Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se si Rusia ashtu edhe Ukraina janë të gatshme për paqe, duke theksuar nevojën për t’u ulur në tryezën e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës. Duke folur para mediave nga dhoma e kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, Trump shfrytëzoi momentin për të folur rreth konfliktit në Ukrainë.
“Po presim prej shumë kohësh. Ata duhet të ulen në tryezë, dhe unë besoj se do të arrihet paqja”, u shpreh Trump. I pyetur për një afat konkret për arritjen e një marrëveshjeje, ai shtoi: “Unë kam afatin tim”.
Sipas tij, zgjatja e konfliktit po kushton mijëra jetë njerëzish dhe ai beson se, pavarësisht urrejtjes së madhe, të dyja palët janë të interesuara për të arritur një zgjidhje paqësore.
Në deklaratën e tij, Trump kritikoi edhe presidentin rus, Vladimir Putin, pas sulmeve të fundit në kryeqytetin ukrainas, Kiev, ku humbën jetën të paktën 12 persona. Ai dënoi aktet e dhunës dhe u shpreh i shqetësuar për përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022, duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vazhdon të bëjë thirrje për një zgjidhje diplomatike të konfliktit.