Friedrich Merz dështoi të zgjidhej kancelar i Gjermanisë në raundin e parë të zgjedhjeve për kancelar.
Me 310 vota pro, 307 kundër dhe 3 abstenime, kreu i Partisë Kristian Demokratike (CDU), Friedrich Merz, dështoi të zgjidhej kancelar në votimin e parë në Bundestag. U deshën 316 vota nga një total prej 630 deputetësh.
Sipas asaj që raporton “Die Welt”, takimi është pezulluar në mënyrë që grupet politike të diskutojnë hapat e mëtejshëm.
Siç vënë në dukje mediat gjermane, kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e republikës federale.
DW: Mot i ngrirë në Berlin dhe një tronditje për Merzin
“Është një zhvillim që askush nuk e priste. Gjithsej 18 deputetë nga kampi qeveritar nuk votuan në favor të Friedrich Merz, duke i dhënë një goditje të rëndë si atij ashtu edhe qeverisë.”
“Deputetët dolën nga salla dhe shtabet e partisë po mblidhen, ndërsa mediat gjithashtu dukeshin të papërgatitura për zhvillimin, i cili përmbys të gjithë planin e ditës”, shkruan DË.
Hapat e ardhshëm
Për t’u zgjedhur, kandidati duhet të sigurojë shumicën absolute të anëtarëve të Bundestagut, pra gjysmën e anëtarëve plus të paktën një votë shtesë. Kjo quhet “shumicë e kancelarit”.
Nëse kandidati nuk siguron shumicën absolute në raundin e parë të votimit, mbahet një raund i dytë. Bundestagu më pas ka 14 ditë kohë për të zgjedhur një kandidat tjetër për kancelar. Nuk ka kufizim për numrin e votave të mundshme, megjithëse kërkohet gjithmonë një shumicë absolute (neni 63.3 i Ligjit Themelor).
Nëse edhe raundi i dytë i votimit nuk arrin të japë një rezultat, procesi zgjedhor hyn në një fazë të tretë, gjatë së cilës duhet të mbahen menjëherë zgjedhje të reja. Kandidati që merr numrin më të madh të votave (shumicë relative) zgjidhet Kancelar.
Përveç Merz, edhe kandidatë të tjerë mund të paraqesin, teorikisht, tani kandidaturën e tyre. Çdo kandidat duhet gjithashtu në këtë rast të marrë shumicën absolute (shumica e kancelarit)./vizionplus.tv