Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar një dekret për faljen e pjesës së mbetur të dënimit të Arza Cakollit, e cila ndodhet në Qendrën Korrektuese për gra në Lipjan, së bashku me foshnjën e saj.
Sipas njoftimit të Presidencës, ky vendim është marrë për shkaqe humanitare, pas shqyrtimit të propozimit nga Komisioni për Falje dhe në përputhje me procedurat ligjore.
Arza Cakolli thuhet se ka lindur foshnjën e saj të parë gjatë vuajtjes së dënimit dhe është ndikuar nga rrethana të jashtëzakonshme.
Ajo është dënuar për “Rrezikim të Trafikut Publik” për shkak të një aksidenti të pafat, për të cilin është vërtetuar se nuk ka qenë nën ndikim të alkoolit apo substancave të tjera.
Po ashtu, në njoftim thuhet se ajo nuk ka pasur vepra penale të mëparshme.
“Në marrjen e vendimit për falje, janë marrë parasysh edhe faktorë të tjerë, duke përfshirë faktin se e dënuara nuk ka kryer asnjë vepër penale më herët, vepra penale për të cilën është dënuar është për ‘Rrezikim të Trafikut Publik’, pra është kryer aksident pa dashje, ndërkaq është vërtetuar se nuk ka qenë nën ndikim të alkoolit apo substancave të tjera kur ka ndodhur aksidenti. Përveç këtyre, gjithashtu janë marrë parasysh sfidat shëndetësore të nënës dhe foshnjës”, thuhet në komunikatë.
Vendimi për faljen e pjesës së mbetur të dënimit është marrë pas vlerësimit të faktorëve të tjerë, përfshirë sfidat shëndetësore të nënës dhe foshnjës.
Cakolli kishte filluar vuajtjen e dënimit prej 1 vit e dy muaj burg në korrik të vitit 2024, ndërsa do të lirohej më 14 shtator të këtij viti.
“Dosja me propozimin e shqyrtuar nga Komisioni si dhe nga ekipi ligjor i Presidentes, ka arritur sot në tavolinën e Presidentes. Prandaj, duke marrë parasysh faktorët humanitarë dhe vlerësimet profesionale të të gjitha institucioneve relevante, Presidentja ka vendosur faljen e pjesës së mbetur të dënimit të saj”, thuhet në njoftimin e Presidencës.