Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Azemi, ka deklaruar se projekti për ndërtimin e një centrali të ri me gaz është një nga prioritetet e qeverisë së ardhshme të udhëhequr nga partia e tij.
Ai ka theksuar se ky plan do të realizohet me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke garantuar sigurinë energjetike të vendit.
“Nuk është një projekt për të cilin po flasim që ëndërrojmë të bëjmë, por është një projekt që do ta realizojmë me SHBA-në sepse garanton sigurinë energjetike në vend”, ka deklaruar Azemi në Debat Plus.
Ai kritikoi qeverinë aktuale të Albin Kurtit, duke e akuzuar për politika populiste dhe për shmangie nga përgjegjësitë në lidhje me projekte madhore që kanë ndikim strategjik.
“Kosova nuk ka dashur të bëhet partner strategjik për qeverinë amerikane në Ballkanin Perëndimor, dhe në kohën kur i është dhënë mundësia zotit Kurtit për ta jetësuar këtë projekt, ai iu shmang kësaj përgjegjësie”, ka deklaruar Azemi.
Azemi ka njoftuar se ka pasur diskutime me përfaqësues të administratës amerikane, përfshirë edhe Richard Grenellin, si dhe me disa kompani të interesuara për këtë projekt.
Ai ka potencuar se ky projekt nuk është vetëm në interesin e Kosovës, por të gjithë rajonit të Ballkanit.
“Po, kam pasur diskutime me zotin Grenell dhe me përfaqësues të disa kompanive, sepse është në interes edhe i SHBA-së që ta kenë një partner strategjik si Kosova për gazifikimin jo vetëm të Kosovës, por të gjithë Ballkanit”, ka shtuar ai.
Sipas Azemit, ky projekt do të mbështetet financiarisht nga administrata amerikane dhe është një ndër projektet kryesore që qeveria e ardhshme e LDK-së synon të realizojë me patjetër.