Shkruan: Dorentina Thaqi
“Familja është vendi ku fillon jeta…”, është një thënie që përdoret shpesh.
Kështu nuk ka qenë asnjëherë për një vajzë, që vazhdimisht përjetori dhunë nga vëllezërit e saj, pa pasur guximin t’i tregojë ndokujt.
Mes gjithë frikës, 25 vjeçarja merr guximin që mes fjalëve që kanë veç dhimbje në anonimitet të rrëfejë vuajtjet.
Një kohë vëllezërit jetuan në një shtet evropian.
Në një botë normale një 16 vjeçare do të kërcente nga gëzimi qëvëllezërit do t’i vinin, por këtë ndjenjë nuk e përjetoi kjo viktimë e dhunës në familje.
Sytë i mbushen me lotë, e zëri i dridhet teksa kujton momentet kur ishte fëmijë e veç fëmijërinë nuk e jetoi. “Si çdo fëmijë që i pret me shumë mall e dashni pjesëtarët e familjes me ardh në pushime, unë nuk e kisha atë dëshirë, sepse kur vinin në pushime më saktësishë vëllezërit e mi kisha frikë prej mëngjesit deri në mbrëmje, sepse ishin shumë agresiv ndaj nesh. Konfliktet dhe fjalosjet e familjarëve të mi kanë ndikuar shumë keq tek unë por mendoja që do kalojnë dita ditës. Por, duke u rritur, ato situata aq më shumë shtoheshin deri sa filluan të ushtronin dhunë psikologjike, po ashtu edhe fizike ndaj meje. Ka pasur shumë momente ku për arsyje shumë të ulta vëllezërit kanë ushtru dhunë shumë të madhe ndaj meje” shprehet ajo.
Babai që ishte në shtëpi, ishte i pafuqishëm për të ndalur dhunën.
“Rasti më i rëndë që e kujtoj edhe sot ishe për rrobat në lavatriqe, meqë s’kisha kohë të merresha me to, sepse kisha detyrime të tjera, vëllau ka ushtru dhunë të madhe, më ka kap për flokë dhe më ka goditur për muri, deri sa kam mbetë pa vetëdije. Kur fillova mos me duru më, fillova të flas t’i kundërshtojë në çdo aspekt, por çdo gjë më kthehej në mënyrë të ashpër e të goditurat pa fund” shprehet ajo, tek thotë se edhe veshja e saj ishte problem për njërin nga vëllezërit.
Megjithatë, ajo dhimbjen e ktheu në forcë. Një jetë më të mirë zgjedhi ta jetojë larg atyre që parimisht do të duhej të ishin mbështetje.
Rrëfimin e rëndë, e përfundon me një thirrje për të gjitha viktimat e dhunës në familje.
“Gratë të mos i përulen askujt edhe nëse përjetojnë dhunë, t’i denoncojnë pa marrë parasysh se kush është ai person, sepse unë s’munda dhe nuk e kam atë guxim..” mbaron rrëfimin e saj 25 vjecarja.
Stresi, ankthi e depresioni, pasojat e dhunës
Ankthi, depresioni janë ndër pasojat që mund të bart me vete tërë jetën, një viktimë që përjeton një dhunë të tillë, sidomos kur në pyetje janë familja e cila duhet të jetë një mjedis mbështetës e i sigurt.
Sipas psikologut, Ilir Havolli, viktimat sa më herët duhet ta trajtojnë shëndetin mendor të tyre.
“Dhuna fizike ose psikologjike ka ndikim të madh në shëndetin mendor të viktimës, duke shkaktuar ankth, depresion, çrregullime të stresit post-traumatik (PTSD), ulje të vetëvlerësimit dhe madje edhe ide suicidale (vetëvrasëse). Trajtimi i hershëm është i domosdoshëm për të parandaluar dëme më të thella emocionale dhe për të ndihmuar viktimën të rimarrë kontrollin mbi jetën e saj” shprehet ai.
Tutje sipas, tij, pasojat mund të jenë afatgjate, derisa thotë se këto shenja të dhunës reflektojnë shpesh me gjëra të tjera. “Mund të ketë pasoja afatgjata, si vështirësi në krijimin e marrëdhënieve të shëndetshme, probleme të besimit, çrregullime emocionale dhe vështirësi në funksionimin e përditshëm. Në disa raste, viktimat e dhunës mund të përsërisin modelet e dhunës në marrëdhëniet e tyre të ardhshme ose të përballen me çështje serioze të shëndetit mendor gjatë gjithë jetës”, thotë Havolli.
