Seanca fillestare në rastin ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, Ymer Dragushës dhe Isuf Zejnës, e cila ishte planifikuar të mbahej këtë të martë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar për shkak të mungesës së të akuzuarit Ymer Dragusha.
Sipas gjykatësit Rrahman Beqiri, ndonëse Gjykata i kishte dorëzuar ftesën Dragushës, nuk është kthyer një fletëdorëzim për të konfirmuar nëse ftesa i ka shkuar në mënyrë të rregullt.
Për këtë arsye, nuk u plotësuan kushtet për të vazhduar me shqyrtimin fillestar.
Gjyqtari Beqiri e shtyu seancën për datën 7 shkurt në orën 9:30.
Avokatja e caktuar sipas detyrës zyrtare për Dragushën, Sabrije Krasniqi, tha se ka tentuar ta kontaktojë klientin e saj, por nuk ka pasur përgjigje.
“Prej momentit që kam marrë ftesën, kam tentuar të kontaktoj në numrin që kam, mirëpo i njëjti nuk ka pasur qasje dhe tani për tani nuk kam ndonjë informacion,” deklaroi avokatja.
Për shkak të mungesës së Dragushës, trupi gjykues vendosi që seanca të shtyhet për një datë tjetër.
Gjykatësi Beqiri shtoi se, varësisht nga konstatimi në fletëdorëzim, do të ndërmerren veprimet e nevojshme ligjore ndaj Dragushës, përfshirë mundësinë e lëshimit të një urdhërarresti.
Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha përballen me akuzën për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ndërsa Krasniqi akuzohet edhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Ndërkohë, Isuf Zejna akuzohet për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare”.
Sipas aktakuzës, Dragusha ka arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë, por detajet e saj nuk u zbuluan gjatë seancës. Seanca e ardhshme do të caktohet në një datë të re.