Pas një mungese të gjatë, Papa Françesku u kthye në publik për të uruar festën e Pashkës duke dhënë mesazhin e tij.
Nga Bazilika e Shën Pjetrit në Vatikan, përballë mijëra besimtarëve, ati i shenjtë, i vendosur në një karrige me rrota, kërkoi paqe për botën dhe një armëpushim për Rripin e Gazës, të rrënuar nga lufta.
“Jam i shqetësuar për klimën në rritje të antisemitizmit që po përhapet në të gjithë botën. Në të njëjtën kohë, mendimet e mia shkojnë te popullata dhe në veçanti te komuniteti i krishterë i Gazës, ku konflikti i tmerrshëm vazhdon të sjellë vdekje dhe shkatërrim dhe të shkaktojë një situatë humanitare dramatike dhe të poshtër. U bëj apel palëve të përfshira, vendosni një armëpushim, lironi pengjet dhe të lëvizet shpejt për të ndihmuar njerëzit që kanë uri dhe aspirojnë për një të ardhme me paqe!”, tha Papa Françesku.
Një thirrje Papa Françesku e pati edhe për Ukrainën që po vuan agresionin rus.
“Krishti i Ngjallur të derdhë dhuratën e Pashkëve të paqes mbi Ukrainën e torturuar dhe të inkurajojë të gjithë aktorët e përfshirë që të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, u shpreh Papa.
Papa Françesku u lut për harmoni edhe në Ballkanin Perëndimor.
“Drita e Pashkëve i frymëzoftë propozimet për harmoni në Ballkanin Perëndimor dhe të mbështesë aktorët politikë në punën për të shmangur thellimin e tensioneve dhe të krizave, si dhe partnerët në rajon në refuzimin e sjelljeve të rrezikshme dhe destabilizuese”, deklaroi Papa Françesku.
Ati i shenjtë zhvilloi një takim mëngjesin e të dielës në Vatikan me nënpresidentin amerikan, JD Vance, me të cilin ishte përplasur më herët lidhur me politikat për emigrantët të administratës së Donald Trump.
/vizionplus.tv