Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar të dielën se Presidenti rus Vladimir Putin ka shkelur armëpushimin e shpallur me rastin e Pashkëve, duke ndërmarrë sulme gjatë natës në territorin ukrainas.
“Sot mund të themi se ushtria ruse po përpiqet të krijojë përshtypjen e një armëpushimi, por në disa zona ajo ende po tenton të përparojë dhe të shkaktojë humbje ndaj Ukrainës,” tha Zelensky në kanalin e tij në Telegram.
Lexo edhe :
Related Posts
Kremlini kishte shpallur një armëpushim të njëanshëm që do të zgjaste deri në mesnatën e së dielës, me rastin e Pashkëve.
Megjithatë, ushtria ukrainase raportoi se që të shtunën në mbrëmje, Rusia kishte vazhduar me sulme të vazhdueshme me artileri dhe drone.
“Midis mesnatës dhe mesditës së sotme, forcat ruse kanë kryer tashmë 26 sulme”, tha Zelensky.
“Ne po dokumentojmë çdo shkelje dhe jemi të përgatitur t’u ofrojmë informacionin e nevojshëm partnerëve tanë. Në praktikë, ose Putin nuk ka kontroll të plotë mbi ushtrinë e tij, ose situata dëshmon se në Rusi, ata nuk kanë ndërmend të bëjnë një lëvizje të vërtetë drejt përfundimit të luftës”, tha ai.
Zelensky u zotua të “pasqyrojë” veprimet e Putinit në rajonet Kursk, Belgorod, Zaporizhzhia dhe Donetsk, ndër të tjera.
“Ukraina, së bashku me partnerët tanë, është e gatshme të lëvizë drejt paqes në mënyrë sa më konstruktive, por ne kemi nevojë për gatishmërinë e Rusisë”, përsëriti Zelensky në një mesazh tjetër. Ai gjithashtu kërkoi që Rusia të respektonte armëpushimin dhe këmbënguli për zgjatjen e tij për 30 ditë.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha të dielën se forcat e saj kishin “respektuar rreptësisht” armëpushimin dhe akuzoi Ukrainën për shkeljen e pauzës në luftime. Ministria tha se njësitë ukrainase kishin qëlluar në pozicionet ruse 444 herë gjatë natës dhe kryen më shumë se 900 sulme me dronë.
“Si rezultat, pati vdekje dhe lëndime në mesin e popullatës civile dhe dëmtime të objekteve civile”, pohoi ministria ruse në një deklaratë.
Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të ndërmjetësojnë një marrëveshje armëpushimi midis të dyja palëve për javë të tëra, por Moska hodhi poshtë një ofertë të fundit për një armëpushim të plotë njëmujor, për të cilin Ukraina kishte rënë tashmë dakord.
Ndërsa Putin pranoi të ndalonte sulmet ndaj objekteve energjetike dhe infrastrukturës civile, Kremlini e shkeli atë marrëveshje pas një ore.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do të braktisë bisedimet e paqes nëse të dyja palët nuk bëjnë përparim drejt një armëpushimi./vizionplus.tv