Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë të hënën në ceremoninë përkujtimore të 80-vjetorit të çlirimit të kampit të përqëndrimit dhe shfarosjes Auschwitz – Birkenau në Poloni.
Osmani përmes një postim në “Facebook” ka shkruar se si shqiptarët kishin hapur dyert dhe zemrat dhe kishin strehuar hebrenjtë.
Po ashtu ajo ka thënë se Kosova e kupton më së miri rëndësinë e unitetit të të gjithëve në luftën kundër urrejtjes, pasi ka kaluar nëpër tmerret e luftës dhe gjenocidit të kryera nga Serbia.
“Krahas liderëve botërorë, mora pjesë në ceremoninë përkujtimore. Në këtë kamp të tmerrshëm, mbi 1 milion burra, gra dhe fëmijë polakë e të kombeve të tjera, u internuan, torturuan dhe ekzekutuan në mënyrën më çnjerëzore, vetëm pse ishin hebrenj. Përgjatë kësaj golgote, shqiptarët kishin hapur dyert dhe zemrat, dhe në besë kishin strehuar hebrenjtë në ditët më të errëta të historisë së tyre. Kosova ka kaluar nëpër tmerret e luftës dhe gjenocidit, të kryer nga Serbia, ndaj e kupton më së miri rëndësinë e unitetit të të gjithëve në luftën kundër urrejtjes”, ka shkruar Osmani.
Osmani në Poloni ka pasur takime me disa liderë botërorë, ka njoftuar Presidenca.
“Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit na kujton se duhet të qëndrojmë bashkë kundër çdo forme urrejtjeje dhe të sigurohemi që kurrë më të mos përsëriten tmerret e së kaluarës. Kosova, e cila ka kaluar përmes tmerreve të luftës dhe gjenocidit të kryer nga regjimi i Millosheviqit, e kupton më së miri rëndësinë e luftës kundër urrejtjes dhe angazhimin për një të ardhme më humane dhe të drejtë”, theksoi Presidentja Osmani.