Grupi militant palestinez Hamas tha se ka goditur me raketa disa qytete në jug të Izraelit të dielën në përgjigje të sulmeve izraelite në Gaza.
Ushtria izraelite tha se shumica e predhave u kapën me sukses, raporton Reuters.
Autoritetet lokale shëndetësore të Gazës thanë se sulmet ushtarake izraelite vranë të paktën 39 njerëz në të gjithë Rripin e Gazës të dielën.
Ushtria izraelite publikoi në platformën X një urdhër evakuimi, duke udhëzuar banorët e disa distrikteve në qytetin Deir Al-Balah në Rripin qendror të Gazës që të largoheshin nga zonat e tyre.
“Ky është një paralajmërim përfundimtar përpara sulmit”, thuhet në deklaratën paralajmëruese ushtarake.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili ndodhej në Uashington për një takim me Presidentin e SHBA Donald Trump, u informua për sulmin me raketa nga ministri i tij i Mbrojtjes, Israel Katz.
Një deklaratë e lëshuar nga zyra e tij tha se Netanyahu udhëzoi që të kryhej një përgjigje “e fuqishme” dhe miratoi vazhdimin e aktivitetit intensiv të ushtrisë izraelite kundër Hamasit.
Faza e parë e një armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi më 19 janar pas 15 muajsh lufte dhe përfshinte ndalimin e luftimeve, lirimin e disa prej pengjeve izraelitë të mbajtur nga Hamasi dhe lirimin e disa të burgosurve palestinezë.
Megjithatë, Izraeli tha më 19 mars se forcat e tij rifilluan operacionet tokësore në Rripin qendror dhe jugor të Gazës. Të dyja palët fajësuan njëra-tjetrën për një ngërç në bisedimet e armëpushimit.
Më shumë se 50,000 palestinezë janë vrarë nga ofensiva izraelite në Gaza, thonë zyrtarët palestinezë.
Izraeli filloi ofensivën e tij pasi mijëra njerëz të armatosur të udhëhequr nga Hamas sulmuan komunitetet në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke rrëmbyer 251 pengje, sipas raporteve izraelite./vizionplus.tv