Një aeroplan pasagjerësh me 64 persona në bord është përplasur me një helikopter ushtarak mbi Uashington, duke u rrëzuar më pas në lumin Potomac.
Sipas një burimi ligjzbatues për CBS News, ekipet e shpëtimit kanë gjetur të paktën 19 trupa deri më tani.
Operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë në kushte të vështira, mes temperaturave të ulëta dhe ndriçimit të kufizuar.
Kryetarja e bashkisë së Uashington DC, Muriel Bowser, ka dekalruar se nuk ka ende një numër zyrtar të viktimave, por konfirmoi se në bordin e avionit ndodheshin 64 persona, raporton BBC.
Momentet para përplasjes: Pilotët nuk reaguan ndaj paralajmërimeve
Sipas raportimeve të CNN, pak çaste para përplasjes, një kontrollor i trafikut ajror dëgjohet duke pyetur helikopterin nëse kishte në pamje aeroplanin e American Airlines. Disa sekonda më vonë ndodhi aksidenti, ndërsa audioja e publikuar nga Live ATC nuk tregon asnjë përgjigje nga helikopteri ndaj paralajmërimeve.
“Një ngjarje që nuk duhet të ndodhte”
Eksperti i aviacionit, Geoffrey Thomas, e cilësoi këtë aksident si një tragjedi e papritur, duke theksuar se SHBA ka sistemin më të sigurt të linjave ajrore në botë dhe përplasjet ajrore supozohej të ishin diçka e së kaluarës.
Aksidenti i fundit i një avioni komercial në SHBA ndodhi në shkurt 2009, kur një fluturim i Continental Airlines u rrëzua mbi një shtëpi pranë Buffalo, New York.
Hetimet mbi këtë rast janë duke vazhduar.