Mes zhurmës së shkaktuar nga deklaratat e tij të djeshme për vendosjen e tarifave 25% për të gjitha makinat e importuara, Donald Trump kërcënoi sot se do të vendosë tarifa shtesë ndaj BE-së dhe Kanadasë nëse ata bashkëpunojnë për të “dëmtuar ekonomikisht Shtetet e Bashkuara”.
“Nëse BE-ja bashkëpunon me Kanadanë për të dëmtuar ekonomikisht SHBA-në, tarifa në shkallë të gjerë, shumë më të mëdha se ato të parashikuara aktualisht, do të vendosen për të dyja, për të mbrojtur mikun më të mirë që secili prej këtyre dy vendeve ka pasur ndonjëherë”, theksoi republikani në një postim në Truth Social.
( @realDonaldTrump – Truth Social Post )
( Donald J. Trump – Mar 27, 2025, 1:50 AM ET )If the European Union works with Canada in order to do economic harm to the USA, large scale Tariffs, far larger than currently planned, will be placed on them both in order to protect the… pic.twitter.com/3x1fYPWoiw
— Donald J. Trump 🇺🇸 TRUTH POSTS (@TruthTrumpPosts) March 27, 2025
Njoftimi i djeshëm i presidentit amerikan për vendosjen e tarifave 25% për të gjitha makinat që nuk prodhohen në SHBA zgjeron frontin e “luftës tregtare” që është hapur që nga kthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë.
Kjo është një lëvizje që ka ngjallur reagime të forta nga drejtues të vendeve si Japonia, Kanadaja dhe Brazili, të cilët premtojnë masa hakmarrëse.
Presidenti republikan i sheh tarifat e reja si një mjet për të rritur të ardhurat për të kompensuar uljet e taksave që ai ka njoftuar.
Në të njëjtën kohë, njoftimi aspiron të ringjallë bazën industriale të vendit, e cila vitet e fundit ka shfaqur shenja rënieje.
Gjatë vitit 2024, Shtetet e Bashkuara importuan automjete pasagjerësh me vlerë 220 miliardë dollarë, si dhe pjesë automobilistike dhe artikuj të tjerë në vlerë 474 miliardë dollarë.
Ndër furnizuesit kryesorë janë Meksika, Japonia, Koreja e Jugut, Kanadaja dhe Gjermania, vende që pritet të goditen më shumë nga masa e re.
Reagimet ndërkombëtare
“Më vjen shumë keq për vendimin amerikan. Bashkimi Evropian shpreh keqardhjen e thellë për vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur tarifa 25% për automjetet evropiane të importuara në vendin e tij”, theksoi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dje në mbrëmje në platformën X.
Japonia: “Do të merren masat e duhura hakmarrëse”
Japonia synon të miratojë “masat e duhura” për t’u hakmarrë ndaj tarifave shtesë doganore për automjetet japoneze të shpallura nga qeveria amerikane dhe do të shqyrtojë “të gjitha opsionet”, paralajmëroi sot kryeministri japonez Shigeru Ishiba.
“Duhet të mendojmë për masat e duhura pas këtij njoftimi. Sigurisht, ne do t’i shqyrtojmë të gjitha opsionet”, theksoi Ishiba duke iu drejtuar deputetëve të parlamentit japonez. Industria e automjeteve prodhon afërsisht një të tretën e mallrave me origjinë japoneze të eksportuara në SHBA.
Qeveria japoneze paralajmëroi gjithashtu kundër “ndikimit të madh” që veprimet e Trump do të kishin në marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike SHBA-Japoni, si dhe në ekonominë globale në tërësi.
“Ne besojmë se këto masa dhe kufizime të tjera më të përgjithshme tregtare të vendosura nga qeveria amerikane mund të kenë një ndikim të madh në marrëdhëniet ekonomike midis Japonisë dhe SHBA-së, si dhe në ekonominë globale dhe sistemin tregtar shumëpalësh,” u tha gazetarëve zëdhënësi i qeverisë japoneze Yoshimasa Hayashi.
Tarifat doganore shtesë prej 25% për makinat e importuara japoneze të shpallura nga Uashingtoni janë një zhvillim “jashtëzakonisht për të ardhur keq”, vuri në dukje zëdhënësi i qeverisë gjatë një konference.
Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva tha sot se vendi i tij “nuk mund të bëjë asgjë” përballë sulmit të nisur nga homologu i tij amerikan Donald Trump duke vendosur tarifa.
Kanada: Një sulm i drejtpërdrejtë ndaj punëtorëve tanë
Vendimi i presidentit amerikan është një “sulm i drejtpërdrejtë” ndaj punëtorëve kanadezë, tha të mërkurën kryeministri kanadez Mark Carney.
“Tarifat në industrinë tonë të automjeteve janë një sulm i drejtpërdrejtë ndaj punëtorëve” në Kanada, u tha gazetarëve udhëheqësi dhe kryeministri i ri liberal, duke akuzuar presidentin republikan Trump për “tradhti” të marrëveshjes së tregtisë së lirë që të dy vendet dhe Meksika kanë nënshkruar.
Aksionet e Toyota, Nissan, Honda, Hyundai në rënie
Gjigantët japonezë dhe koreano-jugorë të automobilave, nga Toyota në Hyundai , po shohin rënien e çmimeve të aksioneve të tyre në tregjet e kapitalit pas hapjes së tregjeve aziatike, pas shpalljes së taksave shtesë doganore për automjetet e importuara në Shtetet e Bashkuara, një treg me rëndësi kritike për këta prodhues.
Rreth orës 02:10 në bursën e Tokios, aksionet e emrave të mëdhenj të sektorit po binin të gjithë pa përjashtim: Toyota (–3,72%), Mitsubishi (–3,7%), Nissan (–3,2%), Honda (–2,77%). Indeksi i përgjithshëm gjithashtu tregoi një prirje rënëse, por jo aq spektakolare (–0.79%). Në Seul, aksionet e Hyundai Motor (–3,15%) dhe Kia Corporation (–2%) ishin në një trajektore të ngjashme.
Japonia është veçanërisht e prekshme. Vitin e kaluar, industria e automjeteve përbënte 28% të mallrave me origjinë japoneze të eksportuara në SHBA, ose rreth 40 miliardë dollarë. Dhe industria e automobilave është një shtyllë e ekonomisë japoneze, duke punësuar 10% të fuqisë punëtore të saj./vizionplus.tv