Kryeministri i Japonisë, Shigeru Ishiba njoftoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin amerikan, Donald Trump. Ai u shpreh se i ka kërkuar Trump të rimendojë tarifat.
Sipas tij ata ranë dakord që të vazhdojnë bisedimet për tarifat e vendosura nga Uashingtoni javën e kaluar.
Kryeministri tha se ai i kërkoi Trump të rishqyrtonte vendimin, duke e quajtur politikën e tij tarifore “jashtëzakonisht zhgënjyese”.
“I thashë presidentit se Japonia ka qenë investitori më i madh në SHBA për pesë vjet rresht dhe politika tarifore do të dëmtojë potencialin investues të kompanive japoneze,” u tha Ishiba gazetarëve.
Trump konfirmoi se kishte folur me Ishibën dhe se Japonia do të dërgonte një delegacion për negociata. Ai gjithashtu vuri në dukje se vendet nga e gjithë bota duan të bisedojnë me qeverinë e tij për çështjen e tarifave.
/vizionplus.tv