Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar pas përplasjes së avionit me një helikopter ushtarak në Uashington, duke thënë se aksidenti duhej të ishte parandaluar.
Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump ka shkruar se avioni ishte në rrugën e duhur për ulje dhe vuri në dyshim veprimet e helikopterit dhe kontrollit të trafikut ajror.
“Aeroplani ishte në linjë të drejt afër për të ateruar në aeroport. Helikopteri po shkonte drejt aeroplanit për disa kohë. Pse helikopteri nuk u kthye, pse kulla e kontrollit nuk i tha helikopterit se çfarë të bënte në vend që t’i pyeste nëse e panë aeroplanin”, ka shkruar Trump.
Trump e cilësoi ngjarjen si një tragjedi që duhej të ishte parandaluar.
“Kjo është një situatë e keqe. Jo mirë!!!”, ka shtuar ai.
Asnjë i mbijetuar, 19 viktima të konfirmuara
Avioni dhe helikopteri u rrëzuan në lumin Potomac pas përplasjes.
Deri tani, ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë 19 trupa, ndërsa nuk ka raportime për të mbijetuar.
Në avion ndodheshin 60 pasagjerë, ndërsa në helikopter katër pjesëtarë të personelit ushtarak.
Operacionet e kërkimit vazhdojnë.