Ndërmarrja publike “Trainkos” ka zbuluar manipulim të të dhënave në arka fiskale dhe dëmtim financiar gjatë operimit të gjatë me këto pajisje.
Dëmi i shkaktuar ka arritur vlerën e 230 mijë eurove, ndërsa për këtë arsye, 12 punonjës janë larguar nga puna.
Sipas njoftimit të “Trainkos”, pas një hetimi të brendshëm dhe leximit të të dhënave nga Departamenti i Arkave Fiskale dhe operatori i licencuar “Enternet”, janë zbuluar dyshime për ndërhyrje dhe manipulim të të dhënave, duke fshehur dhe dëmtuar raportimin e shitjeve të biletave për një periudhë të gjatë.
Hetimet kanë dokumentuar këto dyshime përmes leximeve nga personat e autorizuar të operatorit të licencuar.
“Trainkos” ka njoftuar organet kompetente dhe ka paraqitur dëshmitë për aktivitetin e paligjshëm të disa punonjësve që, që nga viti 2016, kanë ndërhyrë në arkët e fiskale, duke resetuar pajisjet dhe fshehur të dhënat reale të shitjeve.
“Nga ky lexim ka rezultuar se ka dyshime për ndërhyrje dhe manipulim të dhënave, si dhe fshehje dhe dëmtim të raportimit të shitjeve të biletave gjatë operimit me arka për një periudhë të gjatë kohore. Të gjitha këto dyshime janë dokumentuar e vërtetuar përmes leximeve nga personat e autorizuar përgjegjës të operatorit në fjalë”, thuhet në njoftim.
Raporti i fundit nga “Enternet” tregon se dëmi aktual është mbi 230 mijë euro, ndërsa kjo shumë mund të rritet, pasi ka edhe katër pajisje fiskale të cilat kanë pasur memorie të ndërruar dhe ende nuk janë lezuar.
Ndërmarrja nuk është në dijeni të dëmit që mund të ketë ndodhur në memoriet e pa lexuara.
“Nga raporti i fundit, të cilin e kemi pranuar nga ENTERNET, dëmi i shkaktuar kalon shumën prej 230 mijë eurosh, dhe kjo shumë mund të rritet, meqë janë edhe katër (4) pajisje fiskale të cilat kanë pasur memorie të ndërruar dhe të njëjtat ende nuk i kemi. Pra, ndërmarrja nuk di se cili mund të jetë dëmi në memoriet e pa lexuara dhe shuma totale pas kësaj”, thuhet në njoftim.
Për këtë çështje, janë njoftuar organet e rendit dhe hetuesisë, ndërsa “Trainkos” ka kërkuar nga Prokuroria të nisë hetimet.