Rritja e rasteve të dhunës në familje
Në vitet e fundit, në Kosovë janë rritur rastet e dhunës në familje. Këtë e tregojnë statistikat, e nga shoqëria civile theksohet një rritje e raportimeve të rasteve të dhunës në familje, duke përfshirë edhe rastet kur kryesi i dhunës nuk është medeomos bashkëshorti.
Ish avokati i popullit, Hilmi Jashari, thotë se rastet e tillë, ku kryrës të dhunës janë anëtarë të ngushtë të familjes, janë shqetësuese.
“Rastet e dhunës në familje, ku kryerësit janë anëtarë të ngushtë të familjes, janë veçanërisht shqetësuese sepse këto marrëdhënie bazohen në besim dhe mbështetje. Ligji për Mbrojtje nga Dhuna në Familje i Kosovës thekson se çdo formë dhune e shkaktuar nga një anëtar i familjes cenon jo vetëm sigurinë fizike dhe psikologjike të viktimës, por edhe strukturën dhe mirëqenien e familjes si institucion dhe përbën shkeljet të të drejtave të njeriut. Veprat e tilla kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet kompetente për të parandaluar përsëritjen dhe për të mbrojtur viktimat” shprehet Jashari, i cili tash punon avokat.
Në anën tjetër, në Policinë e Kosovës, e cila është hallka e parë e raportimit, thonë se ngritja e numrit të rasteve, tregon sensibilizim të vazhdueshëm të raportimit dhe bashkëpunimit me Policinë. “Rastet e dhunës në familje, në secilin stacion policor, trajtohen nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime dhe janë profilizuar për trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Rastet e tilla gjithashtu trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë” thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.
Ende ka dhunë që nuk raportohet
Pavarësisht strukturës ligjore, që ka Kosova, sfidë edhe më tutje mbetet raportimi i rasteve të dhunës në familje. Siç tregoi edhe 25 vjeçarja, që nuk ka mundur asnjëherë të gjejë guximin për të raportuar në institucione, sipas avokatit Jashari, janë një sërë faktorësh që ndikojnë në këtë. “Raportimi i dhunës mbetet sfidues për shkak të stigmatizimit shoqëror, viktimat shpesh përballen me paragjykime dhe frikë nga gjykimi i komunitetit. Pastaj faktor tjetër është varësia ekonomike, viktimat mund të hezitojnë të raportojnë për shkak të varësisë financiare nga kryerësi. Gjithashtu është e shprehur edhe frika nga hakmarrja, raportimi mund të nxisë hakmarrje nga kryerësi, siç është dëshmuar në disa raste. Dhe e fundit mangësi në institucionet përgjegjëse, edhe pse ligji obligon institucionet për reagim të menjëhershëm, në praktikë ka vonesa dhe mangësi në zbatimin e masave mbrojtëse” tregon ai, duke treguar se së fundmi në Kosovë, ka hyrë në fuqi Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore.
Dështimet e institucioneve, paraqiten edhe në një raport që GLPS, ka publikuar vitin e kaluar, për trajtimin institucional të rasteve të dhunës në familje gjatë periudhës korrik 2023 – qershor 2024. Ky raport vë në pah se lidhja emocionale e viktimës me kryrësin e dhunës, shpesh amnistohet, dhe ndikon që të mos raportohet. “Dhuna në familje pavarësisht se ka një trend më të theksuar të paraqitjes në raportet bashkëshortore, megjithatë është prezente edhe në mes të anëtarëve të tjerë të familjes. Të dhënat e përshkruara më sipër pasqyrojnë një realitet kompleks dhe shqetësues, ku viktimat e dhunës në familje shpesh janë të lidhura ngushtë me autorët, jo vetëm emocionalisht, por në raste të caktuara edhe sa i përket vendimeve të përbashkëta ekonomike si dhe strehimit” theksohet në këtë raport.
Ndër rastet më të rënda, që ka ndodhur në Kosovë, ka qenë vrasja e një gruaje të moshuar, në Pejë, ku kryrësi i vrasjes ishte djali i saj.
—
Ky projekt është pjesë e iniciativës së UN Women, “Adresimi i ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve/eve për të luftuar stigmën dhe për të folur hapur”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.
Marrë nga web-faqja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK).