Zyrtarisht për asnjërin nuk mund të thuhet se është përfaqësues a pjesë e PDK-së, por me video dhe zë dëgjohen duke e përmendur emrin e kësaj partie, duke brohoritur e sharë e madje duke hedhur mjete piroteknike në drejtim të Kurtit dhe simpatizantëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Pamjet tregojnë se zyrtarët policorë ishin dëshmitar të tensioneve në Skenderaj, por deri më tani nuk ka asnjë njoftim për nisje të hetimeve ose arrestime. As nga Zyra për Informim në Mitrovicë e as ajo Qendrore në Prishtinë nuk kanë dhënë asnjë detaj për rastin.
Sami Lushtaku është njeriu që Lëvizja Vetëvendosje pretendon se qëndron prapa këtij organizimi e madje se turmën e ka organizuar nga një pompë e benzinës ku po qëndronte. Akuzat ndaj Sami Lushtakut nuk mbeten vetëm në nivel të organizimit.
“Sami Lushtaku mbrëmë personalisht ka tentuar të sulmojë eskortën e Kryeministrit. Ai me veturë zyrtare, 02Z, të Komunës së Skënderajt, e ka pre rrugën e veturës së Kryeministrit me qëllim sulmin. Dëgjova që disa gazetarë të Klan Kosovës e kanë pyetur Kryeministrin se po i përdorë veturat zyrtare, ndoshta është mirë me e pyetë Saminë se prej cilës pompë të benzinës i ke komandu huliganët tu, para se të nisesh si i frustruar”, ka thënë ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.
Përkundër interesimit nga TV Dukagjini për një qëndrim nga pala tjetër, Lushtaku nuk ka shprehur interesim të japë asnjë koment.
Megjithatë zëdhënësi i komunës në Skenderaj i ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka paralajmëruar padi për shpifje. Në përgjigjen për mediat, Amir Lushtaku ka thënë se dega në Skenderaj i ka pezulluar aktivitet për tu solidarizuar me familjet e viktimave në Çubrel, dhe se Lushtaku e ka pasur në agjendë Fushë Kosovën.
Incidentin në Skenderaj e ka dënuar Demokracia në Veprim. Rrjeti i organizatave që i monitorojnë zgjedhjet thotë se kjo ngjarje e cenon garën zgjedhore.