e Edi Ramës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, refuzuan të njihnin Dekretin e Presidentit të Republikës e për pasojë të hapnin procedurën për regjistrimin në zgjedhjet vendore të dekretuara në përputhje me Kushtetutën nga Presidenti në tetor të vitit 2019 dhe në këtë mënyrë ishte e pamundur për ne që të regjistroheshim në një proces që ishte i pahapur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve prandaj kjo është një e pavërtetë e madhe sikundër të gjitha të pavërtetat që për fat te keq kanë dalë gjatë këtyre ditëve nga zyra e Presidentit të Republikës. Dua të shpreh keqardhjen, e kam thënë dhe më parë, për mua institucioni i Presidentit të Republikës, është institucioni që përfaqëson unitetin e popullit dhe nuk mundet kurrsesi që nga zyra e Presidentit të Republikës apo nga institucioni i Presidentit të Republikës, të dalin fletë-rrufe, shpifje apo akuza baltë drejtuar kryetarit të opozitës, kryetarit të Partisë Demokratike, zotit Basha.

Pyetja: Zoti Bardhi, në fakt zoti Berisha prej më shumë se dy muajsh ka nisur ato që i ka pagëzuar si foltore të tij. A është gati zoti Basha të nisë një tur takimesh?

Gazment Bardhi: Së pari, ne jemi në kontakt dhe në takime të përditshme me anëtarët e partisë, me strukturat e partisë, duke nisur nga kryetari i partisë, sekretari i përgjithshëm, nënkryetarët, deputetët, drejtuesit politikë, pra janë në kontakt të përditshëm me anëtarët e partisë, mbështetësit tanë dhe me strukturat e partisë. Do duhet të kemi parasysh diçka, që agjendën politike të Partisë Demokratike, nuk e cakton halli apo problemi apo interesi personal i Sali Berishës. Agjendën politike të Partisë Demokratike e dikton përgjegjësia që ne kemi në raport me demokratët, përgjegjësia që ne kemi në raport me shqiptarët. Ne jemi në krye të detyrës, jemi në betejë me të vetmin armik të demokratëve dhe kundërshtarin tonë politik Edi Ramën dhe regjimin e tij dhe e gjithë energjia jonë do të duhet të përqendrohet këtu. Sigurisht që zoti Berisha ka një problem të tijin personal , është në të drejtën e tij të ndërtojë formën e reagimit mbi problemin e tij personal, por e kam thënë dhe dua ta përsëris: Problemet personale, hallet personale do duhet të mbahen larg shtëpisë së demokratëve, larg selisë së Partisë Demokratike, secili do duhet ti mbajë në shtëpinë e tij.

Pyetje: Në këtë moment kur Partia Demokratike dukshëm është ndarë në dy grupe, a besoni se është e nevojshme që Lulzim Basha pavarësisht se u zgjodh përpara tre muajsh si kryetar i Partisë Demokratike, të kalojë në një votëbesim nga anëtarësia e kësaj force politike?

Gazment Bardhi: Së pari unë nuk dua kurrë ti ndaj në grupime demokratët, ne jemi demokratë, jemi një parti dhe kam bindjen e plotë që do vazhdojmë të jemi një parti. Së dyti, siç ju e thatë, kryetari i partisë është zgjedhur jo më larg se disa muaj më parë me një mbështetje masive të anëtarëve të partisë, nga ai moment nuk ka ndryshuar asgjë, me përjashtim të problemit personal të Sali Berishës. Dhe unë nuk besoj që ne kemi luksin për të humbur kohën për të futur partinë në procese jashtë statutore, në procese që nuk përputhen me agjendën që do duhet të ketë çdo demokrat dhe Partia Demokratike, thjeshtë për faktin që zoti Berisha pas datës 19 maj ka një problem personal me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Related posts

“Vendos rripin, shpëto jetë”, mesazhi i Inva Mulës për të rinjtë që i bëjnë bisht rripit të sigurimit

admin

Rama: Nuk janë të mira shenjat për Ballkanin Perëndimor

admin

Gjykata Kushtetuese vendos sot për legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të 2019-ës

admin