28.8 C
Skopje, NM
16/09/2021
DailyNews.mk
Përzgjedhjе nga redaktori Rajoni

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, bllokon bisedimet Kosovë-Serbi

Bashkimi Evropian tha se po bën përpjekje për të përgatitur një takim të ri ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, për të vazhduar bisedimet e ndërmjetësuara prej tij. Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i tha se përpjekjet po bëhen qoftë për një takim në nivel ekspertësh apo nivelin më të lartë politik, por pa qartësuar se kur mund të pritet një gjë e tillë.

Këshilli i Bashkimit Evropian pritet të diskutojë të hënën, më 12 tetor, në nivel ministrash rreth bisedimeve Kosovë-Serbi dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak do t’u raportojë ministrave mbi rrjedhën e tyre. Më pas gjatë javës që po vjen, Lajçak pritet të qëndrojë në Prishtinë dhe Beograd.

Takimi i fundit ndërmjet dy palëve ishte paraparë të zhvillohej me 28 shtator, por u anulua tri ditë para se të ndodhte për shkak të, siç është thënë, “masave të kujdesit përballë situatës me COVID-19”.

Por, njohës të zhvillimeve politike në Kosovë, thonë se në fakt procesi i bisedimeve është bllokuar nga rihapja e temës së asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Naim Rashiti nga Instituti Ballkanik për Hartimin e Politikave, thotë se janë disa arsye që kanë krijuar vështirësi në procesin e bisedimeve.

“Po. Asociacioni ka bllokuar procesin e dialogut për disa arsye; e para mungesa e konsensusit politik për të ecë përpara; e dyta ka të bëjë edhe me konstruktin e procesit të dialogut e cila nuk e ka një kornizë të qartë me sekuenca se cila temë me cilën përputhet; dhe e treta përfshin faktin që besimi në proces nga të gjitha palët është i vogël dhe sikur çdokush dyshon se çka do të vijë pas asociacionit”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Serbia kërkon që në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian të diskutohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Presidenti serb Vuçiç, tha në shtator se kjo është temë e pashmangshme dhe se Beogradi do të ngulë këmbë për këtë çështje.

Por, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka hedhur poshtë çdo mundësi për të diskutuar për këtë çështje, duke e konsideruar atë të mbyllur me marrëveshjet ekzistuese të vitit 2013 dhe 2015.

Gjatë kësaj jave përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se çështja e asociacionit është detyrim ndërkombëtar i Kosovës dhe se ai duhet te zbatohet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me të.

“Në anën e Kosovës ky është një detyrim që e mori në vitin 2013 dhe 2015 në nivel ndërkombëtar dhe i cili është ratifikuar edhe nga shumica parlamentare e Kosovës, prandaj në pikëpamjen time është një detyrim i brendshëm kushtetues i Kosovës të vazhdojë me të. I takon tani Kosovës dhe ekipit të saj negociues të saj që të propozojë se si të zbatohet ky detyrim, padyshim pjesë e tij është edhe roli i Gjykatës Kushtetuese e cila dha mendimin e saj pas kësaj marrëveshjeje dhe natyrisht ky zbatim duhet të jetë në përputhje të plotë me Gjykatën Kushtetuese”, tha ai.

Rashiti, vlerëson se Kosova duke e keqmenaxhuar këtë temë po e dëmton imazhin e vet si partner serioz.

“Është e turpshme se si Kosova ka krijuar përshtypjen te Bashkimi Evropian dhe vendet tjera mike se po heziton ta implementojë edhe atë për të cilën është pajtuar, e që nuk është e vërtetë. Ose po e keqmenaxhon shumë Kosova dhe politika jonë këtë proces se përndryshe do të kishte qenë lehtë i implementueshëm dhe çdokush e din edhe nga politika që ai asociacion, së paku ai siç është pajtuar në marrëveshjen e Brukselit do të impelentohet në një fazë”, tha Rashiti.

Sipas tij, përfaqësuesit e Kosovës duhet të sigurohen se asociacioni do të zbatohet, por, vetëm duke qenë pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare që i garanton Kosovës njohjen nga Serbia.

“Kosova mund të gjejë alternativa t’i ofrojë gjatë procesit të negociatave. Më e rëndësishmja është të konsolidohet dhe të ruhet e të bëhet presion të vendet e Bashkimit Evropian që korniza të jetë përfundimtare dhe këtu është thelbi i cështjes e këtu po na rrjedhë një prej problemeve, siç e thashë, krahas një konflikti të brendshëm të paparë politik është mungesa e besimit te procesi. Si të rritet besimi në proces se me të vërtetë po flitet për marrëveshje finale dhe kjo mungesë besimi po gjeneron konfuzion, reagime”, thotë ai.

Serbia kërkon që ky mekanizëm të krijohet sipas marrëveshjes së arritur në vitin 2015, që parasheh përgjegjësi të gjera në disa fusha, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur shkelje të shumta në marrëveshje dhe sipas opinionit të saj, asociacioni mund të krijohet vetëm sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Serbia kërkon ndryshime në Kushtetutën e Kosovës për të mundësuar kalimin e më shumë përgjegjësive ekzekutive tek asociacioni i komunave me shumicë serbe. Por, Kosova kundërshton çdo ndryshim që do t’i jepte përgjegjësi ekzekutive një asociacioni të tillë.

Related posts

Zjarret në Shqipëri, situata mbetet kritike në Dukat

Admin

Hotelet e Tiranës janë plot, turistë edhe nga Lindja e Mesme

Admin

Rritja e rasteve me coronavirus, 1,659 raste janë aktive

Admin

Vazhdojnë pritjet e gjata në pikat kufitare, tri orë pritje në Merdarë për të dalë nga Kosova

Admin

Arsyet se përse po shtyhet regjistrimi i popullsisë

Admin

Humb jetën nga coronavirus një zyrtar policor

Admin

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com