9.8 C
Skopje, NM
26/10/2021
DailyNews.mk
Përzgjedhjе nga redaktori Rajoni

Avokatët e Selimit, Speciales: Hiqeni “Ndërmarrje e përbashkët kriminale” nga aktakuza

Ekipi mbrojtës i ish-inspektorit të përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, e ka dorëzuar në Gjykatën Speciale një parashtresë, përmes së cilës e sfidon formën e ndjekjes penale të Selimit në kuadër të asaj që Specialja po e quan “Ndërmarrje e përbashkët kriminale’’.

David Young dhe Geoffrey Roberts, avokatë të Selimit, kanë thënë se Ndërmarrja e përbashkët kriminale (NPK) është konstrukt i krijuar përmes një analize selektive të një numri të kufizuar të çështjeve pas Luftës së Dytë Botërore dhe konventave ndërkombëtare, njofton Klan Kosova.

Të dy avokatët kanë rreshtuar edhe rastet kur përdoret termi “Ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

”Siç është njohur nga gjyqtari i procedurës paraprake, NPK, siç aplikohet në gjykatat ad-hoc, ka tri forma të dallueshme: a NPK I (forma themelore) përshkruan përgjegjësinë penale individuale kur “të gjithë bashkëkryerësit,
duke vepruar në përputhje me një qëllim të përbashkët, [dhe] posedojnë të njëjtin qëllim kriminal […] Megjithëse secili nga pjesëmarrësit mund të kryejë një rol të ndryshëm [brenda NPK] “. b NPK II (formë sistemike) “karakterizohet nga ekzistenca e një sistemi të organizuar kriminal, veçanërisht në rastin e kampeve të përqendrimit ose të paraburgimit”. c NPK III (formë e zgjeruar) përshkruan përgjegjësinë penale individuale në situata “Që përfshin një qëllim të përbashkët për të kryer një krim kur një nga autorët e krimit kryen një akt i cili, megjithëse është jashtë planit të përbashkët, është gjithsesi i natyrshëm dhe pasoja e parashikueshme e efektit të këtij qëllimi është e përbashkët”, thuhet në parashtresë.

Tutje, avokatët e Selimit shkruajnë se Ndërmarrja e përbashkët kriminale nuk ka qenë pjesë e ligjit të Kosovës ose të ish-Jugosllavisë më 1998, kur pretendohet se Selimi i kishte kryer krimet për të cilat akuzohet.

“Neni 6 (1) i Ligjit i jep juridiksion DHSK-së për të dy krimet ndërkombëtare të mbuluara nga nenet 12-16 dhe veprat penale specifike të brendshme kosovare të përcaktuara në Nenin 6 (2), megjithëse këto janë të kufizuara në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Neni 12 i Ligjit parashikon që DHSK “do të zbatojë të drejtën zakonore ndërkombëtare dhe ligjin penal të Kosovës për aq sa është në përputhje me të e drejta zakonore ndërkombëtare, të dyja siç zbatohen në kohën e kryerjes së krimeve”, thuhet tutje në parashtresë.

Ata po ashtu thonë se NPK nuk ishte pjesë as e drejtës ndërkombëtare konvencionale ose zakonore më 1998.

“Asnjë konventë ndërkombëtare e detyrueshme për Kosovën nuk përfshin NPK. Prandaj nuk ka baza për zbatimin e kësaj forme të përgjegjësisë”, thuhet në parashtresën e dorëzuar nga avokatët e Selimit.

Kësisoj, avokatët e Selimit dalin në përfundim se Gjykata Speciale nuk mund ta ndjek penalisht atë në kuadër të “Ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.

“DHSK, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe të drejtat e njohura të njeriut, është e ndaluar të zbatojë në mënyrë retroaktive ligjin penal, duke përfshirë mënyrat e përgjegjësisë, të cilat nuk ishin të zbatueshme dhe të detyrueshme në Kosovë në kohën e kryerjes së veprave penale që pretendohet se ishin kryer. Kështu, format e vetme të përgjegjësisë për të cilat z. Selimi mund të ndiqet penalisht janë ato që do të kishin qenë të zbatueshme për të në mars 1998 në Kosovë. Kjo thjesht nuk përfshin NPK”, thuhet në parashtresë.

Ekipi mbrojtës i Selimit kërkon nga gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou që të garantojë se Gjykata Speciale ”nuk ka juridiksion mbi përgjegjësinë e Ndërmarrjes së përbashkët kriminale; dhe të urdhërojë Zyrën e Prokurorit të Specializuar t’i heqë paragrafët 32-52 nga aktakuza për aq kohë sa ato kanë të bëjnë me ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

Related posts

Zjarret në Shqipëri, situata mbetet kritike në Dukat

Admin

Hotelet e Tiranës janë plot, turistë edhe nga Lindja e Mesme

Admin

Rritja e rasteve me coronavirus, 1,659 raste janë aktive

Admin

Vazhdojnë pritjet e gjata në pikat kufitare, tri orë pritje në Merdarë për të dalë nga Kosova

Admin

Arsyet se përse po shtyhet regjistrimi i popullsisë

Admin

Humb jetën nga coronavirus një zyrtar policor

Admin

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com