Paulo Fonseca foli pak minuta para fillimit të ndeshjes mes FCSB dhe Lyon, e vlefshme për fazën e parë të 1/8-ve të “Europa League”.
Ishte e pashmangshme të mos përmendej pezullimi prej 9 muajsh që ai mori në Francë: “Dua të përqendrohem te ndeshja e sotme, por ndiej një padrejtësi të madhe në lidhje me vendimin e marrë. Dua ta sqaroj se nuk e kam prekur kurrë arbitrin dhe nuk kam pasur asnjë qëllim për të qenë agresiv.
Mourinho sulmon sërish Galatasaray: Ka krijuar ‘sistem’ në futbollin turk, nuk vjen erë e mirë
Për mua, gjëja më e rëndësishme është mbështetja e klubit tim dhe e këtij grupi të jashtëzakonshëm. Duhet të ruajmë qetësinë. Sidoqoftë, jam i gatshëm të vazhdoj punën pavarësisht këtij pezullimi të gjatë. Duhet të gjejmë zgjidhje së bashku dhe ta organizojmë ekipin sa më mirë për t’i përgatitur ndeshjet e ardhshme”.
Edhe pas fitores 3-1 në fushën e Steaua Bukureshtit, priteshin me shumë interes deklaratat e Paulo Fonseca, i cili duhej të komentonte edhe pezullimin e rëndë (9 muaj) të dhënë nga komisioni disiplinor francez. Një “dhuratë” aspak e këndshme për ditëlindjen e tij, ndryshe nga ajo që i bënë lojtarët e tij disa orë më vonë, fitoren.
Trajneri portugez mori përqafimin e gjithë ekipit dhe u emocionua: “Ishte një fitore shumë e bukur. Gjëja më e rëndësishme sonte është se kuptova sa me fat jam që kam këtë grup të mrekullueshëm. Lotët? Ishte një moment emocionues. Mbështetja e lojtarëve të mi dhe e klubit është gjëja më e rëndësishme. Ishte një moment i bukur. Jemi të bashkuar, lojtarët janë me mua”.
Mbi pezullimin 9 mujor, portugezi shtoi: “Jam më i qetë tani, sepse kam mbështetjen e njerëzve pranë meje. Nuk do të dorëzohem kurrë. Si do të punoj? Po përgatitemi për të gjetur një zgjidhje. Më e rëndësishmja është puna që bëjmë gjatë javës. Pastaj, në ndeshje, lojtarët do të dinë çfarë duhet të bëjmë. Kam një staf teknik në të cilin besoj shumë. Do të jemi gati”.
Rruga për t’u ndjekur: “Kemi mundësinë ta apelojmë dënimin. Kam mbështetjen e drejtuesve të klubit. Dua të them vetëm një gjë: mora pezullim 9 mujor për një situatë që kam kërkuar falje. Shoh një ‘cirk’ mediatik që vazhdon të thotë se kam kryer agresion ndaj arbitrit. Ekzistojnë pamjet, nuk e kam prekur arbitrin, thjesht e kam kundërshtuar verbalisht.
Nuk kam kryer kurrë agresion fizik dhe as nuk kisha ndërmend ta bëja. Personat që e dhanë këtë dënim kanë menduar për situatën e përgjithshme të futbollit francez, tani jam unë që duhet të paguaj. Kam parë çfarë ka ndodhur në të kaluarën këtu, dënimet kanë qenë ndryshe dhe kjo nuk është e drejtë”.